Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 12 Mars 2026

Festë në Elbasan, qyteti ka hapur dyert për të gjithë

Në Elbasan, festa e pranverës nuk fillon vetëm më 14 mars. Ajo nis shumë më herët, duke e kthyer qytetin për disa ditë rresht në një skenë të madhe aktivitetesh kulturore, artistike dhe festive. Këtë vit, atmosfera e Ditës së Verës ka nisur që më 9 mars, duke sjellë çdo mbrëmje gjallëri në sheshe, rrugë dhe ambiente publike të qytetit.

Qyteti është ndriçuar nga dritat e skenave festive, ndërsa muzika dhe zërat e të rinjve kanë mbushur shëtitoret. Çdo mbrëmje ka sjellë një aktivitet të ri, koncerte, performanca artistike, aktivitete për fëmijë, panaire dhe programe kulturore që kanë tërhequr qytetarë dhe vizitorë të shumtë.

I veçanta e këtyre festimeve është se ato nuk përqendrohen vetëm në një ditë, por shtrihen në disa ditë rresht, duke i dhënë qytetit një ritëm të pandërprerë feste. Familje të tëra dalin në shëtitore, fëmijët mbushin hapësirat e dedikuara për lojëra, ndërsa të rinjtë bëhen pjesë e koncerteve dhe aktiviteteve artistike që zgjasin deri në orët e vona të mbrëmjes.

Panairet me produkte tradicionale dhe artizanale kanë sjellë një tjetër ngjyrë në qytet. Në stendat e vendosura përgjatë shëtitores, vizitorët kanë mundur të shijojnë ëmbëlsirat tradicionale, ndër të cilat nuk mungon simboli i kësaj feste, ballokumja, e përgatitur sipas traditës së hershme elbasanase.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, pohon se aktivitetet festive do të jenë të shumta gjatë gjithë javës, me këngëtarët më të njohur të Shqipërisë që do të ngjiten në skenat e qytetit. Ai thekson gjithashtu se të gjitha hotelet në Elbasan, përfshirë edhe ato në Gjinar e në Llixha janë tashmë të prenotuara, duke e kthyer qytetin në një qendër feste dhe shijimesh të larmishme për vizitorët.

Netët e festës kanë qenë gjithashtu një mundësi për të promovuar kulturën dhe traditën e qytetit. Grupet artistike, këngëtarët dhe formacionet muzikore kanë sjellë performanca që kanë bashkuar breza të ndryshëm rreth muzikës dhe vallëzimit.

I gjithë ky program i pasur aktivitetesh është organizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, me synimin për ta kthyer qytetin në një destinacion festiv gjatë gjithë këtyre ditëve të pranverës. Përmes këtij programi, Bashkia ka synuar jo vetëm ruajtjen e traditës së Ditës së Verës, por edhe gjallërimin e jetës kulturore dhe turistike të qytetit.

Dhe ndërsa çdo mbrëmje sjell aktivitete të reja, atmosfera festive kulmon në pragun e 14 marsit, kur Elbasani mbushet me vizitorë nga e gjithë Shqipëria për të përjetuar nga afër festën që prej shekujsh identifikohet me këtë qytet.

Në këto ditë, Elbasani duket sikur jeton në një ritëm tjetër. Rrugët janë më të mbushura, buzëqeshjet më të shumta dhe muzika nuk pushon. Është periudha kur qyteti hap dyert për të gjithë dhe kur pranvera festohet me një energji që vetëm Elbasani di ta krijojë.

18 shkolla në garë, “Kupa e Luleve” kurorëzon kampionët e basketbollit të shkollave 9-vjeçare

Kampionati i basketbollit për shkollat 9-vjeçare të qytetit të Elbasanit, “Kupa e Luleve”, ka përfunduar pas disa javësh garë plot energji, rivalitet sportiv dhe emocione të bukura për nxënësit pjesëmarrës.

Finalja e këtij kampionati u zhvillua në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”, ku skuadrat më të mira të turneut u përballën për titullin kampion, duke dhuruar një atmosferë entuziaste dhe ndeshje me ritëm të lartë.

Në finalen e vajzave u përballën ekipet e shkollës “Bardhyl Popa” dhe Green School. Pas një ndeshjeje me plot aksione të bukura, skuadra e “Bardhyl Popa” arriti të shpallet kampione e këtij edicioni.

Ndërkohë, në finalen e djemve u përballën ekipet e shkollave “Jorgji Dilo” dhe “Imelda Lambertini”. Në një përballje me rivalitet të fortë dhe lojë dinamike, titullin kampion e fitoi skuadra e “Jorgji Dilo”.

