Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Dhjetor 2025

Elbasani përgatitet për një natë magjike në ndërrimin e viteve

Nata e ndërrimit të viteve do të shndërrohet në një festë madhështore në qytetin e Elbasanit. Nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, qytetarët dhe miqtë e qytetit janë të ftuar të festojnë së bashku në Sheshin “Gensher”, në një koncert festiv që premton emocione, muzikë dhe argëtim pa fund.

Mbrëmja do të gjallërohet nga performancat e disa prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare, si Ylli Baka, Markos & Toni Baka, Young Zerka, Orkito Dapa, Kelly dhe Petrit Vullkani, të cilët do të sjellin atmosferë festive dhe ritme për të gjitha shijet.

Festës do t’i bashkohen gjithashtu DJ NOIIAN, si dhe performancat energjike të Future Steps Dance Academy, duke e kthyer sheshin në një skenë të hapur feste dhe gëzimi.

Sheshi “Gensher” do të jetë zemra e festimeve, ku Elbasani do të mirëpresë Vitin e Ri me një natë të paharruar, mes muzikës, dritave dhe atmosferës së ngrohtë festive, për të gjithë qytetarët dhe miqtë e tij.

 Një natë për t’u festuar së bashku, një fillim i ri plot shpresë dhe gëzim!

Grand Gala, koncerti që kurorëzoi aktivitetet artistike vjetore të Teatrit “Skampa”

Teatri “Skampa” u mbush plot me artdashës të qytetit në mbrëmjen gala të fundvitit “Grand Gala 2025”, një koncert tashmë i kthyer në traditë në jetën kulturore të Elbasanit. Publiku elbasanas, i informuar dhe i interesuar për këtë event, ndoqi me vëmendje dhe emocion një program të përzgjedhur me vepra të njohura të muzikës klasike botërore.

Koncerti u realizua nën drejtimin artistik dhe dirigjimin e Gridi Kraja, ku Orkestra Filarmonike e Elbasanit solli në skenë interpretime të nivelit të lartë profesional, duke konfirmuar rolin e saj të rëndësishëm në promovimin e muzikës serioze në qytet. Një kontribut të veçantë në këtë mbrëmje dha  Maestri Zeqir Sulkuqi, prania dhe përvoja artistike e të cilit i shtuan peshë dhe vlera koncertit.

Në këtë event morën pjesë edhe solistët e njohur të skenës muzikore shqiptare Eva Golemi, Kastriot Tusha, Sokol Hidersha dhe Keli Guga, të cilët u pritën me duartrokitje të shumta nga publiku. Mbrëmja u moderua nga Laerti Vasili dhe Atalanta Kërçyku, duke i dhënë koncertit një rrjedhë elegante dhe të natyrshme.

Me krenari u nderuan tre personalitete që kanë dhënë kontribut të çmuar për qytetin tonë, duke u akorduar titulli “Nderi i Qytetit”,  Bukurosh Stafa, për kontributin e vyer në industri dhe jetën publike.

Ali Shashaj, për përkushtimin e jashtëzakonshëm në fushën e edukimit.

Aristir Lumezi, për trashëgiminë e rëndësishme të lënë në gazetari dhe për edukimin e brezave të rinj.

Grand Gala 2025 është një nga aktivitetet e shumta kulturore të organizuara nga Bashkia Elbasan gjatë këtij fundviti, në kuadër të angazhimit të saj për të gjallëruar jetën artistike të qytetit dhe për t’u ofruar qytetarëve evente cilësore që promovojnë artin, kulturën dhe traditat muzikore.

Ky koncert u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, duke reflektuar mbështetjen e vazhdueshme institucionale për aktivitetet kulturore në qytet.

Elbasani forcon rolin industrial, firmoset kontrata për impiantin e parë MIDA Steel në Europë

Kurum International Albania dhe Danieli Officine Meccaniche S.p.A. kanë nënshkruar zyrtarisht kontratën e investimit për ndërtimin e një impianti të ri për prodhimin e çelikut në Zonën Industriale të Metalurgjikut në Elbasan.

 Ky projekt shënon një moment të rëndësishëm për industrinë shqiptare, pasi me realizimin e tij Shqipëria bëhet vendi pritës i impiantit të parë MIDA Steel në Europë, duke u pozicionuar drejtpërdrejt në tregun europian të çelikut të gjelbër dhe duke ndjekur standardet më të avancuara të teknologjisë dhe mbrojtjes së mjedisit.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili u shpreh se ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit industrial dhe zhvillimit ekonomik të qytetit. Sipas tij, hapja e impiantit të ri do të rrisë ndjeshëm numrin e vendeve të punës, duke krijuar mundësi konkrete punësimi për qytetarët e Elbasanit dhe zonave përreth, si dhe do të ndikojë pozitivisht në rritjen e ekonomisë lokale.

