Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 11 Mars 2026

Sofrat e vogëlusheve për Ditën e Verës mbushin me ngjyra Parkun “Aqif Pasha”

Sofrat e Elbasanit këto ditë janë të mbushura plot në pritje të miqve për “Ditën e Verës” , por sofra më e bukur është ajo e vogëlushëve tanë të kopshteve.

Të stiluar me veshje popullore dhe nën një ekspozitë të punimeve të tyre artistike, fëmijët, të ulur në sofra, krijuan një atmosferë të ngrohtë e festive, duke e mbushur parkun me gjallëri dhe ngjyra.

Të vegjlit, të shoqëruar nga edukatorë dhe prindër, sollën sofrat e tyre të vogla të zbukuruara me elementë tradicionalë, gatime karakteristike të zonës dhe simbolin më të njohur të kësaj feste, ballokumen e Elbasanit. Sofrat u pasuruan gjithashtu me vizatime dhe punime artistike të realizuara nga vetë fëmijët, duke i dhënë aktivitetit edhe më shumë ngjyra dhe kreativitet.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, i cili përshëndeti fëmijët dhe vlerësoi rolin e prindërve dhe mësuesve në organizimin e kësaj nisme. Ai theksoi rëndësinë që kanë aktivitete të tilla në edukimin e brezave të rinj me traditat dhe vlerat e qytetit, duke shtuar se janë pikërisht këto momente që i gëzojnë më shumë fëmijët.

Ky aktivitet i mbushur me energji pozitive është një nga momentet më të bukura të festimeve, pasi përfshin fëmijët në ruajtjen dhe përcjelljen e traditave të qytetit.