Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Tetor 2025

Vijon procesi i buxhetimit me pjesëmarrje në Rajonin Nr. 1

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje u ndal në Rajonin Nr. 1, ku banorët e lagjeve, pjesë e kësaj zone, patën mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt me drejtuesit e Bashkisë Elbasan për projektet aktuale, prioritetet dhe nevojat e komunitetit.

Në takim morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe Deputeti i zonës, Adi Qosja, të cilët theksuan rëndësinë e këtij procesi si një praktikë demokratike që i jep zë qytetarëve dhe ndihmon në përmirësimin e planeve të zhvillimit vendor.

Në fjalën e tij, Kryetari Gledian Llatja u ndal në projektet aktuale dhe ato në proces, duke theksuar se Rajoni 1 është zemra e Elbasanit, një zonë me shumë diversitet që po pëson një transformim të dukshëm urban.

Ai nënvizoi se projekti i automotoparkut në zonën e Emin Matraxhiut do t’i japë qytetit një dimension të ri zhvillimi urban dhe ekonomik, duke e kthyer, dikur periferinë, në një qendër të re moderne.

Ndër projektet kryesore në zbatim ose planifikim, Llatja përmendi rikonstruksionin e shkollës “Naim Frashëri” (procedurat janë mbyllur dhe punimet nisin së shpejti) si dhe ndërtimin e Çerdhes Nr. 5 në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, e cila do të hapet në muajin shkurt të vitit 2026.

Gledian Llatja theksoi se projektet për Rajonin Nr. 1 nuk janë ndalur asnjëherë, por përkundrazi janë shtuar ndjeshëm.

“Kemi shumë projekte, automotoparku i Elbasanit do të jetë një pol i fortë zhvillimi ekonomik për qytetin, bashkë me kalanë e Elbasanit, për të cilën kemi filluar punën për projektimin dhe vitin tjetër do të nisim investimet e para.

Në lagjen Kala do të vazhdojmë me sistemimet dhe asfaltimet, ndërsa më pas edhe në zonën e Krastës, ku do të ndërtojmë një ambient të ri rekreativ.

Ne po punojmë për Elbasanin, kemi një sërë projektesh, të vogla dhe të mëdha, por të gjitha këto realizohen bashkë me ju,” tha Llatja.

Deputeti Adi Qose vlerësoi Bashkinë për mënyrën e organizimit të takimeve me banorët, duke theksuar se “ky është një proces i rëndësishëm që i jep qytetarëve mundësinë të dëgjohen dhe të përcaktojnë vetë prioritetet e tyre. Ai e vuri theksin edhe tek automotoparku i cili do t’i japë qytetit një zhvillim ekonomik.

Llatja garantoi se të gjitha sugjerimet e banorëve do të përfshihen në planin e ardhshëm të investimeve dhe se procesi i buxhetimit me pjesëmarrje do të vijojë të mbetet një praktikë e qëndrueshme për zhvillimin e balancuar të qytetit.

Vijon puna për asfaltimin e rrugës “Gjergj Arianiti” në Elbasan

Punimet për ndërtimin e rrugës “Gjergj Arianiti” po ecin me ritme të shpejta, duke hyrë në fazën e asfaltimit. Ky aks i ri, me gjatësi rreth 1.5 kilometra, do të lidhë lagjen “Emin Matraxhiu” me Menglin dhe më tej me Koridorin VIII, duke krijuar një alternativë të re dhe moderne lëvizjeje për banorët e zonës.

Rruga po ndërtohet plotësisht nga e para, duke përfshirë, trotuare të reja për këmbësorët, ndriçim modern, si dhe korsi të dedikuara për biçikleta, që do të rrisin sigurinë dhe cilësinë e jetesës urbane.

Përveç përmirësimit të infrastrukturës, projekti do të sjellë një pamje të re e tërheqëse përgjatë brigjeve të lumit Shkumbin, duke e kthyer zonën në një hapësirë më të gjelbër dhe më të aksesueshme.

Në vijim, punimet do të shtrihen edhe në segmentin e rrugës “Behxhet Hyti”, nga ura e Lizës deri te ish-frigoriferi i Elbasanit, duke plotësuar kështu një nyje të rëndësishme lidhëse për qarkullimin urban dhe ndërqytetas.

Investimet në infrastrukturën e Elbasanit vazhdojnë, duke transformuar çdo ditë pamjen e qytetit dhe duke sjellë kushte më të mira jetese për komunitetin.

