Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 15 Tetor 2025

Buxhetimi me pjesëmarrje në Gjinar/ Llatja prezanton projekte të reja për zonën e Shpatit.

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje ka nisur këtë vit nga zona turistike e Gjinarit, aty ku janë kryer një sërë investimesh të dukshme, jo vetëm për zhvillimin turistik, por mbi të gjitha për rritjen e cilësisë së jetesës për banorët e zonës. 

E njohur si një nga perlat e turizmit në Elbasan, Gjinari është parë si përparësi gjatë këtij viti si nga investimet e qeverisë shqiptare ashtu edhe nga vetë Bashkia Elbasan.


Shumë të pranishëm kanë marrë pjesë në këtë takim të Buxhetimit me Pjesëmarrje, ku kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka qenë i shoqëruar nga deputetja e zonës së Shpatit, Evis Kushi, kryetari i Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, si edhe ai i njësisë administrative të Gjinarit.


Në fjalën e tij, kryebashkiaku Gledian Llatja theksoi rëndësinë që ka zona e Shpatit për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Elbasanit:


“Ne jemi mbledhur këtu për të diskutuar dhe për të marrë vendime për të ardhmen. 

Zona e Shpatit meriton shumë sepse është një zonë me traditë, me kulturë, një zonë e cila ka një potencial ekonomik, por edhe njerëzor. 

Kërkesa kryesore dikur këtu në Gjinar ishte qendra, sheshi kryesor ku edhe jemi sot, pasi i jep potencial të gjithë zones, jo vetëm Gjinarit, por edhe Lleshanit, Shelcanit, fshatrave të tjerë dhe Bukanikut, që është një nga malet tona më të bukura dhe krenaria e zonës sonë të Elbasanit.”


Llatja shtoi se investimet në Gjinar kanë qenë të shumta dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e zonës:


“Kemi bërë shumë investime në Gjinar, sistemime rrugësh, lidhje të energjisë elektrike, ujësjellësin, si edhe sheshin që ka qenë një investim i madh. 

Ne kemi investuar në Gjinar sepse duam ta bëjmë atë një destinacion turistik dhe të krenohemi të gjithë me bukurinë, traditën, kulinarinë dhe mikpritjen që e karakterizon,”, u shpreh Llatja.


Ai nënvizoi gjithashtu se përveç investimeve të realizuara, Bashkia Elbasan po punon për projekte të reja që do të lehtësojnë qarkullimin dhe do të shtojnë mundësitë për zhvillim turistik.


“Do të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë. Kemi projekte për Gjinarin, po ecim drejt konkretizimit të një rruge të re nga Shushica për të ardhur në Lleshan nga pjesa e mbrapme, një projekt që kërkon investim, por që do të bëjë një rrugë më të shkurtër dhe do t’i japë Gjinarit një potencial të ri, pa lënë pas dore rrugën e vjetër dhe kërkesën tonë të vazhdueshme për mirëmbajtjen e saj,”, theksoi Llatja.


Deputetja Evis Kushi vuri theksin tek investimet e kryera dhe tek interesi në rritje që ka treguar vetë kryetari i bashkisë për këtë zone.


“Zona e Gjinarit ka pasur një vëmendje të veçantë nga Bashkia Elbasan dhe nga kryetari Llatja personalisht. Por ne do të vazhdojmë të bëjmë akoma edhe më shumë për ju.

Buxhetimi me pjesëmarrje është një mundësi shumë e mirë që jo vetëm banorët të japin mendimet e tyre, por të jenë edhe pjesë e vendimmarrjes për investimet në zonën e tyre,”, u shpreh Kushi.


Gjatë këtij viti, paketa e maleve ka përfshirë edhe Gjinarin, si një zonë me potencial të madh turistik, ku janë kryer një sërë investimesh si hapja e muzeut, info point-it, etj. Kjo paketë ka si qëllim zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.


Në përfundim të takimit, banorët shprehën kërkesat e tyre dhe u votua për prioritetet e investimeve, të cilat do të kalojnë më pas në buxhetin e vitit 2026, ku zërat e tyre dhe këto prioritete do të vihen në zbatim nga Bashkia Elbasan.

Përmirësimi i Transportit Publik në Elbasan/Bashkia dhe GIZ zgjeron bashkëpunimin

Në Bashkinë e Elbasanit u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të Bashkisë dhe GIZ Albania, në kuadër të bashkëpunimit për përmirësimin e sistemit të transportit publik në qytet.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e këtij partneriteti, duke u shprehur se,“bashkëpunimi me GIZ Albania është një mundësi e jashtëzakonshme për të përshpejtuar transformimin e Elbasanit në një qytet më të mençur, më të gjelbër dhe më të aksesueshëm për të gjithë qytetarët. Transporti publik është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin urban të qëndrueshëm dhe jemi të përkushtuar të ofrojmë shërbime sa më cilësore për komunitetin.”

Ky projekt i përbashkët synon të bëjë transportin publik në Elbasan më efikas, të besueshëm dhe të orientuar drejt nevojave të qytetarëve.

Bashkia Elbasan dhe GIZ Albania janë të angazhuar për të zgjeruar më tej fushat e bashkëpunimit, duke përfshirë mobilitetin e gjelbër, dixhitalizimin e shërbimeve, planifikimin urban dhe menaxhimin e qëndrueshëm të qytetit.

Nisin punimet për urën e Papërr-Sollak, një premtim që po bëhet realitet për komunitetin

Në njësinë administrative Papërr, në fshatin Papërr-Sollak, kanë nisur punimet për ndërtimin e urës mbi përruan që ndan fshatin, një investim i shumëpritur nga banorët prej vitesh.

Kjo urë konsiderohet një infrastrukturë jetike për lëvizjen e banorëve, veçanërisht të fëmijëve dhe nxënësve që përballeshin çdo ditë me vështirësi gjatë kalimit të përroit, sidomos në periudhën e reshjeve, kur niveli i ujit rritej dhe qarkullimi bëhej i rrezikshëm.

Punimet po vijojnë me ritme të kënaqshme dhe pritet që shumë shpejt ura e re të vihet në shërbim të komunitetit, duke i dhënë fund izolimit dhe duke përmirësuar ndjeshëm sigurinë e lëvizjes.

Ky investim është në përputhje me angazhimin e Bashkisë Elbasan për të përmirësuar jetën e qytetarëve edhe në zonat rurale, duke realizuar një nga kërkesat më të hershme të banorëve të Papërr-Sollakut.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në nisjen e punimeve, theksoi se “ky investim është pjesë e përpjekjeve tona për të sjellë zhvillim dhe siguri për çdo komunitet të Bashkisë Elbasan. Ura e Papërr-Sollakut është një premtim që po e bëjmë realitet, duke i dhënë fund një problemi të përhershëm të banorëve dhe duke përmirësuar ndjeshëm lëvizjen e tyre të përditshme. Çdo investim në infrastrukturë rurale është një hap drejt barazisë dhe shërbimeve më cilësore për të gjithë.”