Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 5 Dhjetor 2025

Të rinj inovatorë nga Ballkani priten në Elbasan, në fokus start-up-et për riciklimin e veshjeve

Një grup të rinjsh inovatorë nga Ballkani, të angazhuar në zhvillimin e start-up-eve në fushën e riciklimit të veshjeve, janë pritur në Bashkinë Elbasan nga nënkryetarja e Bashkisë, Klaudja Krasnika. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt sjelljes së kësaj nisme edhe në Elbasan, si një mundësi konkrete për zhvillim të qëndrueshëm dhe sipërmarrje të gjelbër.

Gjatë takimit u diskutua mbi idetë inovative që të rinjtë po zhvillojnë në rajon, mundësitë e bashkëpunimit dhe roli që Elbasani mund të luajë në mbështetjen e start-up-eve të reja në sektorin e ekonomisë qarkulluese.

Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe Ledi Moisiu, Drejtore e Qendrës së Inovacionit dhe Teknologjisë për Lëndët e Para në Shqipëri. Kjo Qendër, e vendosur në Elbasan, është e fokusuar në nxitjen e kërkimit shkencor në sektorin minerar, shkëmbimin e eksperiencave dhe forcimin e bashkëpunimit mes profesionistëve shqiptarë dhe atyre të Bashkimit Europian.

Nënkryetarja e Bashkisë, Klaudja Krasnika, vlerësoi rolin e të rinjve në zhvillimin e ideve të reja dhe inovacionit, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme që Bashkia Elbasan u jep iniciativave që promovojnë zhvillimin e gjelbër, sipërmarrjen dhe përfshirjen e të rinjve në ekonomi.

Prania e këtyre të rinjve në Elbasan dhe bashkëpunimi me Qendrën e Inovacionit pritet të hapë rrugë për projekte konkrete në të ardhmen, duke e kthyer qytetin në një pikë reference për inovacionin dhe riciklimin në rajon.

Elbasani kujton 25 vite nga rishkrimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në gjuhën e fëmijëve

Bashkia Elbasan dhe organizata Save the Children në Shqipëri organizuan sot aktivitetin kushtuar 25-vjetorit të përshtatjes së Konventës së të Drejtave të Fëmijës në gjuhën shqipe nga vetë fëmijët, një nismë unike e lindur në qytetin e Elbasanit, përmes Grupit të Fëmijëve 16+, me mbështetjen e institucioneve vendore dhe Save the Children.

Ky përvjetor shënon një moment të veçantë reflektimi mbi kontributin e pazëvendësueshëm që ka pasur kjo nismë në rritjen e njohjes dhe zbatimit të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, si dhe në forcimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në vendimmarrje.

Aktiviteti mblodhi së bashku ish-anëtarët e Grupit të Fëmijëve “Zëri 16+” të viteve 2000, të cilët 25 vite më parë kontribuan në shkrimin e Konventës në një gjuhë të thjeshtë, miqësore dhe të kuptueshme për fëmijët, anëtarë aktualë të grupit, si dhe përfaqësues të Bashkisë Elbasan, mësues, prindër, partnerë të shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë lokalë.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, u rikthyen kujtime, u ndanë emocione dhe reflektime të çmuara mbi punën 25-vjeçare dhe rrugëtimin e filluar në Elbasan, për ta sjellë Konventën më afër fëmijëve. Ish anëtarët e grupit, sot të rritur, profesionistë në fusha të ndryshme apo të angazhuar sërish pranë Save the Children, ndanë historitë e tyre personale dhe mesazhe domethënëse mbi rëndësinë që ka pasur kjo nismë në jetën e tyre dhe në komunitet.

Ata folën për procesin e rishkrimit të Konventës në një gjuhë të thjeshtë dhe të lehtë për t’u kuptuar, përmes “gjuhës së fëmijëve”, në mënyrë që çdo fëmijë të mund ta lexojë, ta kuptojë dhe ta ndiejë si dokument që i përket atij personalisht.

Koordinatorja e projektit të Save the Children, njëherësh ish-anëtare e grupit që mori pjesë në rishkrimin e Konventës 25 vite më parë, Soela Kotherja drejtoi dhe moderoi këtë aktivitet emocionues, duke sjellë ndërthurur kujtesën, eksperiencën dhe angazhimin e sotëm profesional në fushën e të drejtave të fëmijëve.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te rëndësia e respektimit dhe zbatimit të të drejtave të fëmijëve në praktikë.

Ai theksoi se të flasësh për të drejtat e fëmijëve është një temë e gjerë dhe e ndjeshme, por mbi të gjitha është një detyrim që kërkon veprim konkret çdo ditë. Llatja nënvizoi se Bashkia Elbasan ka krijuar një eksperiencë të mirë bashkëpunimi me Save the Children, si edhe me organizata të tjera, të cilën po e forcon vazhdimisht përmes nismave të përbashkëta në fusha të ndryshme, me qëllim që çdo fëmijë të ndihet i informuar, i mbrojtur dhe i përfshirë.

Ai solli në vëmendje një sërë investimesh të ndërmarra nga Bashkia Elbasan, si rikonstruksioni i kopshteve dhe shkollave, përmirësimi i infrastrukturës arsimore dhe sociale, si dhe kujdesi i shtuar për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët me sindromën Down dhe fëmijët në rrugë, përmes bashkëpunimit me organizata të ndryshme që veprojnë në Elbasan. Llatja theksoi se vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe zonave rurale më të thella, ku dikur mentaliteti ka qenë më i mbyllur, duke u përpjekur të çohen atje shërbime, informacion dhe mundësi të reja për fëmijët dhe familjet e tyre.

Bashkia Elbasan dhe Save the Children në Shqipëri shprehën vullnetin për të vijuar këtë partneritet në funksion të mbrojtjes, fuqizimit dhe pjesëmarrjes aktive të çdo fëmije, duke e parë këtë 25-vjetor jo si pikë mbylljeje, por si një nisje të re për angazhime edhe më të mëdha në të ardhmen.

Drejt përfundimit tregu i ri i frutave dhe perimeve në Rajonin nr. 1

Punimet për ndërtimin e tregut të ri të frutave dhe perimeve në Rajonin nr. 1 po i afrohen fazës përfundimtare. Projekti ka përfshirë rindërtimin tërësor të markatës ekzistuese si dhe sistemimin e hapësirës së brendshme të bllokut të pallateve, duke krijuar një infrastrukturë moderne dhe funksionale.

Ky investim synon të garantojë standarde të larta higjiene, cilësie dhe sigurie për konsumatorët, si dhe kushte të përmirësuara pune për 35 tregtarët që do të operojnë në këtë hapësirë të re.

Projekti është realizuar falë bashkëpunimit midis Bashkisë Elbasan dhe IADSA, duke reflektuar angazhimin e përbashkët për investime të qëndrueshme në funksion të komunitetit.

Tregu i ri vjen si një premtim i mbajtur i Kryebashkiakut Gledian Llatja, i bërë gjatë takimeve me tregtarët dhe banorët e zonës, të cilët prej vitesh kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të tregtimit dhe sistemimin e hapësirës përreth ndërtesave.

Ky investim do të ofrojë jo vetëm një mjedis të rregullt dhe bashkëkohor, por edhe një pikë të rëndësishme funksionale për furnizimin e qytetarëve me produkte të freskëta dhe cilësore.