Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 24 Tetor 2025

Forumi i OGP: Zëri yt në Buxhetimin me Pjesëmarrje

Në kuadër të nismës për qeverisje të hapur dhe përfshirëse, Forumi i OGP Elbasan, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, ka hartuar një pyetësor publik që synon të mbledhë mendimet, idetë dhe shqetësimet e qytetarëve lidhur me nevojat e komunitetit, në funksion të përgatitjes së Buxhetit me Pjesëmarrje 2026.

Ky proces i hapur është një mundësi e rëndësishme për çdo qytetar që të ndikojë drejtpërdrejt në përcaktimin e investimeve prioritare të Bashkisë, duke ndihmuar që ato të përputhen me kërkesat reale të komunitetit.

Nëpërmjet pyetësorit, qytetarët mund të shprehin mendimin e tyre për:

Prioritetet e lagjes apo njësisë administrative ku jetojnë

Projektet që dëshirojnë të realizohen

Çështjet që kërkojnë zgjidhje

Përfshirjen dhe informimin në procesin e buxhetimit publik


📌 Plotëso pyetësorin këtu:

https://docs.google.com/…/1FAIpQLSeoizpIGd0PJF…/viewform

Kjo nismë është fryt i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Bashkisë Elbasan dhe Forumit OGP, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të ndërtuar një Elbasan më transparent, më gjithëpërfshirës dhe me pjesëmarrje aktive qytetare në proceset vendimmarrëse.

Në terren për buxhetimin, Llatja e Mazniku ndajnë prioritetet me banorët.

Buxhetimi me pjesëmarrje vijoi në Rajonin Nr. 5, ku një numër i madh banorësh u mblodhën për të ndjekur nga afër diskutimin dhe për t’u bërë pjesë aktive me mendimet dhe sugjerimet e tyre për investimet publike të vitit 2026.

Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja u shoqërua në këtë takim nga Drejtuesi Politik i PS për Qarkun, z. Arbjan Mazniku, Deputetja znj. Aulona Bylykbashi, Kryetarja eKëshillit të Qarkut, znj. Ermira Urupi, si dhe Kryetari i Njësisë Administrative, z. Agron Lulaj.

Takimi u mbajt në shkollën e rikonstruktuar “Fadil Gurmani”, e kthyer sot në një nga shkollat qendrore të qytetit me kushte bashkëkohore.

Duke marrë fjalën, znj. Ermira Urupi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe përfaqësuesve politikë në shërbim të qytetarëve, duke shprehur mbështetjen për nismat e Bashkisë që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës në çdo lagje të qytetit.

Ndërsa deputetja Aulona Bylykbashi u fokusua te rezultatet konkrete të investimeve të deritanishme në Rajonin Nr. 5.

 “Pjesëmarrja juaj në buxhetim tregon që ka një besim të shtuar në këtë proces, ndaj kjo është një tregues pse pjesëmarrja juaj është në rritje.”

Kryetari i Bashkisë, z. Gledian Llatja, falënderoi qytetarët për kontributin e tyre, ndërsa solli në vëmendje investimet kryesore të realizuara në zonë. Ai u ndal pikërisht te vendndodhja e takimit.

 “Fadil Gurmani është një nga shkollat qendrore të qytetit, por nuk konsiderohej e tillë, konsiderohej si shkollë periferike. Sot një shkollë totalisht e rikonstruktuar, me staf fantastik arsimor, me terrene sportive të reja, afër universitetit dhe me standarde shumë të mira.”

 Llatja shtoi se brenda këtij viti do të nisë puna për tre shkolla të tjera të rëndësishme, shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri”, gjimnazin kryesor të qytetit dhe shkollën e Shushicës.

Ai theksoi rikonstruksionin total të Çerdhes Nr. 2, si edhe hapjen e një çerdheje të re për të mbështetur familjet e reja të zonës. Gjithashtu, Llatja përmendi Qendrën Rinore të rikonstruktuar, kërkesë e dalë nga procesi i buxhetimit me pjesëmarrje.

Në fokus të punës së Bashkisë kanë qenë edhe infrastruktura rrugore, ujësjellësi dhe kanalizimet.

