Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Nëntor 2025

Elbasani nderon Dëshmorët e Atdheut në 29 Nëntor

Në kuadër të 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të Shqipërisë, në Varrezat e Dëshmorëve në Elbasan u zhvillua një ceremoni homazhesh, ku u përkulën me respekt dhe mirënjohje para atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e Atdheut.

Në ceremoni morën pjesë deputetë të Elbasanit, përfaqësues të institucioneve vendore, familjarë të dëshmorëve, si dhe shumë qytetarë, të cilët vendosën kurora dhe buqeta me lule në nderim të bijve dhe bijave që dhanë jetën për Shqipërinë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, në fjalën e tij u shpreh se:
“Sot përulemi me nderim dhe mirënjohje para bijve të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, që sakrifikuan rininë, jetën dhe ëndrrat e tyre për lirinë e Atdheut. Ata janë gurët e themelit të identitetit tonë kombëtar, shembuj të sakrificës, kurajës dhe dashurisë së pafundme për Shqipërinë.”

Ai theksoi se kujtimi i dëshmorëve mbetet një detyrim moral dhe historik, por edhe një udhërrëfim për brezat e rinj, që liria, pavarësia dhe demokracia kanë një çmim të lartë, të paguar me gjakun e mijëra bijve të këtij vendi.

Atmosfera solemne, pjesëmarrja e gjerë dhe prania e familjeve të dëshmorëve e kthyen këtë ceremoni në një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për sakrificat e atyre që bënë të mundur që sot Shqipëria të jetë e lirë.

Elbasani nderon firmëtarin Aqif Pashë Elbasani në 113-vjetorin e Pavarësisë

Në kuadër të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të firmëtarit të Aktit të Pavarësisë, Aqif Pashë Elbasani.

Deputetët e Elbasanit Adi Qose, Aulona Bylykbashi, Sara Mile, Evis Kushi, Kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja, drejtuesi politik i qarkut Arbjan Mazniku, nënkryetarja e Bashkisë Elbasan Klaudja Krasnika, Prefekti i Qarkut Ilir Bejtja, përfaqësues të pushtetit vendor, qytetarë dhe nxënës të shkollave, vendosën kurora me lule dhe zhvilluan homazhe pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit.

Në fjalën e tij, kreu i bashkisë Gledian Llatja përcolli urimet për Festën e Flamurit dhe Pavarësisë, duke theksuar rolin historik të Elbasanit si një nga djepet e Pavarësisë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Aqif Pashë Elbasanit dhe patriotëve të tjerë elbasanas në themelimin e shtetit shqiptar. Ai nënvizoi se respekti për figurat e historisë është detyrim qytetar dhe institucional, si dhe një mesazh edukues për brezat e rinj.

Edhe drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, në përshëndetjen e tij, vuri theksin te mirënjohja ndaj firmetarëve të Pavarësisë dhe uroi qytetarët për 28 Nëntorin, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe vazhdimit të projekteve zhvillimore në Elbasan dhe në mbarë qarkun.

Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne, ku u bashkuan institucione, përfaqësues politikë dhe qytetarë, duke e kthyer homazhin në një akt simbolik nderimi për historinë, identitetin kombëtar dhe rolin e Elbasanit në Pavarësinë e Shqipërisë.

Bashkia Elbasan, mes më të mirave në vend për matjen e performancës

Bashkia Elbasan është renditur ndër pesë bashkitë me performancën më të lartë në Shqipëri, sipas rezultateve të Grantit të Bazuar në Performancë për vitin 2025, të prezantuara gjatë Konferencës Kombëtare të Matjes së Performancës, organizuar nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Në këtë aktivitet kombëtar, u vlerësuan bashkitë që kanë arritur standarde të larta në qeverisjen vendore, planifikimin strategjik dhe zbatimin e politikave në nivel lokal. Elbasani ka dalë në pah jo vetëm për performancën e përgjithshme, por edhe për përmbushjen e plotë të kritereve strategjike të skemës së grantit.

Bashkia Elbasan është një nga vetëm tre bashkitë në rang vendi që ka përmbushur të gjashtë planet vendore strategjike të kërkuara:

  • Planin e Mbetjeve
  • Planin Social
  • Planin e Arsimit Parauniversitar
  • Planin e Barazisë Gjinore
  • Planin e Integritetit
  • Planin e Mbarështimit të Pyjeve

Ky vlerësim konsiderohet si rezultat i punës së përbashkët të ekipit të Bashkisë Elbasan, standardeve të larta të planifikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm mes drejtorive dhe strukturave të ndryshme vendore. Nëpërmjet zbatimit të këtyre planeve, bashkia ka dëshmuar një qasje të qëndrueshme dhe afatgjatë në menaxhimin e shërbimeve dhe zhvillimin e territorit.

