Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 28 Tetor 2025

Buxhetimi me Pjesëmarrje në Shirgjan, investimet dhe zhvillimi i zonës në fokus.

Në Njësinë Administrative Shirgjan u zhvillua takimi i radhës i “Buxhetimit me pjesëmarrje” si forma më demokratike dhe më e suksesshme e bashkëqeverisjes.

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja u prit nga Kryetari i Njësisë Ibrahim Roçi, përfaqësues të njësisë dhe banorë të shumtë, për të diskutuar projektet dhe investimet që do të përfshihen në buxhetin e vitit 2026.

Llatja nënvizoi se unaza bujqësore ka lehtësuar tregun, duke përmirësuar qarkullimin e produkteve bujqësore, si edhe punimeve sistematike për hapjen dhe pastrimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse.

Ai theksoi se këto investime kanë ndihmuar jo vetëm për tregtimin e produkteve, por edhe për rritjen e prodhimit bujqësor në fushën e Elbasanit.

“Problemet kanë qenë të shumta, nga 10 hektarë sera që kemi pasur në fushën e Elbasanit, kryesisht në Bujqës dhe Jagodinë, tashmë kemi mbi 120 hektarë sera për bujqësi, me një prodhim bujqësor të shtuar në fushën e Elbasanit,” tha Llatja.

Ai shtoi se, “nëse më parë flisje për tokat si do i vinim në punë dhe si do t’i vadisnim, sot flitet për problemet që kemi me bujqësinë, duke filluar që nga tregu, pikat e grumbullimit, duke vazhduar me kodrat, me ullishtat, me vajin e ullirit.”

Ne jemi përpjekur t’ju qëndrojmë gjithnjë pranë, thkesoi kryebashkiaku, duke pohuar se “përveç problemeve, ka pasur edhe një rritje konstante të ekonomisë në të gjithë fushën e Elbasanit, dhe kjo kryesisht e ardhur nga bujqësia.

Një sërë investimesh kemi bërë gjatë këtyre viteve dhe shumë investime të tjera që pritet t’i bëjmë.

Qëllimi ynë nuk është të rregullojmë vetëm pjesën e infrastrukturës, por kemi edhe projekte zhvillimore të Elbasanit. Shumë nga problematikat që janë zgjidhur, janë zgjidhur nga buxhetimi me pjesëmarrje, nga kërkesat që ju keni bërë.

Ajo që kam vënë re është që në çdo njësi administrative, nëse kemi vënë prioritet për tre apo katër investime, kemi arritur që gjatë të gjithë kohës të bëjmë më shumë.”

Në përmbyllje, banorët e Shirgjanit votuan për prioritetet që do të përfshihen në buxhetin e vitit 2026 dhe shprehën falënderimet e tyre për investimet e realizuara gjatë vitit në zonën e tyre.

Buxhetimi me pjesëmarrje: Investime të reja për sportin dhe të rinjtë e Elbasani.

Buxhetimi me pjesëmarrje ka sjellë edhe këtë vit një fokus të veçantë mbi sportin, ku kryebashkiaku Gledian Llatja zhvilloi një takim të gjatë me trajnerë, sportistë dhe përfaqësues të 15 klubeve të qytetit. Në prani të sportistëve dhe trajnerëve, Llatja foli për arritjet e këtij viti dhe për nevojën për përmirësim të vazhdueshëm në çdo aspekt të aktivitetit sportiv.

Ai theksoi se kërkesat e trajnerëve dhe sportistëve janë mirëpritur, por puna vazhdon dhe sfidat nuk kanë përfunduar. Strategjia e klubeve, sipas tij, është e qartë, status i OJF-ve, masiviteti sportiv dhe krijimi i ekipeve zinxhir që garantojnë pjesëmarrje dhe zhvillim të të rinjve.

“Janë realizuar shumë aktivitete brenda 15 klubeve, ku janë arritur rezultate pozitive dhe janë shpallur kampione në disa disiplina,” tha ai. Ai shtoi se kushtet për sportistët janë përmirësuar ndjeshëm, duke përfshirë buxhetin për trajtime ushqimore, bazë materiale dhe nevoja të tjera, ndërkohë që përparime janë bërë edhe në anën shëndetësore.

Objektivat për këtë vit, sipas kryebashkiakut, përfshijnë realizimin e aktiviteteve lokale, përgatitjen për aktivitetet ndërkombëtare në volejboll, ping-pong, boks dhe karate, si dhe organizimin e edicionit të katërt të “Dekorimit të Figurave”, një aktivitet që promovon talentet e rinj.

Llatja theksoi se “ bashkia ka bërë punë të mira për sportet, por nevojat janë gjithmonë të mëdha”.

