Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

OSBE DHE BASHKIA, NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJEN E MIRËKUPTIMIT ME KVSP

OSBE dhe bashkia Elbasan kanë nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit, si dëshmi e bashkëpunimit dhe partneritetit të vazhdueshëm me Këshillin Vendor të Sigurisë Publike (KVSP).

Marrëveshja e Mirëkuptimit krijon një kuadër të përgjithshëm bashkëpunimi dhe koordinimi të aktiviteteve të përbashkëta ndërgjegjësuese për rrezikun dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit ndërmjet palëve përkatëse të interesit, si pjesë e KVSP-së së Elbasanit.

KVSP-të, të cilat janë mbështetur nga Prezenca në të gjithë vendin që prej vitit 2016, bashkojnë një gamë të gjerë institucionesh dhe aktorësh, duke garantuar përfaqësimin e të gjithëve, që nga qeverisja kombëtare, institucionet lokale, komunitetet fetare, organizatat joqeveritare dhe të rinjtë, duke shërbyer si forume që rrisin pjesëmarrjen e publikut në çështjet e sigurisë.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt gjatë mbledhjes së Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, me pjesëmarrjen e aktorëve lokalë si Policia e Shtetit, Prokuroria, Shërbimi Social dhe përfaqësues të disa Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC).

Aktivitetet ndërgjegjësuese janë pjesë integrale e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta” , i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së , me fonde të Bashkimit Evropian , Gjermanisë dhe Francës .

Fjala e Kryetarit të Bashkisë Z. Gledian Llatja

Të nderuar anëtarë të Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, i nderuar Ambasador i pranisë së OSBE në Shqipëri, Zoti Mikel Karan, faleminderit për prezencën tuaj që për herë të parë si ambasador po vini në Elbasan pas disa vizitave shumë vite më parë. Shumë faleminderit për mbështetjen që i dhatë ju personalisht por edhe OSBE-së Këshillit Vendor të Sigurisë Publike në Elbasan por edhe KZVP-së në të gjithë rajonin.

I nderuar Drejtor i Policisë Vendore të Qarkut Elbasan, Zoti Ilir Proda, shumë faleminderit që jeni prezent sot në këtë mbledhje të KVSP dhe shumë faleminderit për të gjithë punën e mirë dhe bashkëpunimin ndërmjet strukturave të policisë dhe strukturave të komunitetit dhe ato komunitare kanë ndërmjet tyre.

I nderuar zv/drejtues i Prokurorisë së Elbasanit, z. Xheljan Seferi, shumë faleminderit që jeni sot prezent, për të gjithë punën e mirë që ka bërë institucioni juaj në bashkëpunim edhe me Komisariatin e Policisë Elbasan për të gjitha ato çështje të ndjeshme që ne kemi pasur dhe kemi si komunitet, por edhe për bashkëpunimin e mirë që ka me OJQ-të të cilat zhvillojnë aktivitetin në Elbasan, dhe është një shembull i mirë që duhet të merret nga shumë institucione të tjera, për bashkëpunimin dhe marrëveshjet e bashkëpunimit tashmë të kolauduara ndërmjet këtyre institucioneve.

Shumë falënderir anëtarëve të Këshillit Bashkiak, shumë faleminderit sekretarit të gjykatës, institucioneve shëndetësore, të rinjve të cilët kanë ardhur nga Këshilli Rinor dhe janë prezent sot këtu si edhe OJF-ve që zhvillojnë aktivitetin në Elbasan, Shoqatës së Grave, përfaqësuesve të Drejtorisë Arsimore, për bashkëpunimin e mirë.

Elbasani ka një Këshill Vendor të Sigurisë Publike i cili shumë herë është marrë shembull, por kjo tavonë ku ne jemi sot, është ajo tavolinë e punës ku ne zgjidhim shumë nga problematikat tona. Sekretari i Dhomës së Tregtisë na është gjendur pranë në të gjitha rastet tona ku kemi pasur nevojë të punësojmë kryesisht gratë e dhunuara apo shtresat në nevojë. Bashkëpunimi ndërmjet KVSP dhe biznesit të Elbasanit ka qenë një xhevahir i mirë për komunitetin dhe për punën tonë.