Bashkia Elbasan konfirmon kështu rolin e saj si një model i mirë i transparencës, planifikimit dhe qeverisjes efektive vendore, duke dëshmuar se performanca e matshme dhe llogaridhënia janë në thelb të punës së saj në shërbim të qytetarëve.

296 familje në Elbasan përfitojnë subvencionim qiraje për vitin 2026.

Këshilli Bashkiak miratoi listën emërore të familjeve që do të përfitojnë subvencionim qiraje, për vitin 2026 në Bashkinë e Elbasanit.

Bashkia Elbasan ka aplikuar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për përfitimin e këtij fondi, i cili do të shërbejë si subvencion qiraje për familjet që përfitojnë nga programet sociale të strehimit.

Nga 346 aplikime të paraqitura, 296 familje plotësuan kriteret ligjore të parashikuara në ligjin “Për Strehim Social” dhe aktet nënligjore janë përfshirë në listën përfituese, hartuar nga Komisioni i Strehimit.

Në përparësi kanë qenë kategoritë sociale më në nevojë, si, individët me status jetimi, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, viktimat e dhunës në familje, familjet rome dhe egjiptiane, prindërit e vetëm me fëmijë në ngarkim, etj.

Bashkia Elbasan thekson se ky proces është zhvilluar në mënyrë transparente duke garantuar që fondi i subvencionimit të qirasë për vitin 2026 të shkojë tek familjet me të ardhura të pamjaftueshme dhe në nevojë për strehim të sigurt.

Bashkia Elbasan konfirmon edhe një herë se mbetet një bashki sociale, e orientuar drejt mbështetjes së familjeve me të ardhura të ulëta dhe grupeve më vulnerabël. Përmes programeve të tilla të strehimit social, synohet garantimi i një strehimi të sigurt dhe dinjitoz për çdo familje në nevojë.

Nis projekti “Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, Funari drejt transformimit si destinacion turistik

Falë bashkëpunimit ndërkufitar dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes programit IPA III CBC, ka nisur projekti “Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, që synon zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale në partneritet me Bashkinë e Krushevës në Maqedoninë e Veriut.

Në Bashkinë Elbasan, projekti do të zbatohet në zonën e Funarit, ku janë planifikuar ndërhyrje konkrete si, krijimi i një parku të ri aventurash dhe shtigjeve të shënuara drejt kanioneve të Dopajit, organizimi i trajnimeve për sipërmarrësit lokalë në turizëm të qëndrueshëm dhe ekonomi qarkulluese.

Promovimi i Funarit si destinacion i turizmit të aventurës në rajon, përmes eventeve gjatë gjithë vitit 2026. Funari do të kthehet në një nga destinacionet e aventurës dhe natyrës në Shqipëri në vitin 2026.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se ky projekt vijon transformimin e Funarit si destinacion i turizmit malor dhe aventurës, pas investimeve të mëparshme të IPA II CBC, të cilat përfshinin ndërtimin e Infopoint-it dhe pistës së parashutizmit.

Me këto investime të reja dhe përfshirjen në Paketën e Maleve, Funari pritet të ketë një rol të veçantë në zhvillimin e turizmit të aventurës në Shqipëri, duke sjellë më shumë vizitorë, zhvillim ekonomik dhe mundësi për komunitetin lokal në vitin 2026.

Bashkia Elbasan nis fushatën “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Familje dhe me Bazë Gjinore”

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me aktorët lokalë, zhvilloi një aktivitet sensibilizues në kuadër të lançimit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Familje dhe me Bazë Gjinore”, e cila synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxitjen e një debati të hapur në komunitet mbi këtë problematikë sociale.

Fushata, që do të zgjasë deri më 10 dhjetor, parashikon një sërë aktivitetesh informuese dhe ndërgjegjësuese, me fokus te Mekanizmi i Koordinuar i Referimit dhe te shërbimet mbështetëse që ofrohen në territorin e Bashkisë Elbasan për parandalimin, mbrojtjen dhe riintegrimin e rasteve të dhunës në familje.

Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve, organizatave dhe komunitetit lokal për të garantuar një reagim sa më efektiv ndaj rasteve të dhunës, si dhe nevoja për informimin e vazhdueshëm të qytetarëve mbi kanalet e raportimit dhe shërbimet e disponueshme.

Fushata “16 Ditët e Aktivizmit” vjen si një apel i fortë për zero tolerancë ndaj dhunës dhe një angazhim i përbashkët për të ndërtuar një komunitet më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë, veçanërisht për gratë dhe vajzat.

