Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 25 Tetor 2025

Zhvillim dhe bashkëpunim në Labinot Mal. Bashkia Elbasan prezanton investimet nisur nga sugjerimet e banorëve.

Në kuadër të procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje, Bashkia Elbasan zhvilloi një takim me banorët e Njësisë Administrative Labinot Mal, me qëllim përfshirjen e tyre në identifikimin e nevojave dhe prioriteteve të zhvillimit për vitin e ardhshëm. Në këtë takim mori pjesë deputetja Sara Mile si edhe Nënkryetari i Bashkisë Elbasan,  z. Asim Sula, i cili theksoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me komunitetin për të ndërtuar projekte që pasqyrojnë vërtet nevojat e qytetarëve.

Gjatë takimit u prezantuan edhe investimet e rëndësishme që Bashkia Elbasan ka realizuar në territorin e Labinotit Mal dhe fshatrave përbërëse, si devijimi dhe hapja e rrugës së njohur si “Balta” në fshatin Gur i Zi, betonizimi dhe sistemimi i rrugëve në Sericë, si dhe pastrimi i rrugëve lidhëse nga qendrat e njësive administrative në fshatrat Shmil, Dritas dhe Qafë etj.

Këto ndërhyrje përfaqësojnë angazhimin e vazhdueshëm të Bashkisë Elbasan për zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në zonat rurale, duke forcuar lidhjen ndërmjet komuniteteve dhe duke mbështetur potencialet e tyre ekonomike.

Labinoti Mal njihet për traditën e bujqësisë, kultivimin e gështenjave e arrave, si dhe për mbarështimin e bletëve dhe prodhimin e mjaltit cilësor, ç’ka e bën këtë njësi të pasur në burime natyrore dhe me potencial për zhvillim të qëndrueshëm.

Në përmbyllje, Nënkryetari Asim Sula nënvizoi se “zëri i qytetarëve është themeli i çdo vendimmarrjeje të drejtë”, duke shtuar se Bashkia Elbasan do të vijojë të investojë në Labinot Mal dhe në çdo njësi tjetër me fokus në infrastrukturë, bujqësi dhe mjedis, për një zhvillim të qëndrueshëm dhe jetë më të mirë për banorët.

Në fund të takimit, banorët e Labinot Malit votuan për prioritetet kryesore të investimeve, të cilat do të shqyrtohen nga Bashkia Elbasan për t’u përfshirë në buxhetin e vitit 2026, duke vijuar kështu traditën e transparencës dhe përfshirjes qytetare në vendimmarrje.

“Pinoku im, djali perfekt” sjell magjinë e teatrit për fëmijë në Elbasan

Teatri i Kukullave në Elbasan, një prej projekteve të realizuara falë kërkesave të Këshillit Rinor dhe komunitetit të prindërve gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, po vijon të kthehet në një hapësirë kulturore e të dashur për fëmijët e qytetit.

Që me publikimin e afishes së shfaqjes në Teatrin “Skampa”, vogëlushët e kanë pritur me padurim “Pinoku im, djali perfekt”. Interesi i madh u dëshmua edhe me mbushjen e sallës së Teatrit të Kukullave nga fëmijët dhe familjet e tyre, të cilët u zhytën në botën e aventurave të Pinokut.

Xhoni Abazi shkëlqeu në rolin e Pinokut, duke sjellë një interpretim plot emocione e humor dhe duke përcjellë mesazhe të bukura edukative për publikun e vogël. Shfaqja mban regjinë e Hysen Mullajonuzit dhe u mirëprit me duartrokitje e buzëqeshje nga të gjithë të pranishmit.

Prindërit shprehën kënaqësinë e tyre për një hapësirë të tillë të dedikuar fëmijëve, ndërsa të vegjlit nuk e fshehën gëzimin.

“Ishte shumë bukur! Dua ta shoh përsëri Pinokun!” , u shpreh një nga vogëlushët pas shfaqjes.
“Kemi pasur nevojë për aktivitete të tilla. Fëmijët tanë e meritojnë këtë lloj argëtimi,”, tha një prind i pranishëm.

Për shkak të kërkesës së madhe, shfaqja do të rivihet sërish në ditët në vijim, për t’i dhënë mundësinë edhe më shumë fëmijëve të shijojnë këtë eksperiencë të veçantë teatrore.

Me të tilla aktivitete, Elbasani po u ofron fëmijëve më shumë hapësira arti, loje dhe imagjinate, aty ku gjithçka është e mundur!