Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Bashkia Elbasan pjesë e iniciativës AI4Society

Bashkia Elbasan është përzgjedhur si bashkia shqiptare që do të luajë një rol kyç në iniciativën ndërkufitare AI4Society, duke kontribuar në identifikimin e sfidave dhe nevojave lokale që mund të adresohen përmes zgjidhjeve dixhitale dhe Inteligjencës Artificiale.

Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua takimi i parë për vlerësimin e nevojave, organizuar në bashkëpunim me Build Green Group, ku u prezantua iniciativa dhe u diskutua mbi prioritetet strategjike të Bashkisë, sfidat aktuale dhe mundësitë për përdorimin e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në përmirësimin e shërbimeve publike dhe vendimmarrjes së bazuar në të dhëna.

Në fokus të diskutimeve ishte identifikimi i nevojave konkrete të Bashkisë, të cilat në fazat e mëtejshme të projektit do të shërbejnë si bazë për zhvillimin e zgjidhjeve dhe prototipeve inovative të bazuara në AI.

Përmes një hackathon-i ndërkufitar, programit të mentorimit dhe validimit nga ekspertë, të rinjtë inovatorë dhe ekspertët do të punojnë mbi sfidat e identifikuara, me synimin për t’i kthyer ato në zgjidhje praktike që i përgjigjen nevojave të administratës dhe qytetarëve.

🤝AI4Society krijon një mundësi të re për Bashkinë Elbasan për të lidhur nevojat lokale me inovacionin, teknologjinë dhe potencialin e të rinjve, duke kontribuar në zhvillimin e shërbimeve publike më inteligjente, efikase dhe të orientuara drejt qytetarit.

Iniciativa AI4Society zbatohet nga Build Green Group, në partneritet me NALED dhe Reputeo, me mbështetjen e Open Society Foundations – Western Balkans.