Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 9 Tetor 2025

Gledian Llatja/ Funari, në fokus të investimeve për infrastrukturën rurale dhe zhvillimin e turizmit

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ishte sot në Njësinë Administrative Funar, ku vijojnë punimet për mirëmbajtjen e rrugëve rurale dhe pastrimin e kanaleve kulluese. Qëllimi i ndërhyrjeve është përmirësimi i qarkullimit dhe parandalimi i përmbytjeve, sidomos pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit.

Në bashkëbisedim me përfaqësuesit e njësisë administrative, u vendos që fokusi i punës të jetë tek ofrimi i shërbimeve më të mira për qytetarët, pastrimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës bujqësore për të mbështetur fermerët, si dhe zhvillimi i mëtejshëm i turizmit.
Funari, me pyjet e pasura dhe liqenet e tij natyrale, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turizmin rural, kulturor dhe sportet outdoor.

Aktualisht janë kryer punime në pastrimi i rezervuarit në Mollagjesh, mirëmbajtja e rrugëve në Cërujë,  Mollagjesh dhe Branesh (Likrama).

Ndërkohë po vijojnë punimet për rrugët në Bixëlle, Preçë e Poshtme dhe Korrë, pastrimin e kanaleve në Branesh.

Llatja vlerësoi punën e ekipeve në terren dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin për zhvillimin e qëndrueshëm të zones.

“Funari është një nga zonat më të bukura të Bashkisë Elbasan, me potencial të madh për turizëm dhe bujqësi. Reshjet e fundit sollën disa probleme, por ndërhyrjet kanë nisur menjëherë për pastrimin e kanaleve kulluese dhe mirëmbajtjen e rrugëve rurale. Me bashkëpunim dhe angazhim, synojmë që Funari të zhvillohet si një hapësirë e pastër, mikpritëse dhe plot mundësi për qytetarët dhe vizitorët,”u shpreh kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja.

Ai shtoi se “ fillimisht kemi siguruar pastrimin e këtyre kanaleve dhe digës së liqenit, ndërsa më pas jemi fokusuar te mirëmbajtja e rrugëve të fshatrave, qendrave dhe lagjeve të brendshme, për të përmirësuar infrastrukturën rurale dhe lehtësuar lëvizjen e banorëve.
Me bashkëpunim dhe angazhim, synojmë që Funari të zhvillohet si një hapësirë e pastër, mikpritëse dhe plot mundësi për qytetarët dhe vizitorët.”

Funari gjithashtu është një nga katër zonat e shpallura prioritare për zhvillim nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit, së bashku me Gjinarin, Treganin dhe Shushicën.
Këto zona përbëjnë një potencial të rëndësishëm ekonomik, turistik dhe mjedisor për qytetin dhe rajonin. Vendimi bazohet në Ligjin nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve”, si dhe në udhëzimet përkatëse të miratuara nga Ministria e Pushtetit Vendor, duke synuar nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit rural e natyror, si dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe kulturore të këtyre zonave.

Shushica, fshati që vjen nga lashtësia

Shushica është një nga fshatrat më të njohur të rrethit të Elbasanit, i shtrirë në juglindje të qytetit, në anën e majtë të lumit Shkumbin. Ky vendbanim, i vendosur mes fushës dhe kodrave përreth, ka qenë pjesë e rëndësishme e komunikimit të lashtë, pasi aty kalonte dikur rruga e famshme “Egnatia”, gjurmët e së cilës shihen ende sot.

Emri i Shushicës mban në vetvete një histori të lashtë. Gojëdhënat popullore dhe studimet etimologjike tregojnë se mund të vijë nga sllavishtja e periudhës së pushtimit bullgar, ku “Shushicë” nënkupton “vend me ujë”. Ky shpjegim lidhet natyrshëm me faktin se zona ka vendburime të shumta ujore.

Dikur fshati ka qenë i krishterë, dhe besimin e ndërroi pas pushtimit turk, në vitin 1595. Toponime si “Katundi i Vjetër” dhe “Kaurresha” dëshmojnë për kishën e hershme të ndërtuar aty, duke mbajtur gjallë kujtesën e rrënjëve të krishtera të fshatit.

Shushica është një nga zonat e pakta të maleve bashkë me Byshekun, duke ofruar një kombinim unik të fushës së gjërë dhe relievit malor. Me një sipërfaqe prej 88 km² dhe klimë të përshtatshme për florën dhe faunën, ajo përfaqëson një potencial të madh natyror dhe mjedisor. Shkolla e Shushicës është një nga më të mëdhatë në zonat rurale, duke shërbyer si qendër arsimore për breza të tërë.

Buzë Shkumbinit, përballë Byshekut të mrekullueshëm, fshati shijohet si një vend ku natyra dhe tradita ndërthuren: flladi i freskët, uji i ftohtë si brisk dhe rrapet legjendarë që ruajnë kujtime shekullore. Bysheku, me peizazhet e tij dhe flladin ledhatues, është gjithashtu një pikë turistike e njohur e Shushicës, që tërheq vizitorë nga i gjithë rajoni.