Jemi mbledhur sot për të adresuar një çështje me rëndësi të madhe që është “Ndërgjegjësimi për përdorimin e armëve të lehta dhe të vogla”. Sot ne mblidhemi këtu për të hedhur dritë mbi temën e përhapjes dhe shpesh të anashkaluar të armëve të lehta dhe të vogla si një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë e komuniteteve tona. Armët e lehta dhe të vogla luajnë një rol të rëndësishëm për formimin e konflikteve dhe dhunës. Ato janë lehtësisht të transportueshme, të arritshme për parandalimin e tyre dhe ajo që është më e rëndësishme për shmangien e çdo situate të papëlqyeshme nga ne të gjithë.

Pranoj sot se ne jemi sërish bashkë për të punuar drejt një shoqërie ku paqja dhe siguria mbizotëron tek të gjithë dhe duhet të jetë tema e diskutimeve tona të përbashkëta. Faleminderit për vëmendjen dhe angazhimin tuaj në kuadër të kësaj çështje kaq të rëndësishme për ne të gjithë.

Rruga ” Hajdar Blloshmi”, nga një zonë informale në një lagje rezidenciale     

Rruga “Hajdar Blloshmi”, një zonë informale në lagjen “5 Maji”, ka pasur shumë probleme sidomos në stinën e dimrit me reshje shiu, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim. Edhe pse punimet janë drejt fundit, ku po vendosen pusetat dhe ndriçimi, tashmë kjo lagje, e cila ka vila dhe shtëpi individuale, po shndërrohet në një lagje rezidenciale.

Gjatë inspektimit të punimeve në këtë zonë, kreu i bashkisë, z. Gledian Llatja, së bashku me drejtuesin politik të qarkut, Damian Gjiknuri, theksuan investimet e shumta që janë kryer në lagjen “5 Maji” dhe që po vijojnë ende.

“Në këtë lagje kemi nisur një plan të madh për urbanizimin. Para disa ditësh kemi mbyllur edhe pjesën e kanalizimeve të ujërave të zeza në zonën e “Teqes”, që është një nga lagjet e mëdha të zonës së Elbasanit,” tha z. Llatja.

Drejtuesi politik i qarkut, Damian Gjiknuri, theksoi rëndësinë e investimeve në rrugë, të cilat sipas tij janë ndër më kryesoret për komunitetin. “Edhe kjo rrugë ka qenë një premtim në fushatë dhe një fjalë e mbajtur, dhe ky investim i mbetet banorëve”, tha ai. Në këtë lagje janë dy shkolla, dhe rruga u shërben edhe nxënësve të shkollës. Në Elbasan janë kryer një sërë punimesh të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës dhe urbanizimit. Këto përfshijnë ndërtimin e rrugëve të reja, sistemimin e kanalizimeve, dhe përmirësimin e ndriçimit publik. Këto investime kanë pasur ndikim të madh në jetën e përditshme të banorëve, duke rritur cilësinë e jetesës dhe lehtësuar qarkullimin në zonë.

Investimi në infrastrukturë në zonën  e Rrapishtës, një tjetër premtim i mbajtur                                                        

Një tjetër premtim i mbajtur nga Bashkia e Elbasanit lidhur me përmirësimin e infrastrukturës në lagjen ” 5Maji” në Elbasan. Bëhet fjalë për zonën e Rrapishtës, në rrugën ” Petër Dodbiba”  ku jeton një pjesë e konsiderueshme e komunitetit rom. Investimi i fundit në këtë zonë është asfaltimi i rrugës, një projekt që përfundoi së fundmi.

Gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve, kreu i bashkisë Gledian Llatja së bashku me drejtuesin politik të qarkut Damian Gjiknuri, shprehën bindjen se të gjitha zonat informale do të kthehen në zona formale dhe se të gjitha premtimet do të përkthehen në investime konkrete.

Kreu i bashkisë duke bërë edhe një përmbledhje të investimeve të kryera në këtë zonë u shpreh se  “ përfunduam të gjithë tubacionet e ujit të pijshëm në këtë bllok lagjeje në “5 Maji”, e cila konsiderohej si një lagje periferike, sepse është një lagje e urbanizuar pas viteve ’90 me probleme të mëdha infrastrukturore, por që me ndërhyrjet e vazhdueshme që janë bërë që para një viti në disa segmente rrugore, tashmë i gjithë blloku i rrugëve në shkollën “Hamit Mullisi”, që është shkolla kryesore e zonës së Rrapishtës, është përfunduar. Ky investim është pritur mjaft mirë edhe nga stafi i shkollës.”

Gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, kjo ishte një kërkesë e madhe nga banorët. Tashmë është gjetur edhe zgjidhja për shkollën, e cila pasi të largohet Drejtoria e Targave dhe Patentave pranë Auto Moto Parkut, godina do të kthehet në shkollë. Kërkesa e dytë ishte rruga. “Pavarësisht se është zonë informale, ne e kemi në vëmendje të veçantë për infrastrukturën”, shtoi Llatja.

Mësuesit e shkollës u  shprehën se prej vitesh askush nuk kishte ndërhyrë në këtë zonë, dhe ky është një investim shumë i madh sa i përket infrastrukturës, duke ofruar edhe komoditet për nxënësit.

Drejtuesi politik i qarkut, Damian Gjiknuri,  edhe një herë vuri në dukje një sërë premtimesh të mbajtura nga kreu i bashkisë si edhe qeveria shqiptare e cila ka një vëmëndje të vecantë për Elbasanin.  “Premtimi i dhënë është fjalë e mbajtur. Kryetari e dha fjalën me projektet dhe qeveria e mbështeti nëpërmjet FSHZH, pasi shkolla është një nga institucionet më të rëndësishme të këtij komuniteti. Elbasani përditë po ndryshon. Gjatë këtij sezoni veror janë hapur shumë kantiere në ujësjellës, kanalizime, asfaltim dhe ndriçim të infrastrukturës publike, duke e bërë Elbasanin një qytet më të mirë. Ky investim në këtë bllok është një ndryshim i rëndësishëm për banorët, pasi prej vitesh nuk ishte vënë dorë.”

Elbasani po ndryshon çdo ditë për mirë. Me investime të shumta në infrastrukturë, shërbime publike dhe projekte zhvillimore, qyteti po bëhet një vend më i mirë për të gjithë banorët e tij.

Punonjësit e ASHP, në terren për riparimin e rrugëve dhe trotuareve

Është për t’u admiruar puna e palodhur e kolegëve të Shërbimeve Publike që vazhdojnë me përkushtim të riparojnë rrugët dhe trotuaret, pavarësisht kushteve të vështira të motit.

 Sidomos në lagjen “Haxhias”, ku trotuaret ishin në gjendje shumë të keqe, përmirësimi dhe sistemimi i tyre me pllaka është një hap i rëndësishëm për komunitetin.

Kjo do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të përshtatshëm për këmbësorët.

Transformimi i rrugës “Naim Çerraga”, nga zonë informale në një lagje moderne

Çdo herë që përmendej rruga “Naim Çerraga”, pak njerëz e besonin se kjo zonë informale do të kthehej ndonjëherë në një zonë plotësisht formale dhe moderne. Sot, ky realitet është bërë i prekshëm për banorët, të cilët janë mbledhur për të përshëndetur investimin e Bashkisë së Elbasanit, i iniciuar nga kreu i bashkisë z. Gledian Llatja. Ata falënderojnë kryetarin e bashkisë që pas kaq vitesh e ktheu këtë zonë me standarde dhe kushte normale, duke i dhënë fund premtimeve 30-vjeçare nga shumë përfaqësues politikë.

Banorët vlerësojnë investimin duke e cilësuar si një rrugë më të mirë se ato të qytetit. Kjo lagje, e cila konsiderohej informale, deri para tre vitesh përballej me probleme të mëdha si kanalizimet e ujërave të zeza, furnizimi me ujë të pijshëm dhe infrastruktura rrugore. Sot, kjo rrugë është ekzistente dhe funksionale, falë një investimi të përfunduar brenda një viti e gjysmë.

Gjatë inaugurimit të kësaj zone, kreu i bashkisë z. Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputeti Florenc Spaho, theksoi investimet e shumta që bashkia ka nisur për infrastrukturën rrugore, furnizimin me ujë të pijshëm në të gjithë qytetin dhe kanalizimet e ujërave të zeza në lagjet informale si “NSHU” dhe “Krastë”.

