Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 30 Tetor 2025

Tetori Rozë dhe Tetori i Librit bashkojnë mesazhe frymëzuese në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën e ZVA Elbasan, Vesa Liço, morën pjesë në aktivitetin e zhvilluar në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”, në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Në këtë aktivitet, nxënësit sollën interpretime artistike, recitime dhe mesazhe sensibilizuese, duke përcjellë ndjenja të forta empatie dhe solidariteti.

Kryetari Llatja përgëzoi mësuesit, nxënësit dhe prindërit për angazhimin e tyre, si dhe për historitë personale dhe shembujt frymëzues të forcës e kurajos që u ndanë me pjesëmarrësit.

“Një aktivitet vërtet domethënës, që na kujton se sa e rëndësishme është të flasim për këto tema me dashuri, mirëkuptim dhe mbështetje ndaj njëri-tjetrit,” u shpreh Llatja.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe domethënëse, Tetori Rozë u bashkua bukur me Tetorin e Librit, duke sjellë një mesazh të përbashkët për dashurinë ndaj jetës, fuqinë e shpirtit dhe rëndësinë e kujdesit për shëndetin.

Të rinjtë bëhen shembull për riciklimin. Nis projekti “Youth4CleanAir” në gjashtë shkolla të qytetit

“Kur hedhim mbeturinat në koshin e duhur, nuk po pastrojmë vetëm shkollën tonë, por po kujdesemi për të ardhmen.”

Kështu shprehen nxënësit aktivistë të gjimnazeve të Elbasanit, të cilët u bënë pjesë e vendosjes së koshave për ndarjen e mbetjeve në burim, një nismë që po merr jetë në kuadër të projektit #Youth4CleanAir, në bashkëpunim mes Bashkisë së Elbasanit dhe Ambasadës Suedeze.

Në gjashtë shkolla të mesme të qytetit janë vendosur koshat për plastikën, metalin dhe letrën, një hap i parë drejt krijimit të një kulture të re mjedisore në mesin e të rinjve. Qëllimi është i qartë, të mësohet që në bankat e shkollës se mbetjet nuk janë thjesht hedhje, por përgjegjësi.

Në takimin me nxënësit, Kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh se ky është vetëm fillimi i një ndryshimi që duhet të nisë nga brezi i ri:

 “Qëllimi i këtij akti është që të gjithë të rinjtë në gjimnaze të ndërgjegjësohen dhe të mësojnë të hedhin mbetjet në koshat e duhur, për një të ardhme më të shëndetshme. Falënderoj iniciatorët e këtij procesi, por edhe të gjithë të rinjtë që e mbështesin këtë nismë.

Bashkia e Elbasanit do t’ju vijë në ndihmë me të gjitha materialet që ju kërkoni, dhe jam i bindur se edhe bizneset e qytetit do të jenë pjesë e këtij procesi që kemi nisur së bashku.

Është shumë e rëndësishme që vetë shkollat dhe të rinjtë të bëjnë ndarjen e mbetjeve, që të bëhemi burim i riciklimit. Shkollat janë vendi më i mirë për ta nisur këtë ndryshim.

Këtë vit po e fillojmë në gjashtë shkolla, ndërsa në janar do ta zgjerojmë në të gjitha shkollat e Elbasanit. Ky projekt duhet të na bashkojë të gjithëve për të ndërtuar një shoqëri më të ndërgjegjshme dhe një mjedis më të pastër,” tha Llatja.

Me mbështetjen e Ambasadës Suedeze dhe përfshirjen e vetë nxënësve, Bashkia e Elbasanit po e shndërron këtë projekt në një platformë edukimi praktik, ku çdo kosh i vendosur në shkollë bëhet simbol i përgjegjësisë qytetare.

Bashkia Elbasan në “Marshim për Jetën”,  më 31 tetor për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit

Në përmbyllje të aktiviteteve në kuadër të “Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit, Bashkia Elbasan organizon “Marshim për Jetën”. 