Shushica është përfshirë mes katër zonave prioritare për zhvillim nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit, përkrah Gjinarit, Funarit dhe Treganit. Ky vendim e bën pjesë të “Paketa e Maleve”, një strategji zhvillimi që synon të nxjerrë në pah potencialin ekonomik, turistik dhe mjedisor të zonave rurale dhe malore për qytetin dhe rajonin.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, pohon se “Shushica ofron potencial të jashtëzakonshëm natyror dhe turistik. Me investimet që kemi kryer, duke filluar nga asfaltimi i rrugëve e deri te përmirësimi i infrastrukturës, ky fshat po kthehet në një pikë referimi jo vetëm për banorët, por edhe për vizitorët dhe zhvillimet e ardhshme të Paketa e Maleve.”

Asfaltimi i rrugëve dhe përmirësimi i infrastrukturës kanë bërë që lidhja me qytetin të jetë më e shpejtë, duke e afruar fshatin me zhvillimet urbane dhe mundësitë e reja ekonomike e turistike.

Një tjetër element i rëndësishëm që e lidh Shushicën me të tashmen moderne është afërsia me Auto-Moto Parkun e Elbasanit, një qendër sportive që do te tërheq vizitorë nga i gjithë vendi. Ky fakt do ta kthejë fshatin në një pikë referimi jo vetëm për historinë e tij të lashtë, por edhe për turizmin aktiv dhe jetën moderne.

Nga rruga Egnatia e lashtësisë te investimet bashkëkohore dhe Paketa e Maleve, nga kujtimet e kishave të hershme, Shushica mbetet një fshat që bashkon të shkuarën dhe të ardhmen. Me një natyrë të pasur, histori të thellë dhe zhvillime të reja, ajo është shndërruar në një zonë ku lashtësia dhe moderniteti ecin krah për krah, duke reflektuar vizionin e drejtuesve lokalë për zhvillim të qëndrueshëm.  

Busheku: Trashëgimi e lashtë dhe bukuri natyrore pranë Elbasanit

Vetëm gjashtë kilometra në jug të qytetit të Elbasanit, në luginën e bukur të Shkumbinit, shtrihet Busheku, një ndër perlat natyrore dhe historike të kësaj zone. I njohur dikur si një prej pikave më të preferuara për elbasanasit, ky vend ruan ende magjinë e tij, mes gjelbërimit, ujërave të kristaltë dhe historisë shekullore që mbart.

Emri i Bushekut, që në dokumentet osmane përmendet si Buzurshek, mendohet të ketë prejardhje nga shprehja “buzë sheut”, pra, buzë rrjedhës së lumit Shkumbin. Kjo rrugë ka qenë pjesë e itinerarit të lashtë të Rrugës Egnatia, ku karvanë tregtarësh ndalonin për t’u çlodhur e për të furnizuar kafshët e tyre. Arkeologët kanë gjetur këtu gjurmë të një kishe të hershme, që dëshmon për historinë e gjatë dhe rolin shpirtëror të këtij vendi. Jo shumë larg ndodhet edhe Kisha e Shën Thanasit, një monument kulture që ruan vlera të rralla fetare dhe arkitekturore për zonën.

Burimi karstik i Bushekut është një nga atraksionet më të veçanta të zonës. Uji i tij i ftohtë e i kristaltë, me prurje rreth 70 litra në sekondë, buron rrëzë një shkëmbi të madh dhe formon pak më tej një rezervuar të vogël, mjaft të frekuentuar gjatë verës nga notarë e vizitorë. Rreth burimit ngrihen rrapet shekullorë, që me hijen e tyre natyrale ofrojnë freski dhe qetësi për pushuesit. Sipas një gojëdhëne të vjetër, këta rrape kanë mbirë nga hunjtë ku kalorsia turke dikur kishte lidhur kuajt, në përgatitje të një sulmi ndaj Sopotit.

Përveç pasurive natyrore e historike, Busheku është edhe një vend i gjallë kulturash e traditash. Banorët e njohin për mikpritjen dhe tolerancën fetare, ndërsa vizitorët gjejnë aty ushqime bio e gatime tradicionale në lokalet që rrethojnë burimin. Pylli i Zabelit dhe shtigjet përreth ofrojnë mundësi për ecje në natyrë, duke e bërë këtë destinacion ideal për një ditë të qetë larg zhurmës urbane.

Sot, me zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Elbasanit, Busheku po i kthehet sërish vëmendjes që meriton. Vitet e fundit kanë nisur investime në infrastrukturë dhe ndërhyrje për përmirësimin e mjedisit, duke i hapur perspektiva të reja turizmit vendas.
Në prag të qytetit, mes historisë, legjendës dhe natyrës, Busheku mbetet një thesar që pret të zbulohet sërish nga brezat e rinj dhe turistët e huaj.