Banorët e Gjergjanit vendosin prioritetet e zhvillimit në kuadër të buxhetimit me pjesëmarrje

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje, një nga nismat më të rëndësishme të përfshirjes qytetare në vendimmarrje, ka vijuar në njësinë administrative Gjergjan, ku pjesëmarrja masive e banorëve tregoi për përgjegjësinë dhe besimin e tyre ndaj këtij procesi.

Në takim morën pjesë kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, deputetja Evis Kushi, si dhe kryetari i Njësisë Administrative Gjergjan, të cilët bashkëbiseduan me banorët për problematikat e zonës dhe vendosën së bashku prioritetet për investimet e ardhshme.

Kryetari i njësisë bëri një përmbledhje të punëve të realizuara gjatë vitit, mes të cilave u përmendën, asfaltimi i rrugës Muriqan – Gjergjan, me gjatësi rreth 1.5 km, ndërtimi i policëve të shtrirë dhe ndërhyrje në infrastrukturën rrugore në fshatin Thanë, sistemime dhe asfaltime në fshatin Gjergjan, punime për rrugën Kodër Bujaras – Bujaras, në bashkëpunim me ndërmarrjen ASHP, etj.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Gledian Llatja prezantoi projektet që po realizohen dhe planifikimet e reja për përmirësimin e infrastrukturës rurale.
“Jemi duke investuar në shtrimin e rrugëve në disa fshatra dhe lagje të brendshme, përfshirë Bujaras dhe Kodër Bujaras, një premtim i kahershëm tashmë i mbajtur,” tha ai.

Llatja shtoi se tashmë Bashkia Elbasan ka ngritur një ndërmarrje të veçantë për zonat rurale, ASHP, dhe synon të krijojë edhe dy struktura të dedikuara për zonën poshtë dhe lart të Shkumbinit, me qëllim që shërbimet dhe mirëmbajtja e rrugëve të jenë më pranë banorëve.

Në vijim, ai u ndal edhe te çështjet e pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve, duke theksuar se “Elbasani ka tarifat më të ulëta nga të gjitha bashkitë, por do të ketë një rritje të lehtë të tyre, më e ndjeshme në qytet dhe më e moderuar në zonat rurale”.
Gjithashtu, Llatja përmendi se është në zhvillim një fazë e re investimesh në rrjetin e energjisë elektrike, në bashkëpunim me ABC Energji.

Deputetja Evis Kushi vlerësoi angazhimin e Bashkisë Elbasan dhe theksoi se “bashkëpunimi i të gjithëve është i domosdoshëm për të ecur përpara dhe për të sjellë më shumë punë të mira në këtë zonë.” Ajo nënvizoi se kryetari Llatja e ka gjithmonë në vëmendje zhvillimin e zonave rurale si Gjergjani.

Ky takim në Gjergjan është pjesë e turit të gjerë të takimeve të Bashkisë Elbasan në kuadër të procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, përmes të cilit banorët kanë mundësinë të shprehin nevojat e tyre dhe të vendosin së bashku prioritetet për zhvillimin e komunitetit.

Teatri “Skampa” hap edicionin e 10-të të Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve

Mbrëmja e djeshme në Teatrin “Skampa” të Elbasanit solli një udhëtim magjik përmes tingujve të muzikës së harqeve, duke hapur zyrtarisht edicionin e 10-të të Takimit Kombëtar të Orkestrave të Harqeve.

Ky aktivitet tradicional, që prej vitesh ka zënë një vend të veçantë në jetën artistike të vendit, promovon artin, kulturën dhe bashkëpunimin mes talenteve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe rajonit.

Në këtë edicion morën pjesë orkestrat dhe ansamblet nga Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Berati dhe Ulqini, të cilat sollën një mbrëmje të mbushur me emocione, profesionalizëm dhe dashuri për muzikën.

Publiku elbasanas përjetoi një atmosferë të ngrohtë, ku muzika bashkoi breza, pasione dhe ndjenja të përbashkëta artistike.

Festivali organizohet nën drejtimin e Blerim Narazanit (Mjeshtër i Madh) si Drejtor i Festivalit, dhe Kliton Kapaj si Drejtor Organizativ.

Edhe këtë herë, Elbasani shkëlqeu si një qendër e artit dhe kulturës, duke dëshmuar se muzika mbetet një gjuhë universale që frymëzon dhe bashkon.

Buxhetimi me pjesëmarrje në Gjinar/ Llatja prezanton projekte të reja për zonën e Shpatit.

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje ka nisur këtë vit nga zona turistike e Gjinarit, aty ku janë kryer një sërë investimesh të dukshme, jo vetëm për zhvillimin turistik, por mbi të gjitha për rritjen e cilësisë së jetesës për banorët e zonës. 

