Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 6 Tetor 2025

Trupa e Teatrit “Skampa” mbyll me sukses Festivalin Ndërkombëtar “Skampa 2025” me komedinë “Çfarë pa kryeshërbëtorja”

Mbrëmja e fundit e Festivalit Ndërkombëtar “Skampa Extension 2025” u mbyll me duartrokitje të gjata për komedinë “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, me regji të Kiço Londos dhe interpretim nga trupa e Teatrit “Skampa”.

Vepra e njohur e dramaturgut britanik Joe Orton solli në skenën e teatrit elbasanas një botë plot humor, ironi dhe situata të papritura, ku përzihen pasionet, pritshmëritë romantike, fotot rozë dhe shpërdorimi i pushtetit, në një realitet absurd e argëtues.

Kjo premierë e trupës vendase shënoi një mbyllje dinjitoze të edicionit të 27-të të festivalit, që për gjashtë ditë me radhë e ktheu Elbasanin në një qendër të gjallë të artit skenik. 11 trupa teatrore nga vende të ndryshme performuan jo vetëm në skenën e Teatrit “Skampa”, por edhe në hapësira të tjera kulturore të qytetit, duke sjellë një atmosferë të veçantë artistike dhe bashkëkohore.

Në mbyllje të festivalit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, shprehu mirënjohjen për pjesëmarrësit dhe publikun elbasanas:

“Falënderim të veçantë për të gjitha trupat që zgjodhën Elbasanin për të ndarë artin e tyre me ne. Për gjashtë ditë, qyteti ynë u mbush me energji, me art dhe me bashkëpunim ndërkombëtar. Ky festival është tashmë një traditë që e bën Elbasanin pjesë të kalendarit kulturor ndërkombëtar.”

Ndërsa një vlerësim dhe falenderim Llatja shprehu edhe për drejtuesit e festivalit për përkushtimin dhe organizimin e çdo edicioni, si edhe Ministrinë e Kulturës për mbështetjen dhe vijimësinë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore.

Me “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, trupa e Teatrit “Skampa” dhe i gjithë festivali mbyllën jo vetëm një javë plot emocione artistike, por edhe një tjetër kapitull të suksesit kulturor të Elbasanit, që tashmë pret me entuziazëm edicionin e ardhshëm.

Miho Gjini promovon “Brezi i tretë i aktrimit”, një dëshmi për trashëgiminë e skenës shqiptare

Në ditën e fundit të Festivalit Teatror Ndërkombëtar “Skampa Extension”, në Bibliotekën “Qemal Baholli” u promovua libri më i ri i shkrimtarit dhe kritikut të njohur të artit Miho Gjini, me titull “Brezi i tretë i aktrimit”.

Një vepër që ruan kujtesën e skenës shqiptare dhe përcjell ndriçimin te brezat që vijnë, një homazh i rrallë për 25 artistë të rinj të skenës dhe ekranit, yje të brezit të tretë në qiellin e aktrimit shqiptar.

Pas 65 vitesh në shërbim të artit, Miho Gjini sjell librin e tij të 38-të, si një dëshmi dashurie, përkushtimi dhe mirënjohjeje për magjinë e quajtur Teatër.

Miho Gjini, një nga kritikët më të vlerësuar të artit shqiptar, veçanërisht në skenën e teatrit dhe ekranit, lindi më 20 mars 1938 në fshatin Piqeras të Himarës, ku kreu dhe shkollën fillore.
Më pas, ai ndoqi studimet në Tiranë, në Politeknikumin “7 Nëntori”, duke u specializuar si teknik rongeni dhe ushtruar këtë profesion në Spitalin Civil të Gjirokastrës.

Studimet e larta i përfundoi në Shkollën e Lartë të Aktorëve, ku u diplomua si aktor dhe regjisor, me specializim në kritikë teatri.
Ai u emërua drejtor dhe regjisor i Teatrit Profesionist “Skampa” të Elbasanit, ku realizoi dy shfaqje të rëndësishme: dramën “Justina” dhe komedinë “Kutia prej argjendi”.

Pas tre vitesh, Miho Gjini mori detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Teatrove dhe Estradave të Republikës, duke kontribuar njëkohësisht edhe si pedagog i jashtëm në Institutin e Artevepër 12 vite.

Bashkia mbështet fermerët e Shirgjanit/ Eksportet dhe infrastruktura bujqësore në fokus

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me administratorin e Njësisë Administrative Shirgjan, dhe kryetarët e fshatrave të zonës, zhvilluan një takim për të dëgjuar nga afër nevojat dhe sfidat e fermerëve të Shirgjanit.

Shirgjani, i njohur si zemra bujqësore e Elbasanit, prodhon kultura të stinës si perime, drithëra, dhe fruta, të cilat tregtohen jo vetëm në tregjet vendase, por edhe jashtë vendit, duke rritur mundësitë për eksport dhe zhvillim ekonomik për fermerët.

Gjatë vizitës u theksua rëndësia e mirëmbajtjes periodike të kanaleve vaditëse dhe kulluese, që sigurojnë prodhim të qëndrueshëm dhe mbrojnë kulturat nga dëmtimet e mundshme.

Një tjetër përparësi për fermerët është Unaza Bujqësore e Elbasanit, e cila kalon në këtë njësi dhe mundëson transport më të lehtë dhe akses të shpejtë në tregjet rajonale dhe qendrat e grumbullimit.

Kryetari Gledian Llatja u shpreh, se “Shirgjani është shembulli më i mirë i bashkëpunimit mes bashkisë dhe fermerëve. Do të vijojmë të mbështesim çdo iniciativë që rrit prodhimin, eksportet dhe përmirëson infrastrukturën bujqësore. Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë është prioritet për Bashkinë e Elbasanit.”

Kryetari Gledian Llatja u shpreh, se “Shirgjani është shembulli më i mirë i bashkëpunimit mes bashkisë dhe fermerëve. Do të vijojmë të mbështesim çdo iniciativë që rrit prodhimin, eksportet dhe përmirëson infrastrukturën bujqësore. Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë është prioritet për Bashkinë e Elbasanit.”