Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 5 Janar 2026

Bashkia Elbasan drejt një zgjidhjeje afatgjatë për menaxhimin e mbetjeve organike

Në këtë fillim viti, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka nisur takime me fokus çështjet mjedisore dhe përmirësimin e shërbimeve për komunitetin, duke i dhënë një rëndësi të veçantë menaxhimit të mbetjeve organike dhe të gjelbra. Në këtë kuadër, ai u takua me kryepleqtë dhe ndërlidhësit komunitarë për të diskutuar hapat konkretë drejt një zgjidhjeje afatgjatë për këtë problematikë.

Gjatë takimit u bë e ditur se ka nisur procesi i identifikimit të hapësirave urbane dhe rurale për krijimin e gropave të dekompostimit, të cilat do të shërbejnë për shndërrimin e mbetjeve të gjelbra në pleh organik dhe për uljen e ndjeshme të ngarkesës në koshat e mbetjeve.

Kryebashkiaku Llatja u bëri thirrje banorëve që të mos depozitojnë mbetjet e krasitjeve pranë koshave apo në vende të paautorizuara, duke rikujtuar se djegia e tyre është rreptësisht e ndaluar dhe ndëshkohet me ligj. Ai theksoi se respektimi i këtyre rregullave është thelbësor për ruajtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.

“Menaxhimi i mbetjeve organike nuk është thjesht një detyrë institucionale, por një përgjegjësi e përbashkët me komunitetin. Përmes dekompostimit jo vetëm që reduktojmë ndotjen, por krijojmë edhe vlera të reja për bujqësinë dhe hapësirat tona të gjelbra,” u shpreh kryebashkiaku Gledian Llatja.

Ndërkohë, Llatja bëri të ditur se me miratimin e buxhetit, ndërtimi i Qendrës së Kompostimit është një nga prioritetet e Bashkisë Elbasan për vitin 2026, si një investim strategjik për menaxhimin modern dhe të qëndrueshëm të mbetjeve organike.

Në përmbyllje, kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve vendore dhe qytetarëve mund të arrihet një mjedis më i pastër dhe më i shëndetshëm për të gjithë, duke theksuar se angazhimi i përbashkët është çelësi i suksesit të çdo nisme mjedisore.