Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

83 vite nga krijimi i Batalionit të Parë të Shpatit, ceremoni përkujtimore në Tregan

Prodhimi bujqësor në Bashkinë e Elbasanit po njeh rritje nga viti në vit, ndërsa organizimi i fermerëve në Shoqëri të Bashkuara Bujqësore mbetet një nga prioritetet kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit. Ky ishte edhe mesazhi i përcjellë nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë vizitës në Shushicë, ku së bashku me deputeten Evis Kushi u takua me fermerët dhe pa nga afër parcelat me pjeshkë.
“Nga viti në vit prodhimi vjen në rritje. Prandaj prej kohësh po punojmë për të bashkuar fermerët, si ata që kanë serat në fushën e Elbasanit, ashtu edhe fermerët e pemëtarisë në zonat tona kodrinore, siç është Shushica. Qëllimi ynë është krijimi i Shoqërive të Bashkuara Bujqësore, të cilat do t’u japin fermerëve më shumë mundësi për të zhvilluar aktivitetin e tyre dhe për të qenë më të fortë në treg”, u shpreh Llatja.
Kryebashkiaku bëri të ditur se një tjetër hap i rëndësishëm në këtë drejtim është edhe vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave, përmes të cilit kaloi në pronësi toka bujqësore në Thanë, ku do të ndërtohen kapanone bujqësore dhe pika frigoriferike në shërbim të fermerëve të organizuar në Shoqëritë e Bashkuara Bujqësore.
“Këto janë mbështetje konkrete për fermerët tanë. Çmimet janë të paqëndrueshme, sidomos në sezonet kur ka mbiprodhim të produkteve bujqësore dhe të pemëtarisë. Me ndërtimin e pikave frigoriferike fermerët do të kenë mundësi t’i ruajnë produktet dhe t’i nxjerrin në treg në momentin kur çmimi është më i favorshëm. Pikërisht këtë synojmë, t’u krijojmë ambiente të përbashkëta për grumbullimin dhe ruajtjen e prodhimeve, duke ecur në këtë rrugë së bashku me fermerët”, tha Llatja.
Deputetja Evis Kushi vlerësoi punën e fermerëve të Shushicës dhe të gjithë zonës së Shpatit, duke theksuar se investimet në bujqësi dhe infrastrukturë po japin rezultate konkrete.
“Fermerët e Shushicës dhe të zonës së Shpatit janë njerëz punëtorë dhe investimet që bëjnë janë investime të zgjuara. Edhe ne po japim kontributin tonë me investime që u shërbejnë drejtpërdrejt fermerëve. Pak kohë më parë përuruam një kanal vaditës dhe tashmë janë tre kanale vaditëse që ndihmojnë bujqësinë në këtë zonë, ndërsa edhe investimet në infrastrukturën rrugore ua kanë lehtësuar punën fermerëve”, u shpreh Kushi.
Vizita në Shushicë u fokusua te mbështetja që po u jepet fermerëve përmes krijimit të Shoqërive të Bashkuara Bujqësore, investimeve në infrastrukturën vaditëse dhe ndërtimit të kapaciteteve për grumbullimin e ruajtjen e prodhimeve, me synimin për të rritur vlerën e prodhimit vendas dhe të ardhurat e fermerëve.