Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 26 Tetor 2025

Buxhetimi me pjesëmarrje: Të rinjtë janë motori i transformimit të qytetit.

Buxhetimi me pjesëmarrje vijoi me zërin e të rinjve të Elbasanit, në një takim ku Këshilli Rinor, aktivistë dhe nxënës të gjimnazeve sollën idetë dhe prioritetet e tyre, të cilat u dëgjuan me vëmendje nga kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja. Ai ishte i shoqëruar nga nënkryetarja Klaudja Krasnika, drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Lico, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

Drejtoresha e ZVA-së, znj. Vesa Llanaj Lico, u shpreh se ndihej jashtëzakonisht e lumtur që salla ishte mbushur plot me të rinj që sollën ide të reja, të cilat do të përkthehen në investime konkrete për ta. Ajo nënvizoi se brezi i ri është në qendër të vëmendjes së bashkisë dhe se institucionet arsimore janë gjithnjë në dispozicion të tyre për të dëgjuar dhe për t’i mbështetur në çdo hap të angazhimit qytetar.

Në një fjalë të gjatë dhe të detajuar, Llatja foli për projektet që lidhen drejtpërdrejt me rininë, duke nisur me terrenet sportive të ndërtuara pranë shkollës pedagogjike dhe gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi”. Ai bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë rikonstruksioni total i shkollës “Dhaskal Todri”, ndërhyrje e munguar për dekada dhe një nga kërkesat kryesore të komunitetit arsimor. Të rinjtë e pranishëm përgëzuan këtë investim, duke e cilësuar si një hap të domosdoshëm për përmirësimin e kushteve të të mësuarit.

“Para disa vitesh ne Këshillin Rinor kishte vetëm dhjetë të rinj, ndërsa sot jemi përpara këtij këshilli rinor me klube rinore”, tha Llatja

Duke u ndalur tek terrenet sportive, ai theksoi gjithashtu gjimnazin “Vasil Kamami”, ku tashmë funksionojnë terrene sportive ku stërviten të rinjtë. Ai bëri të ditur se brenda dy viteve të ardhshme do të kryhet rikonstruksioni i plotë i gjimnazit, me synimin për ta kthyer atë në një hapësirë moderne, e përshtatur për nxënësit dhe komunitetin, duke ruajtur dhe zhvilluar aktivitetet sportive. Po ashtu, edhe gjimnazi “Ahmet Dakli” përfshihet në planin afatshkurtër të investimeve, të cilat synojnë të përmirësojnë kushtet e mësimit dhe aktivitetit jashtëshkollor.

Ai foli për të gjitha investimet në infrastrukturën shkollore, duke njoftuar se brenda këtij viti nis rikonstruksioni i shkollave “Naim Frashëri”, “Dhaskal Todri” dhe shkolla e Shushicës, ndërsa vitin e ardhshëm fillon zbatimi i projektit për ndarjen e diferencuar të mbetjeve në 50 shkolla të qytetit, me shtrirje më pas edhe në zonat rurale. Llatja nënvizoi mbështetjen e rinisë për këtë iniciativë, me qëllim që qyteti të bëhet më i gjelbër dhe të reduktohen kostot e pastrimit.

Ai foli gjithashtu për transportin publik, duke njoftuar se shumë shpejt të gjithë autobusët e linjave urbane do të pajisen me GPS, ndërkohë që stacionet janë pajisur me stola inteligjentë fotovoltaikë, të cilët ofrojnë internet falas 5G dhe karikues për pajisjet celulare. Në këtë mënyrë, shërbimi për qytetarët modernizohet dhe bëhet më i përshtatshëm për të rinjtë.

Gjatë takimit, Llatja ndaloi edhe te aktivitetet sociale të ndërmarra nga Këshilli Rinor, nga siguria e fëmijëve në shkolla te ndihma për të moshuarit, duke vlerësuar angazhimin e tyre dhe duke i cilësuar ata si motor i transformimit qytetar. Ai theksoi se aktiviteti i buxhetimit me pjesëmarrje ka qenë shumë produktiv, duke shtuar se shumë nga kërkesat e të rinjve tashmë janë kthyer në investime reale, përtej asaj që ata vetë kishin kërkuar si prioritet.

Në përfundim, të rinjtë votuan prioritetet e tyre për vitin 2026, ndërsa kryetari mbajti shënim çdo propozim të paraqitur. Ai garantoi se zëri i tyre do të pasqyrohet në buxhetin e vitit të ardhshëm, duke u siguruar që çdo ide të kthehet në investim konkret dhe të ketë ndikim të prekshëm në jetën e qytetit.

Buxhetimi me Pjesëmarrje në Njësinë Administrative Labinot-Fushë

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje ka vijuar sot në Njësinë Administrative Labinot-Fushë, ku banorët u njohën me investimet e realizuara gjatë vitit të fundit, si edhe me prioritetet që do të pasqyrohen në planin e investimeve për vitin 2026.

Në këtë takim mori pjesë deputetja Sara Mile si dhe nënkryetari i Bashkisë Elbasan, z. Asim Sula, i cili së bashku me administratorin e njësisë prezantuan projektet e kryera duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme ndaj zonave rurale.

Gjatë vitit të fundit, Bashkia Elbasan ka investuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe shërbimeve komunitare në të gjithë territorin e njësisë, duke përfshirë, asfaltim i rrugës së lagjes së spitalit, asfaltim i rrugëve të brendshme në lagjet Isak, Bucajvër dhe Shkëmbit. Sistemim dhe pastrim sistematik i kanaleve ujitëse. Sistemim i ujërave të zeza në përroin e Larit dhe zonën e pompave Mëngel.

Rikonstruksion i qendrës shëndetësore Labinot-Fushë, vendosje ndriçimi publik në lagje, pastrim i gurrës së ujit, rehabilitim dhe asfaltim i rrugëve Krastë–Ura e Lizës dhe Behxhet Hyti–Mëngel, dhe rehabilitim i kanalit ujitës në Mëngel.

Në fshatin Godolesh janë realizuar ndërhyrje për rehabilitimin e rrjetit të ujit të pijshëm, shtrimin me çakull të rrugës Shegunë, vendosjen e ndriçuesve publikë në rrugët kryesore si edhe vendosjen e koshave të mbeturinave.

Nënkryetari i Bashkisë Elbasan, z. Asim Sula, u shpreh se , “Bashkia Elbasan është e angazhuar të sjellë investime të prekshme në çdo lagje e fshat. Rritja e cilësisë së jetesës së qytetarëve është prioriteti ynë kryesor dhe buxhetimi me pjesëmarrje garanton që zëri i banorëve të jetë gjithmonë vendimtar në planifikimin e projekteve të reja.”

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje vijon, me synimin për të ndërtuar një zhvillim të balancuar dhe për të forcuar bashkëpunimin mes Bashkisë dhe komuniteteve lokale.