Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 22 Tetor 2025

Investimet në Rajonin 4 ecin përpara, shkolla, çerdhe dhe rivitalizim i Kalasë.

Gjatë këtij viti, në Rajonin Nr. 4 janë realizuar disa investime të rëndësishme, duke zgjidhur edhe disa problematika të banorëve.

Të gjitha këto investime janë diskutuar dhe përfshirë në procesin e buxhetimit me pjesëmarrje, ku kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputeti Adi Qose, zhvilluan një takim masiv me banorët e rajonit.

Llatja e vuri theksin tek Përroi i Zaranikës, një çështje që dikur ishte problem për lagjen.

“Mbaj mend zaranikën, me problemin, se do të përmbyste lagjen, por Zaranika u zgjidh”.

Duke u ndalur tek investimet në infrastrukturën arsimore, Llatja shtoi se “ U kemi dhënë një prioritet të madh investimeve në infrastrukturën arsimore gjatë këtyre viteve. Do të vazhdojmë vitin tjetër të investojmë në shkollat tona.

E filluam me një shkollë në vit, kaluam në dy shkolla në vit dhe tani kemi kaluar në rikonstruksionin e tre shkollave në vit, si edhe po kryejmë sistemime të pjesshme për mbi 20 infrastruktura arsimore. Kjo është pozitive sepse po i bëjmë me buxhetet tona dhe me ndihmën e qeverisë shqiptare.”

Në Rajonin 4 kanë përfunduar investime në çerdhe dhe shkolla, përfshirë çerdhen nr. 2 dhe rikonstruksionin e shkollës “Bardhyl Popa”, ndërsa çerdhja nr. 5 ndodhet në ndërtim. Po ashtu, janë mbyllur punimet në lagjen “Aqif Pasha” dhe së shpejti do të mbyllet edhe lagjja “Visarion Xhuvani” dhe disa rrugë të vogla, duke përfunduar të gjithë Rajonin 4 dhe duke u fokusuar më pas tek zonat informale të qytetit.

Përveç zgjidhjeve infrastrukturore, Llatja foli edhe për projektin e rivitalizimit të Lagjes Kala.

“Në Kala, ka dy javë që kanë ardhur arkitektët dhe po shohin banesat nga brenda, sepse kemi nisur projektin për rikonstruksionin e lagjes Kala, një projekt fantastik. Fillojmë nga rruga kryesore nga Porta e Kalasë deri tek “Via Egnatia”, ku do të restaurohen të gjitha banesat anash këtyre rrugëve dhe njëkohësisht po vazhdojmë edhe me projekte të tjera për zhvillimin e infrastrukturës brenda Kalasë.”

Deputeti Adi Qose theksoi rëndësinë e buxhetimit me pjesëmarrje.

“Jam shumë i lumtur që ju shoh kaq shumë në një nga proceset më të rëndësishme, ku ju vendosni për investimet e vitit të ardhshëm. Kjo është mënyra më e drejtë që investimet të shkojnë aty ku nevojiten më shumë”, tha ai.

Në fund të takimit, banorët votuan për prioritetet e tyre, duke kontribuar drejtpërdrejt në vendosjen e investimeve që do të realizohen në vitin 2026.

Këshilli Bashkiak i Elbasanit miraton vlerën mesatare të qirasë.

Llatja thirrje qytetarëve: Aplikoni deri në 3 nëntor.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Elbasanit u miratua pika për miratimin e vlerës së qirasë mesatare të shtresave të banesave në tregun e lirë dhe vlerës maksimale të subvencionit të qirasë për vitin 2026.

Kjo nismë synon të mbështesë familjet në nevojë për strehim, të cilat nuk mund të përballojnë pagesën e qirasë në tregun e lirë, si dhe shtresat vulnerabël që përfitojnë nga skema e bonusit të qirasë.

Gjatë diskutimit, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u bëri thirrje të gjitha familjeve që janë në nevojë të përfitojnë nga kjo mundësi:

“U bëj thirrje të gjitha familjeve, nxitoni të aplikoni pasi  në datë 3 nëntor është dita e fundit e aplikimeve për skemën e bonusit të qirasë. 

Kjo është një nga skemat e cila u vjen në ndihmë familjeve në nevojë, grave të dhunuara, të divorcuara, atyre që janë në vështirësi ekonomike apo shtresave të ndryshme vulnerabël, por edhe familjeve që për një arsye apo tjetër u është prishur banesa e tyre pa mundësi legalizimi dhe kanë nevojë për një banesë të tyre apo një banesë private.”

Llatja nënvizoi rëndësinë e aplikimeve brenda afatit të përcaktuar, duke theksuar se qiratë do të jenë me vlerën mesatare të tregut:

“Dua t’u bëj apel të gjitha familjeve që duan të aplikojnë në këtë skemë që të aplikojnë deri në tre nëntor. Qiratë janë me vlerë mesatare të tregut. Projektvendimi për garsoniere është 10 mijë lekë në muaj, apartament 1+1 me 10 mijë lekë të vjetra, 2+1 me 12 mijë lekë dhe 15 mijë lekë të vjetra për apartamentet 3+1. Këto janë çmimet që po miratojmë sot për mbështetjen e familjeve për bonusin e qirasë.”

Në fjalën e tij, kryetari Llatja solli edhe të dhëna konkrete për ecurinë e skemës.

“Deri tani kemi 200 aplikime që po bëhen gati nga familjet që kanë aplikuar në këtë skemë. Vitin e kaluar janë miratuar 309 familje të cilat janë kualifikuar. Dokumentacioni dhe kërkesat ligjore janë të qarta. Familjet që nuk kanë mundësi të paguajnë tregun me qira janë të gjitha të lutura të aplikojnë, pasi vit pas viti janë miratuar të gjitha ato që kanë aplikuar. Janë 315 kuota të lira, ndaj i bëj thirrje që të aplikojnë.”