E njohur si një nga perlat e turizmit në Elbasan, Gjinari është parë si përparësi gjatë këtij viti si nga investimet e qeverisë shqiptare ashtu edhe nga vetë Bashkia Elbasan.


Shumë të pranishëm kanë marrë pjesë në këtë takim të Buxhetimit me Pjesëmarrje, ku kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka qenë i shoqëruar nga deputetja e zonës së Shpatit, Evis Kushi, kryetari i Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, si edhe ai i njësisë administrative të Gjinarit.


Në fjalën e tij, kryebashkiaku Gledian Llatja theksoi rëndësinë që ka zona e Shpatit për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Elbasanit:


“Ne jemi mbledhur këtu për të diskutuar dhe për të marrë vendime për të ardhmen. 

Zona e Shpatit meriton shumë sepse është një zonë me traditë, me kulturë, një zonë e cila ka një potencial ekonomik, por edhe njerëzor. 

Kërkesa kryesore dikur këtu në Gjinar ishte qendra, sheshi kryesor ku edhe jemi sot, pasi i jep potencial të gjithë zones, jo vetëm Gjinarit, por edhe Lleshanit, Shelcanit, fshatrave të tjerë dhe Bukanikut, që është një nga malet tona më të bukura dhe krenaria e zonës sonë të Elbasanit.”


Llatja shtoi se investimet në Gjinar kanë qenë të shumta dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e zonës:


“Kemi bërë shumë investime në Gjinar, sistemime rrugësh, lidhje të energjisë elektrike, ujësjellësin, si edhe sheshin që ka qenë një investim i madh. 

Ne kemi investuar në Gjinar sepse duam ta bëjmë atë një destinacion turistik dhe të krenohemi të gjithë me bukurinë, traditën, kulinarinë dhe mikpritjen që e karakterizon,”, u shpreh Llatja.


Ai nënvizoi gjithashtu se përveç investimeve të realizuara, Bashkia Elbasan po punon për projekte të reja që do të lehtësojnë qarkullimin dhe do të shtojnë mundësitë për zhvillim turistik.


“Do të vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë. Kemi projekte për Gjinarin, po ecim drejt konkretizimit të një rruge të re nga Shushica për të ardhur në Lleshan nga pjesa e mbrapme, një projekt që kërkon investim, por që do të bëjë një rrugë më të shkurtër dhe do t’i japë Gjinarit një potencial të ri, pa lënë pas dore rrugën e vjetër dhe kërkesën tonë të vazhdueshme për mirëmbajtjen e saj,”, theksoi Llatja.


Deputetja Evis Kushi vuri theksin tek investimet e kryera dhe tek interesi në rritje që ka treguar vetë kryetari i bashkisë për këtë zone.


“Zona e Gjinarit ka pasur një vëmendje të veçantë nga Bashkia Elbasan dhe nga kryetari Llatja personalisht. Por ne do të vazhdojmë të bëjmë akoma edhe më shumë për ju.

Buxhetimi me pjesëmarrje është një mundësi shumë e mirë që jo vetëm banorët të japin mendimet e tyre, por të jenë edhe pjesë e vendimmarrjes për investimet në zonën e tyre,”, u shpreh Kushi.


Gjatë këtij viti, paketa e maleve ka përfshirë edhe Gjinarin, si një zonë me potencial të madh turistik, ku janë kryer një sërë investimesh si hapja e muzeut, info point-it, etj. Kjo paketë ka si qëllim zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.


Në përfundim të takimit, banorët shprehën kërkesat e tyre dhe u votua për prioritetet e investimeve, të cilat do të kalojnë më pas në buxhetin e vitit 2026, ku zërat e tyre dhe këto prioritete do të vihen në zbatim nga Bashkia Elbasan.

Përmirësimi i Transportit Publik në Elbasan/Bashkia dhe GIZ zgjeron bashkëpunimin

Në Bashkinë e Elbasanit u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të Bashkisë dhe GIZ Albania, në kuadër të bashkëpunimit për përmirësimin e sistemit të transportit publik në qytet.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e këtij partneriteti, duke u shprehur se,“bashkëpunimi me GIZ Albania është një mundësi e jashtëzakonshme për të përshpejtuar transformimin e Elbasanit në një qytet më të mençur, më të gjelbër dhe më të aksesueshëm për të gjithë qytetarët. Transporti publik është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin urban të qëndrueshëm dhe jemi të përkushtuar të ofrojmë shërbime sa më cilësore për komunitetin.”

Ky projekt i përbashkët synon të bëjë transportin publik në Elbasan më efikas, të besueshëm dhe të orientuar drejt nevojave të qytetarëve.