Ky investim strategjik pritet të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e rolit të Elbasanit si qendër industriale, duke nxitur zhvillimin e sektorëve të lidhur me industrinë e çelikut, rritjen e të ardhurave për familjet dhe përmirësimin e klimës së biznesit në qytet.

Ndërtimi i impiantit MIDA Steel konsiderohet gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm, pasi fokusohet në prodhimin e çelikut me teknologji moderne dhe miqësore me mjedisin, në përputhje me kërkesat e tregut europian.

Me këtë projekt, Elbasani dhe Shqipëria rrisin atraktivitetin e tyre për investime të avancuara dhe konfirmojnë pozicionin e tyre në hartën e industrisë së gjelbër në Europë, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit.

Këshilli Bashkiak Elbasan, nderon pas vdekjes gazetarin Aristir Lumezi me titullin ‘Qytetar Nderi’

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka nderuar pas vdekjes gazetarin dhe kryeredaktorin Aristir Lumezi me titullin “Qytetar Nderi”. Mirënjohja iu dorëzua djalit të tij, duke simbolizuar trashëgiminë e rëndësishme që ai la pas në fushën e gazetarisë dhe edukimin e brezave të rinj.

Aristir Lumezi, me një karrierë prej dy dekadash, dha një kontribut të vyer në median e shkruar dhe atë vizive shqiptare. Ai ka shërbyer si gazetar i politikës dhe ka mbajtur postin e kryeredaktorit të gazetës Panorama, duke udhëhequr me profesionalizëm dhe etikë.

Në motivacionin e titullit theksohet:

“Për kontributin e çmuar në gazetarinë shqiptare si gazetar, pedagog dhe kryeredaktor, duke formuar breza të rinj profesionistësh dhe duke udhëhequr me profesionalizëm dhe etikë, për avancimin e gazetarisë dhe informimin e saktë të publikut.”

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, u shpreh se figura të tilla janë shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe përkushtim ndaj profesionit dhe komunitetit.

Gledian Llatja, së bashku me ekipin politik, përcolli urimet e Krishtlindjes

Me rastin e festës së Krishtlindjes, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, së bashku me ekipin e deputetëve të Partisë Socialiste dhe kryetaren e PS Elbasan, znj. Ermira Urupi, përcollën urimet më të përzemërta për besimtarët e krishterë të qytetit.

Në frymën e bashkëjetesës fetare dhe harmonisë që e karakterizon Elbasanin, përfaqësuesit institucionalë vizituan Kishën e “Shën Nikollës” dhe Kishën e “Shën Piut X”, ku ndanë urime për paqe, shëndet dhe mbarësi në çdo familje.

Gjatë këtyre vizitave, Kryetari i Bashkisë theksoi rëndësinë e respektit reciprok, solidaritetit dhe dashurisë për njëri-tjetrin si vlera që e mbajnë të fortë komunitetin tonë dhe shoqërinë shqiptare në tërësi.

Bashkia e Elbasanit mbetet e angazhuar në promovimin e bashkëjetesës, tolerancës dhe unitetit, si shtylla themelore të një qyteti të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Paqja dhe mbarësia qofshin në çdo familje shqiptare.

Këshilli Bashkiak miraton buxhetin 2026, fokus te shërbimet, arsimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm

Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Këshillit Bashkiak të Elbasanit u miratua buxheti i Bashkisë për vitin 2026, një buxhet i cili synon vijimin e investimeve në shërbimet publike, arsimin, kulturën, përkujdesjen sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, prezantoi projektbuxhetin për vitin 2026, i cili arrin në 4 miliardë e 13 milionë lekë, duke shënuar rritje krahasuar me një vit më parë. Sipas kryebashkiakut, buxheti është ndërtuar pas dëgjesave publike dhe është i orientuar drejt përmirësimit të cilësisë së jetës për qytetarët, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale.

Llatja theksoi se prioritet mbeten shërbimet publike vendore, infrastruktura rrugore urbane dhe rurale, si dhe zhvillimi i balancuar i territorit. Investimet do të fokusohen në përmirësimin e rrugëve, shesheve publike dhe zonave të banuara, me ndërhyrje të drejtpërdrejta në lagje dhe fshatra.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar arsimit dhe përkujdesjes sociale. Kryetari i bashkisë bëri të ditur se do të vijojnë investimet në rikonstruksionin dhe përmirësimin e shkollave dhe çerdheve, si dhe zgjerimi i shërbimeve sociale. Një nga projektet është rikonstruksioni i Qendrës Sociale në Balashë, e cila do të shërbejë për forcimin e shërbimeve sociale dhe krijimin e hapësirave të reja në funksion të komunitetit, përfshirë edhe hapjen e  nje cerdhe për fëmijët.

