Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 14 Mars 2026

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu pjesë e festimeve që e kthyen Elbasanin në kryeqytetin e Ditës së Verës

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu iu bashkua sot festimeve të Dita e Verës në Elbasan, duke vizituar nga afër aktivitetet dhe stendat e ngritura në qendër të qytetit, ku prezantohen produktet tradicionale, zejet dhe gatimet karakteristike të zonës.

Gjatë vizitës së saj, Koçiu u ndal në stendat e zonave të mbrojtura të qarkut të Elbasanit, te panairi i zejeve dhe te përgatitja e ballokumeve, simboli më i njohur i kësaj feste.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u shoqërua gjatë vizitës së saj në Elbasan nga kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, deputetë të qarkut të Elbasanit, drejtuesi politik i qarkut Arbjan Mazniku, prefekti i qarkut Ilir Bejtja, si edhe kryetarja e Këshillit të Qarkut Ermira Urupi.

Prej disa ditësh Elbasani është kthyer në kryeqendrën e festimeve të Ditës së Verës, mes atmosferës festive, aktiviteteve kulturore dhe koncerteve që kanë mbledhur qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, por edhe turistë të huaj.

Festimet kanë nisur zyrtarisht më 9 mars, me një agjendë të pasur aktivitetesh për qytetarët dhe vizitorët, ndërsa qyteti ka veshur dekorin pranveror dhe atmosfera e festës ndihet në çdo lagje të tij.

Dita e Verës: Tradita, organizimet dhe koncertet e festës

14 marsi njihet si Dita e Verës, një nga festat më të vjetra shqiptare, me rrënjë në paganizëm.

Kjo festë kombëtare ka marrë përmasa të mëdha në Elbasan, ku dita nis me paradën e nxënësve të shkollave 9-vjeçare që i shton çdo vit ngjyra dhe gjallëri karnavaleve të Dita e Verës në Elbasan.

Me pankarta dhe mesazhe plot kreativitet, street art, animacione e lojëra për fëmijë ata sjellin energjinë dhe gëzimin e festës në zemër të qytetit.

Dita e Verës simbolizon largimin e dimrit dhe kremtimin e nisjes së një stine të re. Kryesisht kjo festë është kremtuar në Elbasan, qytet i cili ka traditën e tij si në festime ashtu edhe në përgatitjen e sofrës karakteristike të kësaj dite.

Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës dhe që dilte nga faltorja ditën e 14 marsit.

Ballokumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste, të gatuara enkas për këtë ditë. Ato gatuhen me miell misri, gjalpë, vezë dhe sheqer të imët.

Një tjetër detaj i kësaj feste është vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk i bërë prej fijesh të bardha e të kuqe.

Festa këtë vit nuk u përqendrua vetëm në datën 14, por nisi që në datë 9 mars. Bashkia Elbasan ka mbështetur organizimin e një sërë aktivitetesh të cilat përfshijnë mosha të ndryshme dhe kanë bërë që të rritet numri i vizitorëve në këtë qytet.

Këtë 14 mars, në Elbasan pritet të performojnë MC Kresha, Lyrical Son, Lorenc Hasrama, Anxhela Peristeri dhe DJ Noiian.

Përveç tregut të prodhimeve artizanale  vendin e nderit e ka ëmbëlsira tradicionale e festës, ballakumja.

Në darkë, tek sheshi “Gensher”, vjen për herë të parë një nga emrat e njohur ndërkombëtarisht, DJ Regard. Por festa në Elbasan, nuk do të mbyllet më 14 mars. Ajo të vijojë me koncertin përmbyllës, ditën e diel më 15 mars me këngëtaret Eranda Libohova dhe Era Rusi.

Nata e Verës ndez Elbasanin, mijera qytetarë festojnë deri në orët e para të mëngjesit

Mbrëmja e 13 marsit e ka gjetur Elbasanin të mbushur me drita, muzikë dhe atmosferë festive, në natën më të madhe të qytetit në prag të festës së Ditës së Verës. Sheshi “Gensher” u shndërrua në një skenë të madhe feste, ku qindra qytetarë dhe vizitorë u mblodhën për të përjetuar traditën më të dashur të qytetit.

Në skenën e ngritur në zemër të qytetit u ngjitën artistë të njohur të muzikës shqiptare si Xhensila Myrtezaj, Ledri Vula, Eneida Tarifa, Mato Lale dhe DJ NOIIAN, të cilët sollën një atmosferë elektrizuese me performancat e tyre.

Shumë drita, shumë njerëz, një natë e bardhë plot alegri, këngë dhe kërcim, kështu u përjetua kjo mbrëmje festive në qytetin e Elbasan, ku tradita e Dita e Verës ka lindur dhe është përcjellë brez pas brezi prej shekujsh.

Aktivitetet janë pjesë e një kalendari të pasur festimesh të organizuara nga Bashkia Elbasan, që prej ditësh kanë sjellë në qytet panaire, aktivitete kulturore dhe artistike për të gjitha moshat, ndërsa festimet vijojnë edhe gjatë 14 marsit.

Sheshi “Gensher” u mbush me qytetarë dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria, të cilët festuan së bashku deri në orët e para të mëngjesit, duke e kthyer natën e 13 marsit në një festë të paharrueshme për qytetin.

Sepse askush nuk e feston Ditën e Verës si Elbasani, qyteti ku kjo festë ka lindur dhe ku çdo vit rikthehet me të njëjtën energji, traditë dhe dashuri për jetën.