Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 13 Tetor 2025

Funari, përveç bukurisë natyrore, po kthehet në zonë model për prodhimet bio

Pas 12 vitesh në emigrim, Eduart Dervishi është rikthyer në vendlindjen e tij, në Funar, për t’u marrë me bujqësi. Në parcelën e tij me mbi 1 mijë rrënjë mollë, ai prodhon çdo vit 500–600 kv mollë cilësore të disa varieteteve, përfshirë edhe mollën dietike.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vizitoi nga afër këtë parcelë model në Funar, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për fermerët e zonave malore dhe të gjithë atyre që rikthehen për të investuar në vendlindje.

“Infrastruktura e kanaleve kulluese dhe vaditëse mbetet një nga prioritetet tona kryesore në zonat rurale. Çdo vit po vërejmë një rritje të sipërfaqeve të mbjella dhe gjithnjë e më shumë të rinj po zgjedhin të kthehen në fshat për të ndërtuar të ardhmen këtu,”  u shpreh Llatja.

Funari nuk njihet vetëm për natyrën e tij mahnitëse, liqenet dhe ajrin e pastër, por gjithnjë e më shumë po spikat edhe për prodhimet e tij bio. Sa më lart në mal, aq më të pastra e natyrale janë frutat dhe perimet që prodhohen këtu — një pasuri që po kthehet në identitetin e zonës.

Funari po dëshmon se zhvillimi rural dhe kthimi i të rinjve në bujqësi janë rrugë të sigurta drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe të shëndetshme për komunitetet lokale.