Në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, buxheti 2026 parashikon investime në institucione kyçe kulturore. Sipas Llatjas, do të vijojë mbështetja për Bibliotekën Publike,  aktivitetet kulturore, si dhe bashkëfinancimi për rikonstruksionin e Teatrit “Skampa”. Këto investime synojnë jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës kulturore, por edhe gjallërimin e jetës artistike dhe promovimin e vlerave kulturore të Elbasanit.

Gjithashtu, buxheti mbështet sportin dhe aktivitetet rinore, përmes përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe hapësirave publike, si dhe projekteve që nxisin përfshirjen e të rinjve në jetën sociale dhe kulturore të qytetit.

Një tjetër fokus i rëndësishëm i buxhetit është mjedisi dhe siguria, me investime në energji të rinovueshme, projekte mjedisore, si dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes civile dhe shërbimit zjarrfikës.

Kryetari i Bashkisë bëri të ditur se parashikohen investime për energjinë e rinovueshme dhe mjete miqësore me mjedisin, si dhe instalimi i kamerave në zonat pyjore për monitorimin dhe zbulimin në kohë të zjarreve, me qëllim parandalimin dhe reagimin e shpejtë ndaj emergjencave mjedisore. Këto ndërhyrje synojnë mbrojtjen e pasurive natyrore dhe rritjen e sigurisë për komunitetin.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se buxheti i vitit 2026 është një angazhim konkret për zhvillim të qëndrueshëm, transparencë dhe shërbime më cilësore, duke ftuar Këshillin Bashkiak ta mbështesë si një buxhet në shërbim të qytetarëve.

Pas dëgjimit të të gjithë këshilltarëve bashkiakë, të cilët shprehën mendimet dhe qëndrimet e tyre mbi projektbuxhetin, kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh se Bashkia Elbasan çdo vit harton një buxhet realist dhe të argumentuar, të ndërtuar në funksion të qytetarëve dhe për përmirësimin e cilësisë së jetesës.

Llatja theksoi se një nga projektet e rëndësishme që do të vijojë është këndi sportiv “Dua të Luaj”, një investim që do t’u shërbejë të rinjve, fëmijëve, të moshuarve dhe gjithë qytetarëve, në një sipërfaqe prej rreth 22 mijë metra katrorë. Ai bëri të ditur gjithashtu se do të vijojnë projektet për rikonstruksionin e Kalasë së Elbasanit, sipas një modeli të integruar restaurimi, si dhe projekte të tjera zhvillimore si Auto–Moto Parku.

Kryebashkiaku nënvizoi se investimet do të vijojnë si në qytet ashtu edhe në zonat rurale, përmes paketave të posaçme për infrastrukturën rrugore, ndërsa vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe zonave turistike, si Gjinar dhe Funar, me synim zhvillimin ekonomik dhe rritjen e potencialit turistik të tyre.

Drejt përfundimit ndërtimi i dy urave të reja mbi Përroin e Gorrës për fshatrat Matrej dhe Papër Sallak

Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Bashkia Elbasan po shkon drejt përfundimit të ndërtimit të dy urave tip “Beli” mbi Përroin e Gorrës, në shërbim të banorëve të fshatrave Matrej dhe Papër Sallak. Pas vitesh vështirësish, veçanërisht gjatë stinës së reshjeve, ky investim i shumëpritur po bëhet realitet.

Dy urat, me gjatësi 12 metra secila, u vijnë drejtpërdrejt në ndihmë rreth 480 banorëve të zonës, duke garantuar kalim më të sigurt për këmbësorët, nxënësit e shkollave dhe mjetet bujqësore. Ndërtimi i tyre i jep fund izolimit shumëvjeçar dhe rrezikut të vazhdueshëm që shoqëronte lëvizjen në këtë aks.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka theksuar se ky investim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të bashkisë për përmirësimin e infrastrukturës rurale dhe rritjen e sigurisë për komunitetet, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional në zgjidhjen e problematikave konkrete të qytetarëve.

Investimi është pritur me vlerësim dhe mirënjohje nga banorët e Matrejve dhe Papër Sallakut, të cilët kanë shprehur falënderime për Bashkinë Elbasan dhe në veçanti për kryetarin Gledian Llatja, për vëmendjen dhe zgjidhjen e një nevoje jetike që u ka munguar prej vitesh.