Buxhetimi me pjesëmarrje në Bradashesh, prioritet rikthimi i ish-Metalurgjikut në zonë ekonomike dhe recreative.

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje ka vijuar në njësinë administrative Bradashesh, aty ku ndodhet edhe gjigandi i dikurshëm industrial, ish-Metalurgjiku.

Në takimin me banorët, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shoqërua nga deputetja e zones Sara Mile, ku u diskutua për projektet e realizuara, prioritetet për vitin e ardhshëm dhe të ardhmen e zonës industriale.

Llatja theksoi se Bashkia Elbasan ka nisur një proces të gjerë diskutimesh për hartimin e masterplanit të zonës së ish-Metalurgjikut, me synimin për ta shndërruar atë në një hapësirë të kombinuar prodhimi dhe rekreative, në shërbim të banorëve të Bradasheshit dhe të gjithë Elbasanit.

“Kemi filluar një projekt të madh për ta kthyer zonën industriale të Metalurgjikut në një ambient, jo vetëm për prodhim, por edhe për rekreativitet.

Po punojmë që të zhvillojmë modelet më të mira të ekonomisë së gjelbër. Kemi bashkëpunuar ngushtë me banorët për sistemime, hapje rrugësh, rrugët e arave, si dhe për zgjidhjen e problematikave të përditshme,” tha Llatja.

Kryebashkiaku shtoi se Bashkia Elbasan po vijon me rritje të buxhetit falë performancës së mirë dhe menaxhimit efikas të të ardhurave, ndërsa theksoi se çdo projekt i propozuar nga banorët do të vlerësohet sipas prioriteteve reale të zonës.

Nga ana e saj, deputetja Sara Mile vlerësoi procesin e buxhetimit me pjesëmarrje si një tregues të qartë të demokracisë vendore, ku qytetarët përfshihen drejtpërdrejt në vendimmarrje.

“Buxhetimi me pjesëmarrje është një praktikë që ka dhënë rezultate konkrete. Bashkia e Elbasanit po tregon se dëgjon qytetarët dhe përcakton prioritetet sipas nevojave të tyre. Ndaj garantoj se nga ana e qeverisë qendrore do të mbështesim çdo projekt që ndihmon zhvillimin e zonës,” deklaroi Mile.

Takimi në Bradashesh është pjesë e turit të konsultimeve publike të Bashkisë Elbasan, për përgatitjen e buxhetit të vitit të ardhshëm, me synimin që çdo vendim të bazohet në nevojat reale të komunitetit.

NJOFTIM: Ndërhyrje në qendrën e qytetit (22–29 tetor)

Bashkia e Elbasanit po vijon punimet për përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe krijimin e kushteve më të mira për lëvizjen e këmbësorëve në qendër të qytetit.

Në kuadër të këtyre ndërhyrjeve, gjatë datave 22–29 tetor, do të realizohet zgjerimi i trotuarit në një segment të rrugës “Qemal Stafa”. Për këtë arsye, qarkullimi në këtë segment do të ngushtohet përkohësisht, për të mundësuar zhvillimin e punimeve në mënyrë të sigurt dhe efikase.

Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të Bashkisë Elbasan për të krijuar një qytet më të aksesueshëm, të gjelbër dhe miqësor për këmbësorët dhe biçikletat, në bashkëpunim me partnerët zhvillimorë gjermanë (GIZ).

Bashkia Elbasan kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për çdo shqetësim të përkohshëm që mund të krijohet gjatë punimeve dhe i falënderon ata për bashkëpunimin e vazhdueshëm në përmirësimin e hapësirave publike.

Për çdo pyetje apo shqetësim, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin 054 252 246.

Elbasani feston muajin e librit, aktivitete të larmishme në Bibliotekën “Qemal Baholli”

Në kuadër të Muajit të Librit, Biblioteka “Qemal Baholli” e Elbasanit po zhvillon një sërë aktivitetesh kulturore kushtuar librit dhe leximit, duke e kthyer këtë muaj në një festë të dijes dhe të kulturës.

Gjatë këtyre ditëve, në ambientet e bibliotekës janë organizuar takime me autorë vendas e të rinj letrarë, promovime librash, lexime publike dhe bashkëbisedime me lexues, të cilat kanë sjellë më pranë komunitetit botën e librit dhe të fjalës së shkruar.

Këto aktivitete synojnë të nxisin dashurinë për leximin dhe librin, si dhe të krijojnë një hapësirë të gjallë kulturore, ku qytetarët e çdo moshe mund të shprehen, të frymëzohen dhe të shkëmbejnë ide.

 Një ndër veprimtaritë më të fundit ishte vizita e nxënësve të shkollës “Jorgji Dilo” në Bibliotekën “Qemal Baholli”. Fëmijët u njohën nga afër me këtë institucion të rëndësishëm kulturor, që hapi dyert për herë të parë në vitin 1935 dhe që sot numëron mbi 200,000 vëllime librash dhe periodikësh, duke mbetur një nga pasuritë më të çmuara të qytetit të Elbasanit.

Në çdo aktivitet, ndjehet atmosfera e dashurisë për librin dhe vlerësimi për autorët që e pasurojnë kulturën tonë. Këto ditë plot  ide të reja tregojnë se libri mbetet udhërrëfyesi më i mirë në rrugën e dijes dhe të zhvillimit shoqëror.

Bashkia Elbasan vijon të mbështesë çdo nismë që promovon kulturën, artin dhe leximin, duke e konsideruar Bibliotekën “Qemal Baholli” një qendër të rëndësishme të jetës kulturore dhe intelektuale të qytetit.