Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 20 Tetor 2025

Banorët e Shushicës përcaktojnë investimet për vitin 2026.

Në Njësinë Administrative Shushicë u zhvillua takimi i radhës i Kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, me banorët e zonës, në kuadër të procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje. Në takim morën pjesë gjithashtu Kryetari i Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, Kryetari i Njësisë Administrative Sokol Sinani, përfaqësues të këshillit dhe banorë të fshatrave të njësisë.

Kreu i bashkisë Llatja theksoi se Bashkia Elbasan ka hyrë në një fazë të re investimesh, me mbështetje nga qeveria dhe fonde të siguruara përmes lobimit vendor.

“Prioritet për vitin e ardhshëm është lidhja e Shushicës me urën e Byshekut dhe ndërtimi i bypass-it, që do ta kthejë Shushicën në një lagje të Elbasanit.

Kemi projekte të rëndësishme në infrastrukturë, në arsim dhe në sistemet e ujitjes e energjisë,” deklaroi Llatja.

Ai shtoi se brenda nëntorit do të nisin punimet për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare në Shushicë, ndërsa po punohet edhe për një shkollë shtesë në Hajdaran.

Kryebashkiaku Llatja vuri në dukje se Bashkia Elbasan po punon për zgjidhjen përfundimtare të problematikave të mbetjeve në zonat rurale.

“Kemi nisur fazën e parë me vendosjen e koshave dhe pritet të mbërrijnë edhe 200 të tjerë, bashkë me mjetet e reja të pastrimit.”, theksoi Llatja.

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Lytfi Lala, vlerësoi punën e bërë gjatë vitit 2025 dhe bashkëpunimin me qytetarët. Ai theksoi se si bashki dhe këshill janë të angazhuar të japin llogari për çdo veprim dhe investim të bërë.

Në përmbyllje të takimit, banorët votuan për prioritetet kryesore të investimeve që do të përfshihen në buxhetin e vitit 2026, në përputhje me kërkesat dhe nevojat e tyre më emergjente për zonën.

Finalet e Kampionatit të Volejbollit për Shkollat 9-Vjeçare në Qytetin e Elbasanit

Në kuadër të promovimit të sportit dhe aktiviteteve rinore, Qendra Kulturore e Fëmijëve Elbasan, në bashkëpunim me Klubin Shumësportësh Elbasan dhe Zyrën Vendore Arsimore Elbasan, zhvilluan me sukses finalet e Kampionatit të Volejbollit për djem dhe vajza midis shkollave 9-vjeçare të qytetit.

Pas një gare plot emocion, pasioni dhe performanca të shkëlqyera sportive, Kupa e Kampionit u fitua nga:

Shkolla “Jorgji Dilo” – Djem

 Shkolla “Abdyl Paralloi” – Vajza

Gjatë aktivitetit u vlerësuan gjithashtu ekipet nënkampione, si dhe sportisti dhe sportistja më e mirë e turneut, të cilët u dalluan për përkushtimin dhe shpirtin e tyre sportiv.

Në këtë event mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, i cili përshëndeti të pranishmit dhe uroi fituesit, duke vlerësuar rëndësinë e sportit si një pjesë thelbësore e edukimit dhe zhvillimit të fëmijëve.

“Sporti është mënyra më e bukur për të mësuar bashkëpunimin, disiplinën dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Elbasani ka një traditë të shkëlqyer sportive dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim fuqishëm brezin e ri që e do sportin dhe jetën aktive,”  u shpreh z. Llatja gjatë fjalës së tij përshëndetëse.

Finalet e kampionatit shënuan një hap përpara në përfshirjen e nxënësve në aktivitetet sportive, duke forcuar traditën e qytetit të Elbasanit si një qytet me pasion për sportin.