Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 29 Dhjetor 2025

Grand Gala, koncerti që kurorëzoi aktivitetet artistike vjetore të Teatrit “Skampa”

Teatri “Skampa” u mbush plot me artdashës të qytetit në mbrëmjen gala të fundvitit “Grand Gala 2025”, një koncert tashmë i kthyer në traditë në jetën kulturore të Elbasanit. Publiku elbasanas, i informuar dhe i interesuar për këtë event, ndoqi me vëmendje dhe emocion një program të përzgjedhur me vepra të njohura të muzikës klasike botërore.

Koncerti u realizua nën drejtimin artistik dhe dirigjimin e Gridi Kraja, ku Orkestra Filarmonike e Elbasanit solli në skenë interpretime të nivelit të lartë profesional, duke konfirmuar rolin e saj të rëndësishëm në promovimin e muzikës serioze në qytet. Një kontribut të veçantë në këtë mbrëmje dha  Maestri Zeqir Sulkuqi, prania dhe përvoja artistike e të cilit i shtuan peshë dhe vlera koncertit.

Në këtë event morën pjesë edhe solistët e njohur të skenës muzikore shqiptare Eva Golemi, Kastriot Tusha, Sokol Hidersha dhe Keli Guga, të cilët u pritën me duartrokitje të shumta nga publiku. Mbrëmja u moderua nga Laerti Vasili dhe Atalanta Kërçyku, duke i dhënë koncertit një rrjedhë elegante dhe të natyrshme.

Me krenari u nderuan tre personalitete që kanë dhënë kontribut të çmuar për qytetin tonë, duke u akorduar titulli “Nderi i Qytetit”,  Bukurosh Stafa, për kontributin e vyer në industri dhe jetën publike.

Ali Shashaj, për përkushtimin e jashtëzakonshëm në fushën e edukimit.

Aristir Lumezi, për trashëgiminë e rëndësishme të lënë në gazetari dhe për edukimin e brezave të rinj.

Grand Gala 2025 është një nga aktivitetet e shumta kulturore të organizuara nga Bashkia Elbasan gjatë këtij fundviti, në kuadër të angazhimit të saj për të gjallëruar jetën artistike të qytetit dhe për t’u ofruar qytetarëve evente cilësore që promovojnë artin, kulturën dhe traditat muzikore.

Ky koncert u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, duke reflektuar mbështetjen e vazhdueshme institucionale për aktivitetet kulturore në qytet.

Elbasani forcon rolin industrial, firmoset kontrata për impiantin e parë MIDA Steel në Europë

Kurum International Albania dhe Danieli Officine Meccaniche S.p.A. kanë nënshkruar zyrtarisht kontratën e investimit për ndërtimin e një impianti të ri për prodhimin e çelikut në Zonën Industriale të Metalurgjikut në Elbasan.

 Ky projekt shënon një moment të rëndësishëm për industrinë shqiptare, pasi me realizimin e tij Shqipëria bëhet vendi pritës i impiantit të parë MIDA Steel në Europë, duke u pozicionuar drejtpërdrejt në tregun europian të çelikut të gjelbër dhe duke ndjekur standardet më të avancuara të teknologjisë dhe mbrojtjes së mjedisit.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili u shpreh se ky investim përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit industrial dhe zhvillimit ekonomik të qytetit. Sipas tij, hapja e impiantit të ri do të rrisë ndjeshëm numrin e vendeve të punës, duke krijuar mundësi konkrete punësimi për qytetarët e Elbasanit dhe zonave përreth, si dhe do të ndikojë pozitivisht në rritjen e ekonomisë lokale.

Ky investim strategjik pritet të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e rolit të Elbasanit si qendër industriale, duke nxitur zhvillimin e sektorëve të lidhur me industrinë e çelikut, rritjen e të ardhurave për familjet dhe përmirësimin e klimës së biznesit në qytet.

Ndërtimi i impiantit MIDA Steel konsiderohet gjithashtu një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm, pasi fokusohet në prodhimin e çelikut me teknologji moderne dhe miqësore me mjedisin, në përputhje me kërkesat e tregut europian.

Me këtë projekt, Elbasani dhe Shqipëria rrisin atraktivitetin e tyre për investime të avancuara dhe konfirmojnë pozicionin e tyre në hartën e industrisë së gjelbër në Europë, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin ekonomik dhe industrial të vendit.

Këshilli Bashkiak Elbasan, nderon pas vdekjes gazetarin Aristir Lumezi me titullin ‘Qytetar Nderi’

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka nderuar pas vdekjes gazetarin dhe kryeredaktorin Aristir Lumezi me titullin “Qytetar Nderi”. Mirënjohja iu dorëzua djalit të tij, duke simbolizuar trashëgiminë e rëndësishme që ai la pas në fushën e gazetarisë dhe edukimin e brezave të rinj.

Aristir Lumezi, me një karrierë prej dy dekadash, dha një kontribut të vyer në median e shkruar dhe atë vizive shqiptare. Ai ka shërbyer si gazetar i politikës dhe ka mbajtur postin e kryeredaktorit të gazetës Panorama, duke udhëhequr me profesionalizëm dhe etikë.

Në motivacionin e titullit theksohet:

“Për kontributin e çmuar në gazetarinë shqiptare si gazetar, pedagog dhe kryeredaktor, duke formuar breza të rinj profesionistësh dhe duke udhëhequr me profesionalizëm dhe etikë, për avancimin e gazetarisë dhe informimin e saktë të publikut.”

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, u shpreh se figura të tilla janë shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe përkushtim ndaj profesionit dhe komunitetit.