Ai falenderoi trajnerët për kontributin dhe angazhimin e tyre dhe theksoi se mbështetja për sportin nuk do të mungojë kurrë.

Ndersa u ndal tek investimet ai e vuri thkesin tek investimet e fundit tw cilat kanë përfshirë shtimin e palestrave dhe terreneve sportive në shkollat “Kostandin Kristoforidhi”, “Onufri”, “Jorgji Dilo”, rikonstruksione të palestrave ekzistuese dhe terreneve në shkollat “Luigj Gurakuqi”, ndërsa do të ndërtohet një terren i ri sportiv në lagjen Partizani. Po ashtu, investime po kryhen në terrenet e “Dhaskal Todri”, “Naim Frashëri” dhe do të krijohet një ambient i mbyllur sportiv për shkollën “Qamil Guranjaku”.

Kryebashkiaku foli edhe për kërkesat konkrete të klubeve.

“Në basketboll, pjesa më e madhe e kërkesave lidhet me financimin e dëmtimeve të lojtarëve dhe sigurinë e sportistëve të huaj, përfshirë nevojat për fjetje dhe ushqim. Në atletikë, ekipi po stërvitet në stadium pas një periudhe njëvjeçare dhe gjysmë, por ka vështirësi për sportistët që merren me shtizë dhe për stërvitjen në palestër një herë në javë.

Në ping-pong, sfida kryesore mbetet punësimi i trajnerëve dhe mbulimi i ekipeve për transport, pasi janë shumë ekipe dhe nuk mbulohen lehtësisht. Për sportistët elitë dhe të kombëtares, do të ketë një vlerësim të veçantë financiar për të siguruar kushtet optimale” nënvizoi Llatja.

Në fund, kryebashkiaku theksoi se sportet do të mbështeten gjithmonë, por ato duhet të japin rezultat.

“Nuk do të mbajmë më sporte nëse nuk ka rezultate dhe nëse nuk plotësohen pritshmëritë. Modeli që kemi krijuar me organizatat OJF do të mundësojë edhe financim nga bizneset, përmes ligjit të sponsorizimeve që pritet të miratohet. Mbështetja nuk do të mungojë, por sportet duhet të sjellin rezultat,” u shpreh ai.

Ai gjithashtu bëri të ditur se për shumë disiplina po ndërtohen terrene sportive të reja në një investim prej 1.7 milionë eurosh, në një sipërfaqe prej 22 mijë metrash katrorë, në kuadër të projektit “Parku Dua të Luaj”.

Takimi tregoi qartë se puna e klubeve dhe e bashkisë ka sjellë rezultate të prekshme, por sfidat dhe kërkesat për përmirësime do të mbeten pjesë e strategjisë për vitet e ardhshme, duke u siguruar që sportistët e rinj të kenë hapësira, infrastrukturë dhe mbështetje për të zhvilluar talentin e tyre.

Buxhetimi me Pjesëmarrje në Njësinë Administrative Gracen/ Projekte konkrete në fshatra.

Në kuadër të procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, Nënkryetari i Bashkisë Elbasan, z. Asim Sula, zhvilloi një takim me banorët e Njësisë Administrative Gracen, i shoqëruar nga deputetja e zonës, znj. Sara Mila, dhe administratori i njësisë, z. Detin Haka.

Gjatë takimit u diskutuan problematikat kryesore që prekin komunitetin e zonës, si infrastruktura rrugore, ndriçimi publik, uji i pijshëm dhe nevojat arsimore.

Ndër prioritetet për vitin 2026 u evidentuan rindërtimi i shkollës 9-vjeçare në fshatin Gjonmë dhe rikonstruksioni i rrugëve të brendshme në fshatin Dopaj.

Nënkryetari i Bashkisë, z. Asim Sula, theksoi rëndësinë e dëgjimit të komunitetit për të përcaktuar prioritetet në mënyrë demokratike dhe bashkarisht.

“Jemi sot këtu për t’ju dëgjuar dhe për të nxjerrë së bashku prioritetet. Vetëm përmes bashkëpunimit mund të bëjmë punët tona më mirë dhe të adresojmë nevojat e çdo fshati.”

Në fjalën e saj, deputetja Sara Mila u shpreh se bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe atij qendror është thelbësor për zhvillimin e zonës.

“Ka ende shumë punë për t’u bërë në infrastrukturë dhe furnizimin me ujë, por kemi mundësinë të ecim përpara. Qasja jonë drejt Bashkimit Europian kërkon një standard më të lartë jetese për qytetarët, dhe kjo është një sfidë që do ta kalojmë së bashku.”

Takimi në Gracen u zhvillua në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit, duke vënë në qendër nevojat e komunitetit dhe angazhimin e Bashkisë Elbasan për të ndërtuar një zhvillim të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës për çdo njësi administrative.