Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 12 Tetor 2025

Elbasani shpallet Kampion Kombëtar Ekipor 2025 në Ping Pong!

Sporti elbasanas ngjitet sërish në majë!
Ekipi i Elbasanit është shpallur Kampion Kombëtar  Ekipor U- 19 vjecar dhe të Rritur 2025 në ping pong, duke konfirmuar traditën dhe nivelin e lartë të këtij sporti në qytetin e Elbasanit.
Në të njëjtin kampionat, ekipi i femrave arriti një rezultat të shkëlqyer, duke u renditur në vendin e dytë në nivel kombëtar.

Ky sukses vjen si rezultat i përkushtimit të sportistëve, trajnerëve dhe stafit teknik, të cilët me  disiplinë kanë përfaqësuar me dinjitet Bashkinë Elbasandhe Klubin Sportiv Elbasani në arenën kombëtare.

Ping pongu ka vite që zhvillohet me pasion në Elbasan dhe rezultatet flasin vetë.

Kampionati Kombëtar i Ping Pongut për të Rritur 2025 u zhvillua me pjesëmarrjen e ekipeve më të mira nga e gjithë Shqipëria, ku përmes ndeshjeve të forta dhe garës së ndershme, Elbasani u ngjit në vendin e parë, duke fituar titullin më të lartë ekipor të këtij viti.

Elbasani vazhdon të mbetet një qendër e rëndësishme e zhvillimit sportiv në vend, duke dhënë shembuj frymëzues për brezat e rinj.

Elbasani rinis procesin e “Buxhetimit me Pjesëmarrje”, qytetarët vendosin për investimet e vitit të ardhshëm

Ashtu si çdo fundviti, Bashkia e Elbasanit në datën 15 tetor do të nisë takimet me komunitetin në çdo njësi administrative në kuadër të procesit të “Buxhetimit me Pjesëmarrje”, një praktikë tashmë e konsoliduar që prej më shumë se një dekade.

Ky proces, i njohur si një nga format më demokratike të përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje, synon të sigurojë që çdo zë të dëgjohet dhe çdo kërkesë e komunitetit të reflektohet në buxhetin e bashkisë për vitin e ardhshëm.

Prej më shumë se dhjetë vitesh, Elbasani është bashkia e parë në Shqipëri që ka zbatuar me sukses këtë model të pjesëmarrjes qytetare. Nëpërmjet “Buxhetimit me Pjesëmarrje”, banorët e çdo njësie diskutojnë hapur për problemet dhe nevojat e zonës së tyre, nga infrastruktura rrugore e ndriçimi publik, te ujësjellësi, kanalizimet, arsimi dhe hapësirat e gjelbra, ndërsa në fund votojnë për prioritetet që duan të përfshihen në buxhetin e vitit pasardhës.

Ky proces nuk është thjesht konsultativ, por një formë konkrete e vendimmarrjes së përbashkët midis qytetarëve dhe pushtetit vendor. Administrata e bashkisë merr në shënim të gjitha propozimet, edhe ato që nuk janë drejtpërdrejt në kompetencën e saj, për t’i përcjellë më pas institucioneve përkatëse.

Në vitet e fundit, modeli është zgjeruar edhe në fusha të tjera, përfshirë sportin dhe buxhetimin gjinor, ku i jepet prioritet përfshirjes së grave dhe vajzave në vendimmarrje.

Falë këtij mekanizmi, shumë prej kërkesave të banorëve janë kthyer në investime konkrete, që variojnë nga përmirësimi i rrugëve dhe ndriçimit publik, deri te ndërtimi i këndeve të lojërave dhe rehabilitimi i ambienteve publike.

Pjesëmarrja e qytetarëve në këto takime është rritur çdo vit, duke dëshmuar për efektshmërinë dhe besimin që ky proces ka krijuar në komunitet.

Suksesi i Elbasanit në zbatimin e këtij modeli ka shërbyer si shembull frymëzues për shumë bashki të tjera në vend, të cilat e kanë adoptuar si një praktikë të mirë të qeverisjes vendore. Kjo e ka bërë Bashkinë e Elbasanit të cilësohet shpesh si një bashki model, për mënyrën transparente dhe gjithëpërfshirëse me të cilën menaxhon procesin e buxhetimit.

Në thelb, “Buxhetimi me Pjesëmarrje” mbetet një mekanizëm që forcon lidhjen mes qytetarëve dhe institucioneve, duke e bërë vendimmarrjen më të ndershme, më transparente dhe më pranë nevojave reale të komunitetit.

Falë këtij procesi, zëri i qytetarit kthehet në investime konkrete, dhe Bashkia e Elbasanit vijon të mbetet një nga shembujt më të qëndrueshëm të demokracisë pjesëmarrëse në nivel vendor.