Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Mars 2026

Vendime me fokus social, Këshilli Bashkiak mbështet shtresat në nevojë

Këshilli Bashkiak i Elbasanit në mbledhjen e tij të radhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme sa i përket jetës sociale dhe ekonomike të qytetit.

Parlamenti i qytetit dhe Bashkia e Elbasanit kujdesen që investimet, por edhe shërbimet të shkojnë tek qytetari në mënyrë të barabartë, pavarësisht ku jeton.

Këshilli miratoi në unanimitet propozimin e Shërbimit Social, për vendosjen e personave në nevojë në qendrat rezidenciale.

Shërbimi social pasi vlerëson nevojat dhe kushtet në të cilat personi jeton propozon vendosjen në qendrat rezidenciale, vendim i cili më pas merret nga Këshilli Bashkiak.

Elbasani nis zbukurimin për “Ditën e Verës 2026”, qyteti vishet me ngjyrat e pranverës

Edhe pak ditë na ndajnë nga nisja e maratonës së aktiviteteve për “Ditën e Verës 2026”, festën më të dashur dhe më përfaqësuese të Elbasanit, ku tradita, ngjyrat dhe gëzimi bashkohen në një atmosferë unike që e dallon qytetin në mbarë vendin.

Rreth dy javë përpara 14 Marsit, qyteti ka nisur të marrë pamjen festive. Dekori pranveror po vendoset në akset kryesore dhe në qendër, ku mbizotërojnë lulet shumëngjyrëshe dhe simboli i kësaj feste, lulja e diellit. E çelur në çdo oborr, lulishte e park të qytetit, ajo paralajmëron ardhjen e stinës së re dhe ringjalljen e natyrës, duke u kthyer në imazhin më përfaqësues të Ditës së Verës në Elbasan.

Punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike po punojnë çdo ditë për instalimin e elementëve dekorativë, shtepizave karakteristike prej druri dhe hapësirave ku do të ekspozohen punimet tradicionale elbasanase. Artizanët vendas do të kenë mundësinë të prezantojnë  mjeshtërinë e tyre, duke sjellë për qytetarët dhe vizitorët një atmosferë autentike panairi.

Sigurisht, kulinaria nuk do të mungojë. Ballokumja, simboli i kësaj feste pagane, së bashku me gatime të tjera tradicionale, do të jenë pjesë e tryezës së madhe festive që çdo vit mbledh mijëra vizitorë në Elbasan.

“Dita e Verës 2026” pritet të sjellë një kalendar të pasur aktivitetesh, koncerte dhe surpriza, duke e kthyer qytetin në një skenë të hapur feste. Elbasani po vishet me ngjyrat e pranverës dhe po përgatitet të mirëpresë, si çdo vit, festën që buron nga tradita shekullore dhe identiteti i tij.

Gati për festë, traditë, kulinari dhe plot koncerte!