Atmosfera e makinave klasike pushton sheshin “Gensher” në Elbasan
Kjo e diel e ka gjetur qytetin e Elbasanit të mbushur me ngjyra, muzikë dhe makina ikonike, në kuadër të aktivitetit “Oldtimer Fest Elbasan”, i organizuar nga Vw Club Albania.
Që në orët e paradites, sheshi “Gensher” është kthyer në një pikëtakim për shumë qytetarë, vizitorë dhe të apasionuar pas automjeteve klasike, të cilët kanë ndjekur nga afër ekspozimin e mjeteve historike që kanë sjellë nostalgji dhe atmosferë festive në zemër të qytetit.
Makinat retro, të kuruara në detaje dhe me modele të veçanta ndër vite, kanë tërhequr vëmendjen e të rinjve dhe familjeve, ndërsa muzika dhe DJ set kanë shoqëruar aktivitetin duke e kthyer këtë të diel në një festë të hapur për të gjithë.
Pjesë e programit është edhe parakalimi i automjeteve nëpër rrugët e qytetit, me destinacion Parkun e Krastës, ku aktiviteti do të vijojë me muzikë live, barbeque dhe aktivitete të tjera argëtuese.
“Oldtimer Fest Elbasan”, organizuar nga Gentian Bici dhe Ervin Skënderi, po sjell një atmosferë ndryshe në qytet, duke e kthyer Elbasanin në një qendër të pasionit për makinat klasike dhe jetën sociale këtë fundjavë.