Bashkia Elbasan dhe GIZ Albania janë të angazhuar për të zgjeruar më tej fushat e bashkëpunimit, duke përfshirë mobilitetin e gjelbër, dixhitalizimin e shërbimeve, planifikimin urban dhe menaxhimin e qëndrueshëm të qytetit.

Nisin punimet për urën e Papërr-Sollak, një premtim që po bëhet realitet për komunitetin

Në njësinë administrative Papërr, në fshatin Papërr-Sollak, kanë nisur punimet për ndërtimin e urës mbi përruan që ndan fshatin, një investim i shumëpritur nga banorët prej vitesh.

Kjo urë konsiderohet një infrastrukturë jetike për lëvizjen e banorëve, veçanërisht të fëmijëve dhe nxënësve që përballeshin çdo ditë me vështirësi gjatë kalimit të përroit, sidomos në periudhën e reshjeve, kur niveli i ujit rritej dhe qarkullimi bëhej i rrezikshëm.

Punimet po vijojnë me ritme të kënaqshme dhe pritet që shumë shpejt ura e re të vihet në shërbim të komunitetit, duke i dhënë fund izolimit dhe duke përmirësuar ndjeshëm sigurinë e lëvizjes.

Ky investim është në përputhje me angazhimin e Bashkisë Elbasan për të përmirësuar jetën e qytetarëve edhe në zonat rurale, duke realizuar një nga kërkesat më të hershme të banorëve të Papërr-Sollakut.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në nisjen e punimeve, theksoi se “ky investim është pjesë e përpjekjeve tona për të sjellë zhvillim dhe siguri për çdo komunitet të Bashkisë Elbasan. Ura e Papërr-Sollakut është një premtim që po e bëjmë realitet, duke i dhënë fund një problemi të përhershëm të banorëve dhe duke përmirësuar ndjeshëm lëvizjen e tyre të përditshme. Çdo investim në infrastrukturë rurale është një hap drejt barazisë dhe shërbimeve më cilësore për të gjithë.”

Pastrimi i akseve nacionale, një proces i përhershëm i Agjencisë së Shërbimeve Publike Elbasan

Agjencia e Shërbimeve Publike e Bashkisë Elbasan vijon në mënyrë të rregullt punën për mirëmbajtjen dhe pastrimin e territorit, si pjesë e përditshme e angazhimit për një qytet më të pastër dhe më të sistemuar.

Gjatë ditës së sotme, punonjësit e shërbimeve publike janë përqendruar në pastrimin e akseve nacionale që lidhin qytetin e Elbasanit me zonat përreth, si edhe në rrugët rurale dhe kanalet vaditëse. Këto ndërhyrje kryhen periodikisht, me qëllim ruajtjen e pastërtisë dhe funksionalitetit të infrastrukturës, duke përmirësuar ndjeshëm pamjen e qytetit dhe kushte më të mira për banorët.

Bashkia Elbasan bën apel për bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që të respektojnë hapësirat publike dhe të kontribuojnë për një mjedis të pastër, duke hedhur mbetjet vetëm në vendet e përcaktuara.

Elbasani është shtëpia jonë e përbashkët — ta mbajmë të pastër për sot dhe për brezat që do të vijnë.

Vijon programi i rikonstruksionit të fasadave me sistem kapotë. 

Lagjja “28 Nëntori” përfiton nga investimi i ri

Në kuadër të programit për efiçencën e energjisë dhe përmirësimin estetik të hapësirave urbane, ka nisur puna për rikonstruksionin e fasadave në bllokun e pallateve të lagjes “28 Nëntori” në Elbasan.

Ky investim po realizohet falë bashkëpunimit mes Bashkisë Elbasan dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), si pjesë e programit kombëtar për rehabilitimin e fasadave me sistem kapotë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, gjatë inspektimit të punimeve theksoi rëndësinë e këtij investimi për cilësinë e jetës së banorëve dhe për transformimin urban të qytetit.

 “Angazhimi ynë është i qartë, të gjithë pallatet e qytetit do të kalojnë në sistemin kapotë, për të garantuar kursim të energjisë, izolim termik dhe akustik më të mirë, si dhe një pamje moderne e unifikuar për çdo lagje të Elbasanit.”

Sistemi kapotë, përveç përfitimeve estetike, ndihmon në uljen deri në 30% të konsumit të energjisë elektrike, duke ndikuar drejtpërdrejt në kursimet familjare dhe në mbrojtjen e mjedisit.

Ky është një tjetër hap konkret në zbatimin e politikave të qëndrueshme të Bashkisë Elbasan, që synojnë jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës së banesave, por edhe krijimin e një qyteti më të gjelbër, më të kursyer dhe më të bukur për të gjithë banorët.