Gledian Llatja prezanton Elbasanin në Parlamentin Austriak si qendër të rëndësishme industriale dhe destinacion për investime

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë në Konferencën e Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri–Austri, zhvilluar në Parlamentin Austriak, ku prezantoi potencialin e madh që Shqipëria ofron për investime, me fokus të veçantë te Elbasani, si një nga zonat më të rëndësishme industriale të vendit.

Gjatë fjalës së tij, Llatja vuri në dukje pozicionin strategjik të Elbasanit si qendra më e madhe industriale në Shqipëri, një territor me traditë në industri dhe me mundësi të shumta për zhvillim të mëtejshëm ekonomik. Ai nënvizoi se Elbasani po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pol tërheqës për investitorët e huaj, falë reformave, infrastrukturës në zhvillim dhe klimës së përmirësuar të biznesit.

Kryetari i Bashkisë u ndal veçanërisht te mundësitë e investimit në, industrinë përpunuese,
 energjinë e gjelbër,  projektet infrastrukturore, dhe fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Ai theksoi se procesi i integrimit europian dhe përgatitjet drejt axhendës 2029 i japin Shqipërisë dhe veçanërisht Elbasanit një avantazh të rëndësishëm konkurrues, duke e bërë vendin edhe më tërheqës për sipërmarrjet austriake që kërkojnë partneritete të reja në rajon.

Në fjalën e tij, Llatja foli edhe për mundësinë e krijimit të partneriteteve të drejtpërdrejta mes bizneseve austriake dhe ekosistemit ekonomik shqiptar, ku Elbasani ofron një terren konkret bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm, nga industria e rëndë te ekonomia e gjelbër dhe shërbimet.

Në këtë atmosferë festash kombëtare, pjesëmarrja dhe përfaqësimi i Elbasanit dhe Shqipërisë në zemër të institucioneve austriake u cilësua nga kryebashkiaku si një nder dhe përgjegjësi, por edhe si një mundësi reale për të çuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe për të hapur rrugë të reja zhvillimi për qytetin dhe vendin.

Elbasani, qyteti i parë që shpalli Pavarësinë më 25 nëntor 1912

Më 25 nëntor 1912, Elbasani u bë qyteti i parë që shpalli Pavarësinë kombëtare, duke vendosur gurin e parë në themelet e shtetit të ri shqiptar. 113 vjet më parë, 35 patriotë nga Elbasani dhe rrethet përreth shpallën Pavarësinë e këtij qyteti në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët flamurin kombëtar dhe duke i paraprirë aktit të 28 Nëntorit në Vlorë.

Rruga deri te shpallja e Pavarësisë ishte e vështirë dhe e mbushur me dilema historike. Kryengritjet e njëpasnjëshme të viteve 1910–1911 u shndërruan në parathënie të natyrshme të ngjarjes së madhe të vitit 1912, duke treguar vendosmërinë e shqiptarëve për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Në të njëjtën kohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në trojet shqiptare dhe po i afrohej Elbasanit, çka i vuri rrethet patriotike të qytetit përballë detyrës urgjente për të shpallur Pavarësinë, në mënyrë që autoritetet serbe të viheshin përballë faktit të kryer.

Në këtë klimë tensioni, Aqif Pashë Elbasani, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ismail Qemalit, luajti rol kyç në kryengritjen e përgjithshme antiosmane të vitit 1912 dhe në organizimin e çetës së Elbasanit. Me mbështetjen e tij, të popullit të qytetit dhe të vetë Ismail Qemalit, më 25 nëntor 1912 u ngrit flamuri kombëtar në Elbasan dhe u shpall Pavarësia, duke i bërë të qartë ushtrisë serbe që po afrohej se kishte hyrë në territore të një Shqipërie të Pavarur.

Shpallja e Pavarësisë në Elbasan ishte njëherësh nder për qytetin dhe e drejtë legjitime për vendin, duke vulosur rolin që Elbasani luajti në historinë e Pavarësisë kombëtare dhe duke e renditur në epiqendrën e ngjarjeve që çuan në krijimin e shtetit shqiptar.

Në kuadër të kësaj date historike, përfaqësues të pushtetit lokal zhvilluan homazhe pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit, të ngritur në qendër të qytetit. Në ceremoni morën pjesë prefekti i qarkut, Ilir Bejtja, deputetët Adi Qose, Aulona Bylykbashi, Sara Mila, Evis Kushi, si edhe qindra qytetarë të Elbasanit, të cilët nderuan figurën dhe kontributin e tij në shpalljen e Pavarësisë.