Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 1 Dhjetor 2025

116-vjetori i Normales së Elbasanit, Llatja: Arsimi është themeli i së ardhmes sonë

Në 116-vjetorin e hapjes së Normales së Parë në Elbasan, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka përcjellë një mesazh të fortë për rolin e arsimit në zhvillimin e qytetit dhe të vendit, duke theksuar se investimet në shkolla do të vijojnë me të njëjtin ritëm edhe në vitet që vijnë.

“Arsimi është themeli i së ardhmes sonë. Në 116-vjetorin e hapjes së Normales së Parë në Elbasan, ne nderojmë traditën e arsimit shqiptar dhe vijojmë të ndërtojmë një të ardhme edhe më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë tanë”, është shprehur Llatja.

Ai ka theksuar se, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Bashkia Elbasan po investon në shkolla moderne, të sigurta dhe bashkëkohore, ku çdo nxënës dhe mësues të ketë mjediset që meriton.

Gjatë këtyre viteve janë rikonstruktuar shkollat: “Onufri”, “Fadil Gurmani”, “Jorgji Dilo”, “Europa”, “Abdyl Paralloi”, “Ptoleme Xhuvani”, “Luigj Gurakuqi”, “Mengel”, “Jonuz Carshiu”, “Kostandin Kristoforidhi” dhe shumë të tjera, duke sjellë klasa më të ngrohta, laboratorë teknologjikë, programe mësimore bashkëkohore dhe terrene sportive të hapura për komunitetin.

Kryetari i bashkisë ka bërë të ditur se brenda vitit 2026 pritet të përfundojë rikonstruksioni i shkollave “Dhaskal Todri”, “Naim Frashëri”, “Fejzulla Guranjaku” si edhe shkollës së Shushicës, të cilat do të rikonstruktohen sipas standardeve më të larta.

“Me të njëjtin ritëm do të vazhdojmë me të gjitha shkollat e Bashkisë Elbasan, duke investuar në hapësira sportive, laboratorë teknologjikë dhe programe që rrisin aftësitë e fëmijëve. Sepse të investosh në arsim do të thotë të investosh në të ardhmen e Elbasanit dhe të Shqipërisë”, ka theksuar Llatja.

Duke u ndalur te rëndësia e arsimit, ai ka shtuar se arsimi nuk është vetëm prioritet qeveritar, por mbi të gjitha është premtimi ynë për brezat që rriten nëpër klasa, në një qytet që e ka pasur gjithmonë dijen si vlerë identitare.