Ky marshim ka qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kujdesit shëndetësor për gratë.

Aktiviteti synon solidarizimin me ato gra e vajza që sot luftojnë për jetën dhe përçimin e mesazheve rë shpresës, forcës dhe kurajos.

📅 Data:31 Tetor 2025

🕛 Ora:12:00

📍 Nisja:Nga Teatri “Skampa”

📍 Destinacioni:Sheshi “Gensher”

Me moton *“Gratë për Gratë”*, ftojmë të gjithë qytetarët të marrin pjesë në këtë nismë që mbart mesazhin e jetës, forcës dhe shpresës.

Ky Aktivitet zhvillohet nga: Bashkia Elbasan në bashkëpunim me

Këshillin e Qarkut Elbasan,

Zyrën Arsimore Elbasan

Operatorin e Kujdesit Shëndetësor

Zyrën e Punës Elbasan, Shërbimi Social si dhe me mbështetjen e partnerëve dhe organizatave: World Vision, AKPA, OSH KSH, Forumi i Gruas Elbasan,Yjet e Ardhmërisë dhe aktorë të tjerë lokalë.

Bashkia e Elbasanit dhuron 108 botime për bibliotekat shkollore. Llatja/ “Pasuria e dijes nis nga libri”

Në kuadër të muajit tetor, i njohur si muaji i librit, Biblioteka e Qytetit të Elbasanit ka zhvilluar një sërë aktivitetesh kulturore e edukative për të nxitur dashurinë ndaj leximit. Në mbyllje të këtij muaji të veçantë, Bashkia e Elbasanit ka vendosur t’i japë një tjetër dimension nismave për librin, përmes dhurimit të 108 botimeve të reja për pasurimin e bibliotekave të shkollës “Fadil Gurmani” dhe asaj “Alush Lleshanaku” në Bradashesh.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, gjatë ceremonisë së dorëzimit të librave, theksoi se kujdesi i bashkisë nuk kufizohet vetëm te infrastruktura shkollore, por shtrihet edhe te pasurimi i jetës kulturore e arsimore të nxënësve.

“Në fokus të Bashkisë së Elbasanit nuk është vetëm infrastruktura shkollore, por padyshim edhe pasurimi i bibliotekave dhe rehabilitimi i terreneve sportive apo laboratorëve. Shkolla ‘Fadil Gurmani’ sot plotëson të gjitha kushtet e infrastrukturës dhe ka një staf të shkëlqyer pedagogjik, por të gjitha këto do të ishin të pamjaftueshme pa pasuruar edhe bibliotekën,” u shpreh Llatja.

Në një kohë kur teknologjia po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në jetën e fëmijëve, kryebashkiaku Llatja theksoi nevojën për të mbajtur të gjallë pasionin për leximin.

 “Sot, kur libri sfidohet çdo ditë nga fuqia e jashtëzakonshme e teknologjisë, detyra jonë për të rritur fëmijë të lexuar, që e duan librin, bëhet edhe më e madhe,” shtoi ai, duke nënvizuar se tetori nuk shërben thjesht për të kujtuar rëndësinë e librit, por për të forcuar përpjekjet e përvitshme për promovimin e tij.

Librat e dhuruar përfshijnë autorë të njohur të letërsisë botërore dhe shqiptare, si Heminguej, Tomas Man, Mopasan, Balzak e shumë të tjerë, duke pasuruar ndjeshëm fondin letrar të këtyre shkollave.

“Biblioteka e shkollës, ashtu si ajo e qytetit, duhet të rimarrë rëndësinë që i takon për vetë pasurinë e paçmuar që mbart. Ne besojmë se libri mbetet ura më e fortë që lidh dijen me brezat. Pasuria e dijes nis nga libri,” përfundoi Llatja.

Përmes kësaj nisme, Bashkia e Elbasanit vijon të mbështesë projektet që nxisin kulturën e leximit dhe zhvillimin e një edukimi gjithëpërfshirës, duke e vendosur librin dhe dijen në qendër të vëmendjes publike.