Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shkurt 2026

Bashkia Elbasan nis bashkëpunimin me JICA dhe Fedinvest për ndërtimin e baxhos së qumështit në Kuqan

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) dhe institucionin financiar Fedinvest, ka hedhur hapat e parë të një projekti të rëndësishëm për ndërtimin e një baxhoje moderne qumështi në zonën e Kuqanit. Ky investim strategjik synon të krijojë kushte bashkëkohore për grumbullimin dhe përpunimin e qumështit, duke u ardhur në ndihmë fermerëve dhe blegtorëve të zonës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit e JICA-s dhe Fedinvest, ku u diskutuan hapat konkretë për zbatimin e projektit. Gjatë takimit u theksua rëndësia e këtij investimi për rritjen e vlerës së prodhimit vendas, forcimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë, si dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike për komunitetin rural.

Baxhoja e re do të funksionojë sipas standardeve më të mira bashkëkohore, duke garantuar cilësi, siguri ushqimore dhe akses më të lehtë të fermerëve në treg. Projekti pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave për familjet fermere, në zgjerimin e zinxhirit të vlerës së produkteve të qumështit dhe në nxitjen e sipërmarrjeve lokale.

Bashkia Elbasan mbetet e vendosur të mbështesë çdo iniciativë që i shërben komunitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Investime të tilla përkthehen në vende të reja pune, ekonomi më të fortë lokale dhe cilësi më të lartë jetese për qytetarët.

Trajnim dy ditor për energjinë e gjelbër në ndërtesat publike, Elbasani një hap më pranë neutralitetit klimatik

Në kuadër të projektit “Energji e Gjelbër dhe e Qëndrueshme në Ndërtesat e Elbasanit”, të cilin Bashkia Elbasan po implementon në bashkëpunim me Urban Research Institute, u zhvillua trajnimi dy-ditor “Sistemet e Energjisë, Ndërtesat dhe Auditimi i Energjisë: Korniza Konceptuale dhe Analitike” me ekspertët e fushës Prof. Asoc. Saimir Kristo, Dr. Gerdi Papa dhe Ing. Ledio Kosta, partnerët tanë në implementim nga Organizata “Njerëz dheIde“.

Ky aktivitet synon forcimin e kapaciteteve të stafit të institucioneve publike si Bashkia Elbasan, Prefektura e Qarkut Elbasan dhe Këshilli i Qarkut Elbasan, duke shtuar njohuritë në përmirësimin e menaxhimit të energjisë në ndërtesat publike dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.

#Një hap më pranë misionit të Qytetit drejt neutralitetik klimatik, pjesë e programin @NetZeroCities.

Investimet bujqësore në Jagodinë, model zhvillimi nga prodhimi te eksporti

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Evis Kushi, vizituan nga afër sipërmarrjen e fermerit Marsid Sula në Jagodinë, një shembull i suksesshëm i bujqësisë moderne dhe i forcimit të zinxhirit prodhim–treg. Gjatë takimit, ata vlerësuan investimet e realizuara dhe theksuan mbështetjen e vazhdueshme të bashkisë për iniciativa që nxisin ekonominë rurale dhe zhvillimin e gjelbër.

Fermeri Marsid Sula ka investuar jo vetëm në sera bashkëkohore, por edhe në ngritjen e një pike grumbullimi, duke krijuar kushte më të mira për ruajtjen dhe tregtimin e prodhimit. Aktualisht janë të mbjella rreth 3 hektarë sera me lakër Brukseli dhe pritet që sezoni të mbyllet me afro 50 ton prodhim.

Një pjesë e konsiderueshme e kësaj sasie ka nisur tashmë drejt tregjeve europiane, kryesisht në Poloni dhe Kroaci, çka dëshmon se prodhimet e Jagodinës përmbushin standardet e cilësisë dhe kanë potencial të fortë konkurrues jashtë vendit.

Ndërtimi i autostradës bujqësore ka luajtur rol kyç në këtë zhvillim, duke lehtësuar transportin, zgjeruar sipërfaqet e mbjella dhe rritur volumin e tregtimit. Ky investim infrastrukturor ka sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të zonës dhe në përmirësimin e jetës së fermerëve.

Bashkia e Elbasanit do të vijojë të mbështesë projekte që rrisin prodhimin vendas, mbrojnë mjedisin dhe e afrojnë bujqësinë me tregjet europiane, duke e kthyer Jagodinën dhe gjithë territorin në një model zhvillimi të qëndrueshëm.

Bashkia Elbasan e angazhuar pranë fermerëve për zhvillimin e bujqësisë dhe Skemën Kombëtare 2026

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, Ministri i Bujqësisë e Zhvillimit Rural Andis Salla, kryetari i Bashkisë së Peqinit Bukurosh Maçi dhe drejtoresha e AZHBR-së zhvilluan një takim me fermerët e Elbasanit dhe Peqinit, në kuadër të takimeve për Skemën Kombëtare 2026.

Ishte një diskutim i hapur dhe shumë i vlefshëm për nevojat reale të bujqësisë në territoret e dy bashkive.

Zëri i fermerëve dhe propozimet që vijnë direkt nga terreni janë udhërrëfyesi më i mirë për çdo vendim që synon të sjellë mbështetje konkrete dhe të drejtë.

Bashkia Elbasan do të vijojë të jetë pranë fermerëve, jo vetëm duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet përgjegjëse për Skemën Kombëtare 2026, me synimin që mbështetja të jetë më efikase, më transparente dhe e orientuar drejt prodhimit cilësor, por edhe përmes investimeve konkrete në terren: në kanalet kulluese dhe vaditëse, si edhe në rrugët rurale që lidhen me unazën bujqësore.

Këto investime nuk janë thjesht projekte infrastrukture , janë masa që rrisin prodhimin, ulin kostot, lehtësojnë transportin e produkteve dhe i japin bujqësisë më shumë mundësi për t’u zhvilluar dhe konkurruar.

Bashkia Elbasan dhe Save the Children për mentorimin rinor në mbrojtje të mjedisit

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, zhvilloi një takim me përfaqësues të organizatës Save the Children dhe me të rinj aktivë të qytetit, të cilët janë angazhuar si mentorë vullnetarë në shkollat e Elbasanit. Gjatë këtij takimi, të rinjtë ndanë përvojat e tyre mbi promovimin e edukimit mjedisor dhe praktikat konkrete që po përcjellin te bashkëmoshatarët.

Programi synon rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit, riciklimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke e vendosur rininë në qendër të ndryshimit pozitiv. Kryetari Llatja vlerësoi angazhimin e mentorëve të rinj dhe theksoi se Bashkia Elbasan do të vazhdojë të jetë pranë çdo iniciative që buron nga energjia, kreativiteti dhe mendimi i tyre.

“Rinia është forca që i jep jetë qytetit. Idetë dhe përkushtimi i tyre janë garancia për një Elbasan më të gjelbër, më të pastër dhe më europian,” u shpreh kryebashkiaku, duke nënvizuar rolin aktiv të institucionit në mbështetje të projekteve mjedisore dhe sociale.

Bashkia Elbasan mbetet e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin me organizatat partnere dhe shkollat, me qëllim krijimin e një kulture të qëndrueshme.