Kampionati i basketbollit “Kupa e Luleve”, i cili nisi më 2 shkurt, u organizua nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Elbasan në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Arsimit, duke bërë bashkë 18 shkolla 9-vjeçare të qytetit në një garë sportive.

Piktori Sadik Kasa shpallet “Qytetar Nderi” i Elbasanit në ekspozitën “Stinët”

Në hollin e Teatrit “Skampa” u hap për publikun elbasanas ekspozita “Stinët” e piktorit elbasanas Sadik Kasa, një takim i veçantë me veprat e një prej figurave më të spikatura të artit pamor në qytetin tonë.

Ekspozita solli një përmbledhje veprash që pasqyrojnë ndjeshmërinë artistike dhe përvojën e gjatë krijuese të autorit, duke ofruar një reflektim artistik mbi stinët e jetës përmes ngjyrave dhe peizazheve të piktorit.

Sadik Kasa është një nga emrat e njohur të artit pamor në Elbasan dhe më gjerë, me një krijimtari të gjatë dhe një kontribut të rëndësishëm në jetën artistike dhe kulturore të qytetit.

Një moment i veçantë i kësaj dite ishte akordimi i titullit “Qytetar Nderi” për piktorin Sadik Kasa, me motivacionin “Për kontributin e vyer në jetën artistike dhe kulturore, si një ndër artistët e rëndësishëm të qytetit, me një krijimtari të gjatë të një niveli të lartë profesional.”

Në ceremoninë e dhënies së titullit ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili vlerësoi punën dhe përkushtimin e piktorit Sadik Kasa ndër vite, në pasurimin e artit pamor dhe në zhvillimin e jetës kulturore të qytetit të Elbasanit.

Ambasadori i Italisë Marco Alberti vizitë zyrtare në Elbasan

Ambasadori i Italisë, Marco Alberti, zhvilloi një vizitë zyrtare në Elbasan, ku u prit në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, Gledian Llatja, duke vijuar më pas me një seri vizitash që pasqyrojnë bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor mes Elbasanit dhe partnerëve italianë.

Ambasadori vizitoi disa biznese italiane që ushtrojnë aktivitet në Elbasan, ku u njoh me investimet dhe zhvillimet e tyre në qytet.

Më pas, ai pa nga afër gatimin e ballokumes tradicionale të Elbasanit, të përgatitur me miell misri italian, duke vlerësuar lidhjen mes traditës lokale dhe produktit italian.

Kryetari Gledian Llatja e shoqëroi gjithashtu Ambasadorin në Bazilikën Paleokristiane pranë Rrapit të Bezistanit, ku diskutuan mundësitë për një investim të përbashkët për ta bërë këtë monument historik më të aksesueshëm me fonde të Bashkimit Evropian.

Vizita përfundoi me një shëtitje në qendrën e qytetit, ku Ambasadori shijoi atmosferën festive të Ditës së Verës dhe iu bashkua sofres tradicionale të Elbasanit, një traditë që ka ruajtur mikpritjen dhe kulturën qytetare ndër shekuj.

Kjo vizitë nënvizon angazhimin e Bashkisë së Elbasanit dhe kryetarit Gledian Llatja për të promovuar traditat, kulturën dhe mundësitë ekonomike të qytetit, si dhe për të forcuar marrëdhëniet me partnerët italianë.

Vogëlushët mbushin Parkun “Rinia” me këngë dhe buzëqeshje për Ditën e Verës

Parku “Rinia” u mbush me gëzim, ngjyra dhe energjinë e fëmijëve gjatë koncertit festiv të kopshteve, organizuar në kuadër të festimeve të Ditës së Verës. Dhjetëra vogëlushë u ngjitën në skenë, duke sjellë këngë, valle dhe interpretime të ndryshme artistike që krijuan një atmosferë të ngrohtë festive për të gjithë të pranishmit.

Me kostume shumëngjyrëshe dhe plot entuziazëm, fëmijët dhuruan emocione të bukura për prindërit dhe qytetarët që kishin mbushur parkun për të ndjekur aktivitetin. Interpretimet e tyre u shoqëruan me duartrokitje të shumta, duke e kthyer këtë koncert në një moment të veçantë të festës.

Ky aktivitet solli në qendër talentin dhe energjinë e më të vegjëlve, të cilët me spontanitetin dhe gëzimin e tyre i dhanë një tjetër gjallëri festimeve të Ditës së Verës në qytet. Koncerti i kopshteve në Parkun “Rinia” u kthye kështu në një nga momentet më të dashura për familjet dhe komunitetin, duke mbledhur së bashku shumë qytetarë në një atmosferë të bukur festive.