Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 22 Dhjetor 2025

Vijon fushata e pyllëzimit në Bashkinë Elbasan, mbi 15 mijë fidanë deri në muajin mars

Bashkia Elbasan vijon fushatën e pyllëzimit me synimin që deri në muajin mars të mbillen mbi 15 mijë fidanë të rinj në të gjithë territorin e saj. Fokus i kësaj nisme janë zonat e dëmtuara nga zjarret dhe erozioni, por edhe institucionet arsimore, duke e parë ndërgjegjësimin mjedisor si një proces që nis që në bankat e shkollës.

Në kuadër të kësaj fushate, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën e Zyrës Vendore të Arsimit Elbasan, Vesa Llana Lico, iu bashkuan nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Kuqan” për mbjelljen e pemëve në ambientet e shkollës.

Kryebashkiaku Llatja theksoi se përfshirja e fëmijëve dhe të rinjve është thelbësore për suksesin e nismave mjedisore.

 “Fëmijët dhe rinia janë mbështetja më e madhe për një mjedis më të gjelbër. Për këtë arsye, do të jemi të pranishëm në çdo shkollë të territorit të bashkisë me fushatën e pyllëzimit dhe pastrimit të mjedisit”, u shpreh ai.

Bashkia Elbasan synon që përmes këtyre aktiviteteve të kontribuojë jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së mjedisit, por edhe në edukimin e brezit të ri me vlerat e kujdesit dhe përgjegjësisë ndaj natyrës.

Integriteti vendor në fokus :Bashkia Elbasan, model kombëtar

Në kuadër të forcimit të qeverisjes së mirë dhe luftës kundër korrupsionit, u zhvillua paneli

“Ndërtimi i besimit: mendime për planin vendor të integritetit”, me asistencë nga programi Bashki të Forta.

Paneli mblodhi bashki, ekspertë dhe partnerë ndërkombëtarë për të ndarë praktikat më të mira në hartimin dhe zbatimin e Planeve Vendore të Integritetit, në përputhje me Strategjinë Kombëtare Antikorrupsion.

Bashkia Elbasan u identifikua si bashkia me Planin Vendor të Integritetit më të mirë në nivel kombëtar, falë qasjes së strukturuar, masave konkrete dhe mekanizmave të transparencës, monitorimit dhe llogaridhënies.

Takimi u mbështet nga SDC – Ambasada Zvicerane, Ambasada Suedeze, GIZ / Qeveria Gjermane, Mbretëria e Vendeve të Ulëta dhe CR Partners, duke sjellë një qasje të përbashkët për forcimin e integritetit në nivel vendor.

Integritet, transparencë dhe besim për qytetarët e Elbasanit.