Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Bashkëpunimi me TİKA-n do të vijojë

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Koordinatorin e ri të Programit TİKA për Shqipërinë, z. Murat Ölçenoğlu, panë nga afër disa prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit.

Gjatë vizitës, ata u ndalën në Bazilikën e Bezistanit, një nga dëshmitë më të hershme të historisë së Elbasanit, në Kalanë e Elbasanit, simbol i identitetit dhe historisë shumë shekullore të qytetit, si edhe në Xhaminë Mbret, e cila së fundmi është restauruar falë bashkëpunimit mes Bashkisë Elbasan dhe TİKA-s.

E ndërtuar në vitin 1464, Xhamia Mbret është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe fetare të Elbasanit. Restaurimi i saj ka rikthyer në vlerë një pasuri të çmuar historike, duke kontribuar edhe në pasurimin e ofertës turistike të qytetit.

Gjatë vizitës u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes Bashkisë Elbasan dhe TİKA-s në restaurimin dhe ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore, ndërsa u theksua se ky partneritet do të vijojë edhe në të ardhmen me projekte të reja në shërbim të mbrojtjes dhe promovimit të vlerave historike e kulturore të Elbasanit.