Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 20 Nëntor 2025

Gledian Llatja takon kampionët elbasanas që po ngjitin qytetin në majat e sportit kombëtar

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me drejtorin e Klubit Shumësportësh ” Elbasani” Artin Kovaci, zhvilluan sot një takim me sportistët kampionë të disiplinave të ndryshme, të cilët po e çojnë emrin e qytetit në nivele të reja suksesi. Pingpongu, karateja, shtanga, xhudoja dhe atletika janë disa prej sporteve ku Elbasani po shkëlqen dhe po ngjitet rregullisht në podiumet kombëtare.

Takimi vjen në një periudhë të artë për sportin elbasanas. Vetëm pak ditë më parë, ekipi i meshkujve të pingpongut të Elbasanit u shpall kampion i Shqipërisë, një triumf që tregon rritjen e vazhdueshme të këtij sporti në qytet dhe punën e palodhur të trajnerëve dhe sportistëve.

Sportistët e rinj prezantuan arritjet e tyre dhe objektivat për sezonet e ardhshme, ndërsa kryetari Llatja vlerësoi përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre. Ai theksoi se rezultatet e arritura janë një dëshmi e talentit elbasanas dhe një motivim i fortë për të vijuar investimet në sport.

Bashkia e Elbasanit po punon për të krijuar kushte edhe më të mira për zhvillimin e talenteve të reja, duke modernizuar infrastrukturën sportive dhe duke mbështetur klubet që po rrisin kampionë të rinj. Sipas kryetarit Llatja, sporti nuk është vetëm aktivitet fizik, por një vlerë që forcon komunitetin dhe promovon qytetin në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Fëmijët në qendër të vëmendjes në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Drejtoreshën e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, zhvilluan një vizitë në shkollën “Alush Lleshanaku” në Bradashesh.

Gjatë takimit me nxënësit dhe mësuesit, Kryetari Llatja theksoi angazhimin e Bashkisë Elbasan për të mbështetur fëmijët dhe për të krijuar kushte të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të përshtatshme për zhvillimin e tyre. Ai u shpreh se fëmijët janë forca lëvizëse e shoqërisë dhe se investimet në arsim e mjedise të shëndetshme mbeten prioritet i bashkisë.

Nga ana e saj, Vesa Llanaj Liço vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë Elbasan dhe përpjekjet e përbashkëta për të siguruar një arsim cilësor për çdo fëmijë, duke nënvizuar se mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të fëmijëve është një detyrim i përbashkët.

Vizita u shoqërua me aktivitete sensibilizuese, duke e kthyer këtë ditë në një moment reflektimi për garantimin e të drejtave, mirëqenies dhe mbështetjes së vazhdueshme për fëmijët e komunitetit.