Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 19 Nëntor 2025

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja pret përfaqësuesit e BE-së dhe UNDP

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, ka pritur sot në një takim zyrtar përfaqësuesen e përhershme të UNDP në Shqipëri, Znj. Randi Davis, dhe përfaqësuesin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Z. Miha Pezelj, së bashku me ekipet e tyre, në kuadër të projektit “BE për Përfshirjen në Tregun e Punës”.

Projekti “BE për Përfshirjen në Tregun e Punës” financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga UNDP, në bashkëpunim me pushtetin lokal, Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe shoqërinë civile. Elbasani është një nga 10 bashkitë në të gjithë vendin ku ky projekt po zbatohet, duke e pozicionuar qytetin si një nga qendrat kryesore të nismave për fuqizimin social dhe ekonomik të grupeve në nevojë.

Gjatë takimit, u diskutua jo vetëm mbi zbatimin e projektit në fushën e punësimit dhe përfshirjes sociale, por edhe për forcimin e bashkëpunimit mes Bashkisë Elbasan, BE-së dhe UNDP në një sërë fushash të tjera me prioritet, si mjedisi, menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve, si dhe adresimi i çështjeve sociale në nivel komunitar.

Përfaqësuesja e UNDP, Znj. Randi Davis, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me kryetarin e Bashkisë Elbasan.

Në kuadër të projektit, 100 gra dhe vajza nga Bashkia Elbasan do të përfitojnë nga një program 6-mujor i Këshillimit Intensiv për Punësim, ndërsa 50 prej tyre do të trajnohen më tej për ofrimin e shërbimeve të kujdesit ndaj të moshuarve, duke krijuar mundësi reale punësimi dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomisë së kujdesit në nivel lokal.

Pjesa e dytë e ditës është zhvilluar me takime në terren me përfituesit e projektit, ku u njohën nga afër me historitë, sfidat dhe pritshmëritë e tyre, si dhe me ecurinë e programeve të këshillimit dhe trajnimit profesional.

Kryetari Llatja u shpreh se Bashkia Elbasan mbetet plotësisht e angazhuar të mbështesë çdo nismë që rrit përfshirjen sociale, krijon mundësi të reja punësimi, veçanërisht për gratë dhe vajzat, dhe promovon një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, të udhëhequr nga nevojat e komunitetit, në partneritet të ngushtë me BE-në, UNDP-në dhe aktorët e tjerë lokalë.

Tryezë e Barazisë Gjinore në Bashkinë Elbasan, fokus te dhuna digjitale dhe mbrojtja e grave e vajzave

Në Bashkinë Elbasan u zhvillua Tryeza Rrumbullake e Barazisë Gjinore, një hapësirë dialogu dhe bashkëpunimi mes institucioneve vendore, shkollave, profesionistëve të shëndetësisë, shërbimeve sociale dhe organizatave të shoqërisë civile. Kjo tryezë shënon nisjen e punës së përbashkët për 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, me fokus të veçantë te parandalimi i dhunës digjitale dhe forcimi e mekanizmave të mbrojtjes për vajzat dhe gratë në komunitetin tonë.

Gjatë takimit u diskutuan hapat prioritarë për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe roli i shkollave, psikologëve dhe prindërve në rritjen e ndërgjegjësimit dhe në mbështetjen e vajzave dhe grave që mund të përballen me forma të ndryshme dhune, përfshirë atë në mjedisin online. U prezantuan gjithashtu aktivitetet që do të zhvillohen gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit, si dhe mekanizmat ekzistues të mbështetjes dhe raportimit për rastet e dhunës, me synim rritjen e aksesit në shërbime dhe fuqizimin e viktimave për të kërkuar ndihmë dhe drejtësi.

Qëllimi i përbashkët i kësaj nisme është të ndërtohet një Elbasan më i sigurt, më mbështetës dhe më i ndërgjegjshëm, ku çdo vajzë dhe grua të ndihet e mbrojtur dhe e respektuar. Bashkia Elbasan i bashkohet fushatës me mesazhin: “Fund dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave!”, duke rikonfirmuar angazhimin për të vijuar punën në terren me të gjithë aktorët lokalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore.