Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 4 Dhjetor 2025

Takimi dypalësh BE–Shqipëri për pushtetin vendor, Llatja: Integrimi nis nga niveli lokal

Për herë të parë në Tiranë u mbajt takimi dypalësh mes Komitetit Europian të Rajoneve dhe Shqipërisë, një forum i rëndësishëm diskutimi mbi të ardhmen e qeverisjes vendore dhe rolin e bashkive në procesin e integrimit europian.

Në këtë takim, i dyti në llojin e tij, morën pjesë Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Këshilltari Rajonal i Toskanës, Antonio Mazzeo, Drejtorja Ekzekutive e Shoqatës së Bashkive, Adelina Farrici, kryetarë bashkish nga i gjithë vendi, përfaqësues të BE-së dhe ekspertë vendas e të huaj.

Në këtë takim mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili njëkohësisht është edhe bashkëkryetar i këtij forumi, së bashku me Antonio Mazzeo.

Ky takim vjen në një moment vendimtar për Shqipërinë, e cila po avancon me ritme të shpejta në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, ndërsa roli i bashkive po bëhet gjithnjë e më thelbësor në zbatimin e standardeve të BE-së dhe në përfitimin nga programet e saj.

Duke folur në cilësinë e bashkëkryetarit të forumit, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e këtij partneriteti dhe angazhimin e pushtetit vendor në këtë proces, duke deklaruar se, “Bashkitë shqiptare kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara në forcimin e qeverisjes vendore, përmirësimin e shërbimeve dhe zbatimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve. Integrimi europian nuk është vetëm një proces politik, por mbi të gjitha një proces që prek drejtpërdrejt komunitetet tona.”

Gjatë takimit u diskutua mbi integrimin europian, mundësitë që ofron Plani i Rritjes (Growth Plan), decentralizimi fiskal si dhe qëndrueshmëria financiare e bashkive, si elementë kyç për ndërtimin e institucioneve vendore më të forta, më funksionale dhe më inovative.

Këshilli i Përbashkët Konsultativ u vlerësua si një mekanizëm thelbësor që siguron jo vetëm përafrimin e politikave vendore me ato të Bashkimit Europian, por edhe fuqizimin e bashkive për të kontribuar në mënyrë aktive në axhendën europiane dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve.

Gledian Llatja në Komisionin për Gjuetinë: Mbrojtja e faunës dhe pyjeve të Elbasanit

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, ku u diskutua dhe miratua projektligji i ri “Për Gjuetinë”.

Projektligji i ri shënon një hap të rëndësishëm pas më shumë se një dekade ndalim të plotë të gjuetisë, duke hapur rrugën drejt një modeli modern të menaxhimit të faunës së egër, i bazuar në përgjegjshmëri, mbrojtje të biodiversitetit dhe standarde europiane. Sipas kuadrit të ri ligjor, bashkitë do të kenë një rol kryesor në administrimin e Zonave të Gjuetisë, ndërsa në terren do të angazhohen menaxhues të posaçëm për të garantuar zbatimin rigoroz të rregullave dhe ruajtjen e ekuilibrave natyrorë.

Ligji i ri parashikon disa hallka të rëndësishme për funksionimin e gjuetisë, që nis nga miratimi i menaxhimit të zonave me vendim të Këshillit të Ministrave, vijon me Planin Kombëtar të sezonit të gjuetisë që miratohet nga ministria përkatëse, si dhe përcaktimi i sezonit për secilën bashki dhe lista e faunës së lejuar.

Në këtë kontekst, pjesëmarrja e kryetarit të Bashkisë Elbasan merr një rëndësi të veçantë, pasi Elbasani është një nga bashkitë më të pasura me sipërfaqe të gjelbërta dhe zona pyjore, si pylli i Funarit, pylli i Bukanikut dhe masivet e tjera që rrethojnë territorin. Këto zona përbëjnë jo vetëm një pasuri natyrore me vlera të mëdha ekologjike, por edhe një potencial të rëndësishëm për turizmin natyror dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Menaxhimi i pyjeve është tashmë në tagrin e bashkive, ndërsa aktet nënligjore që do të pasojnë pritet të përcaktojnë qartë modalitetet e administrimit, mbrojtjes dhe përdorimit të tyre. Bashkia Elbasan, përmes këtij angazhimi institucional, synon të kontribuojë në ruajtjen e faunës së egër, mbrojtjen e ekosistemeve dhe ndërtimin e një marrëdhënieje më të shëndetshme mes njeriut dhe natyrës.

Ky projektligj konsiderohet si një hap i rëndësishëm për t’i dhënë fund kaosit të së shkuarës dhe për të garantuar një qasje të përgjegjshme ndaj një pasurie kombëtare që kërkon kujdes dhe mbrojtje afatgjatë.

Stacioni Antik “Ad Quintum”

Stacioni Antik “Ad Quintum”, dëshmi shekullore e Rrugës Egnatia në Bradashesh

 Qyteti i Elbasanit që me ngritjen e tij si një pikë e fortë ushtarake u pajis edhe me hamame, njëra prej të cilave është Stacioni “Ad Quintum”, ndërtutuar që në shekullin e dytë të erës sonë përgjatë rrugës Egnatia pikërisht në fshatin Bradashesh.

 Stacioni “ Ad Quintum” ose ( stacioni i pestë ) njihet si stacioni i rrugës Egnatia , ndodhet në fshatin Bradashesh, është monument kulture në varësi të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, si dhe  për studimin e saj nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Kjo banjë e njohur ndryshe si hamam është ndërtuar përgjatë rrugës Egnatia për ti shërbyer qytetarëve edhe si mutatio, stacion pushimi.

 Ka një planimetri drejtkëndëshe me sipërfaqe 130m2 me këto mjedise: dhoma e zhveshjes, mjedisi i ngrohtë, mjedisi i nxehtë, dhe ai me ujë të ftohtë. Në brendësi ishte dhoma e zhveshjes që shërbente për  lidhjen e mjediseve. Muret e Hamamit, janë ndërtuar me muraturë të përzier.  Furnizmi me ujë bëhesh me anë të kanaleve nga një depozitë mbi murin e nimfeut dhe largoheshin me një sistem tjetër kanalizimi.

 Ngrohja e ujit dhe mjediseve kryhej me anë të furrës dhe një sistemi hipokaust, që do të thotë gazrat e nxehtë të krijuara nga djegia e druve qarkullonin së pari nën dysheme dhe në muret e mjedisit të nxehtë si dhe në paretet e mureve.

 Banjat e këtij stacioni kanë një zgjidhje racionale planimetrike dhe estetike. Ky hamam është ndërtuar në fundin e shekullit të II – të  të erës sonë. Në këtë banjë kishte personel që shërbente për masazh, për pastrimin e të pafuqishmëve, për mirëmbajtjen, për zjarrin e pastërtinë.  Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX – të gjatë kohës së rregjimit komunist këto banja u mbyllën, dhe në vitet e fundit të shekullit të XX – të, ato që i kanë qëndruar kohës ruhen si objekte historike e monumente kulture. Rreth këtyre banjave pikërisht në fshatin Bradashesh janë ndërtuar shumë shtëpi, duke krijuar lagjen që mori emrin “ Stacioni i Rrugës Egnatia”.

Tashmë këto banja thuajse kanë dalë jashtë funkisonimit dhe kanë mbetur veç muret dhe gurët e fortë që rrethoheshin banjat.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore realizoi restaurimin e Stacionit Antik Ad Quintum, një monument i rrallë përgjatë rrugës Egnatia, duke hedhur një hap të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.