Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 3 Dhjetor 2025

Konferencë kombëtare për ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme, fokus te fëmijët me nevoja të veçanta

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me “Qendrën Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta” dhe me mbështetjen financiare të Republikës së Bullgarisë, organizoi konferencën kombëtare me temë “Zhvillimi i ndërhyrjes në fëmijërinë e hershme në Shqipëri”.

Kjo konferencë kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të institucioneve, profesionistëve dhe aktorëve të interesuar mbi rëndësinë e ndërhyrjes së hershme si një çështje thelbësore për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, veçanërisht atyre me nevoja të veçanta.

Gjatë këtij aktiviteti, Bashkia Elbasan ndau vizionin për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, më të ndjeshme dhe më mbështetëse ndaj fëmijëve që kanë nevoja të veçanta, duke theksuar se politikat sociale duhet të jenë të orientuara drejt mbështetjes që në moshat më të hershme.

Nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, Klaudja Krasnika, në fjalën e saj theksoi se ndërhyrjet e hershme janë vendimtare për të ardhmen e fëmijëve me nevoja të veçanta, pasi u japin atyre më shumë mundësi për të zhvilluar aftësitë, për të mësuar, për t’u socializuar dhe për t’u integruar plotësisht në jetën e komunitetit.

Bashkia Elbasan është bërë pjesë e këtij projekti përmes Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale, duke kontribuar në zbatimin e aktiviteteve mbështetëse për fëmijët, por edhe në forcimin e kapaciteteve profesionale të specialistëve. Sipas përfaqësuesve të bashkisë, ky projekt ka ndikuar edhe në modelimin e praktikave bashkëkohore të punës me fëmijërinë e hershme, duke sjellë standarde më të avancuara shërbimi.

Konferenca u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të politikave më efektive për fëmijët me nevoja të veçanta dhe për garantimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të barabartë për ta.

Rudolf Deliana shpallet “Qytetar Nderi” i Elbasanit.

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka akorduar pas vdekjes titullin e lartë “Qytetar Nderi” për mësuesin e nderuar të gjuhës shqipe dhe ish-Normalistin Rudolf Deliana, me motivacionin  “Për kontributin, pasionin dhe përkushtimin e tij në formimin e brezave të rinj dhe zhvillimin e arsimit e kulturës në qytetin e Elbasanit.”

Rudolf Deliana u konsiderua gjerësisht një prej mësuesve më të respektuar të gjuhës shqipe, formuar në Shkollën Normale të Elbasanit, institucionin simbol të arsimimit kombëtar. Karriera e tij prej disa dekadash mbeti e lidhur ngushtë me edukimin e nxënësve, të cilët ai i përgatiti jo vetëm me njohuri, por edhe me vlera qytetare e njerëzore.

Me shpalljen “Qytetar Nderi”, Bashkia e Elbasanit rikujton publikisht rolin që figurat si Deliana kanë luajtur në ndërtimin e profilit arsimor të qytetit, i cilësuar shpesh si qendra e traditës së mësuesisë shqiptare.

Ky nderim përbën jo vetëm një homazh për veprimtarinë e mësuesit, por edhe një mesazh të qartë për të rinjtë, se puna, përkushtimi dhe dashuria për kulturën dhe dijen janë vlera që çmohen dhe lartësohen institucionalisht.

I njohur për për profesionalizmin, integritetin dhe aftësinë për t’i frymëzuar të rinjtë, Deliana mbetet një figurë model në historinë e arsimit të qytetit.. Përveç punës si mësues, ai drejtoi edhe Shoqatën “Normalisti”, duke u bërë një nga figurat kyçe për ruajtjen e traditës së Shkollës Normale.

Përmes këtij titulli, emri i tij i bashkohet listës së personaliteteve që kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimin qytetar, kulturor dhe arsimor të Elbasanit., një trashëgimi që do të frymëzojë edhe brezat e ardhshëm.

Figura e Rudolf Delianës, si mësues, intelektual dhe qytetar i përkushtuar, do të mbetet e gjallë në kontributet e tij për arsimin.