Nga ana e tij, z. Arbjan Mazniku përgëzoi ekipin drejtues të Bashkisë për punën dhe u shpreh se deputetët do të kenë në mënyrë permanente një prezencë në zyrë të paktën një herë në javë që t’ju japë secilit prej qytetarëve mundësinë të diskutojnë për një problem me deputetin, ashtu siç e ka kryetari i bashkisë çdo ditë të enjte.

Mazniku u ndal tek përmirësimi i dukshëm i qytetit, duke vlerësuar se “ Elbasani sot është shumë herë më i mirë se para tre vitesh, shumë herë më i mirë se para dhjetë vitesh dhe është e sigurt që pas një viti do të jetë një qytet më i mirë se është sot”.

Mazniku shtoi: “kemi një seri punësh të tjera të rëndësishme të cilat janë duke u bërë me mbështetjen e qeverisë”, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit në të gjitha nivelet për të adresuar nevojat dhe pritshmëritë e qytetarëve.

Në përmbyllje të takimit, banorët e Rajonit Nr. 5 vlerësuan investimet e realizuara gjatë vitit të fundit dhe vijuan me votimin e prioriteteve të reja, të cilat do të kthehen në investime të prekshme gjatë vitit 2026.

Vijon Buxhetimi me Pjesëmarrje në Funar, investime të reja për zhvillimin turistik të zonës.

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje ka vijuar në Njësinë Administrative Funar, një nga zonat me potencialin më të madh turistik dhe natyror të Bashkisë Elbasan.

Në takimin me banorët mori pjesë Nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, i cili vlerësoi kontributin e komunitetit dhe evidentoi investimet e rëndësishme që janë realizuar gjatë këtij viti në këtë zonë.

Gjatë diskutimit, u theksua se Funari tashmë është përfshirë në “Paketën e Maleve”, si një nga zonat që do të përfitojnë projekte të dedikuara për zhvillimin e infrastrukturës rurale dhe turizmit të qëndrueshëm.

Investimet e kryera dhe ato që pritet të nisin së shpejti, po i japin zonës një dinamikë të re zhvillimi, duke e kthyer në një qendër të rëndësishme për turizmin natyror dhe aventuror.

Sula bëri me dije se në muajin nëntor do të nisë edhe një projekt i ri në bashkëpunim me një organizatë në Elbasan dhe Bashkinë Elbasan, që ka të bëjë me ndërtimin e një Parku Aventurash modern, që do të sjellë zhvillim të zonës dhe një atraksion të ri turistik për Funarin.

Gjatë kësaj periudhe, në Funar janë realizuar ndërhyrje të rëndësishme në mirëmbajtjen e rrugëve rurale, pastrimin e kanaleve kulluese dhe sistemimin e rezervuarëve në Mollagjesh e Cërujë, si dhe rehabilitimi i aksit Letan–Funar, që ka lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e banorëve dhe vizitorëve.

Në kuadër të strategjisë për zhvillimin e turizmit malor, në Funar tashmë janë hapur bujtinat e para, si “Bujtina Agim”, që ofrojnë mikpritje dhe akomodim për turistë vendas dhe të huaj.

Zonës i janë shtuar gjithashtu aktivitete të reja turistike dhe sportive, që po e kthejnë Funarin në një destinacion të preferuar për pushime dhe aventurë.

Peizazhi i veçantë i zonës, me katër liqene të shpërndarë përreth fshatit, ofron mundësi për aktivitete si kajak dhe kanoe, ndërsa projekti në zhvillim “Funari Adventure Park” do të përfshijë një pistë parashutizmi, mbi 75 km shtigje malore dhe një qendër informimi për vizitorët, duke krijuar kushte për turizëm aktiv gjatë gjithë vitit.

Në kuadër të Buxhetimit me Pjesëmarrje, banorët parashtruan edhe propozime për projekte të tjera që lidhen me turizmin, bujqësinë dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, duke u bërë pjesë aktive e procesit të vendimmarrjes për zhvillimin e komunitetit të tyre.

Bashkia Elbasan vijon të mbetet e angazhuar në mbështetjen e zonave rurale me potencial turistik, duke e kthyer Funarin në një zonë me zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.