 “Ajo që kemi thënë, e kemi në fokusin tonë kryesor,” tha z. Llatja.

Deputeti Spaho vlerësoi entuziazmin e banorëve, të cilët më parë e quanin këtë lagje një fshat, ndërsa tani e ndjejnë veten qytetarë të vërtetë.

“Kjo lagje tani, me këtë investim madhor, do të marrë një vlerë tjetër,” tha Spaho.

Ky transformim është një dëshmi e përkushtimit të bashkisë Elbasan për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për të kthyer zonat informale në pjesë të integruara dhe moderne të qytetit, që sjellin ndryshim pozitiv në komunitet.

Investime të rëndësishme në infrastrukturë në lagjen “5 Maji”

Kreu i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, së bashku me drejtuesin politik të qarkut Damian Gjiknuri dhe deputeten Evis Kushi, inspektuan punimet në lagjen “5 Maji”.

 Rrugica “Sava Papajani” ka përfituar përmirësime të mëdha me kanalizime të reja dhe asfaltim, duke përfituar 400 banorë.

 Kjo zonë në lagjen “5 Maji” ka pasur probleme të theksuara infrastrukture, pasi është një zonë informale e ndërtuar pas viteve ’90

 Kreu i bashkisë, z. Llatja, parashtroi një sërë investimesh që janë kryer dhe vijojnë në këtë zonë.

“Pasi bëmë kanalizimet e ujit të pijshëm, i gjithë tubacioni i ri, në bashkëpunim edhe Ujësjellës Kanalizme dhe me projektin e madh që kemi bërë edhe me KFV – në, përmbyllëm edhe ciklin e shtresave asfaltike.

  Para dy vitesh kemi ndërhyrë tek rruga tjetër lidhëse, po vazhdojmë me ngritjen e pusetave, do të vazhdojmë me përmbylljen e sahateve, një sërë investimesh të tjera të vogla por që do të përmbyllin të gjithë investimin e madh që po bëhet në infrastrukturën rrugore”, tha Llatja.

Drejtuesi politik i qarkut Damian Damian Gjiknuri e vuri theksin tek punët masive që po kryhen në Elbasan për infrastrukturën e plotë të qytetit.

Ai deklaroi se “këto investime janë shoqëruar edhe me ndërhyrje nga Ujësjellës Kanalizimet për infrastrukturën e ujit dhe ujërave të zeza. Qëllimi ka qenë që Elbasani në të gjithë territorin e tij të jetë me infrastrukturë të kompletuar. Edhe pse janë ditë të nxehta vere, jemi në punë duke parë nga afër punimet, të cilat vazhdojnë. Elbasani po ndryshon, po vazhdon të zhvillohet me një infrastrukturë shumë të mirë dhe do të jetë një qytet shumë i mirë për qytetarët e Elbasanit, pasi qeveria e ka mbështetur dhe do ta mbështesë Elbasanin në të gjitha drejtimet.”

Inspektimi i fundit në Elbasan thekson angazhimin e autoriteteve lokale dhe qendrore për përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësinë e jetës së banorëve. Investimet e vazhdueshme dhe përmirësimet infrastrukturore po i japin një fytyrë të re qytetit, duke e bërë atë një vend më të mirë për të jetuar.

Investimet në lagjen “Haxhias” po transformojnë infrastrukturën

Investimet në lagjen “Haxhias” po transformojnë infrastrukturën në këtë zonë të madhe dhe problematike të Elbasanit. Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, së bashku me drejtuesin politik të qarkut, Damian Gjiknuri, dhe deputeten Evis Kushi, gjatë një inspektimi të fundit, vlerësuan përparimet e bëra.

Kreu i bashkisë z. Gledian Llatja theksoi se “ndërhyrjet rehabilituese në infrastrukturë po kryhen çdo gjashtë muaj, ku paralelisht po punohet edhe me Ndërrmatjen e Punëve Publike duke përmirësuar rrugët, sistemimin e ujërave të bardha dhe trotuaret”.

 Janë asfaltuar 9 rrugë të mëdha dhe shumë rrugica të vogla brenda lagjes, ndërsa një qendër e re shëndetësore është ndërtuar në zonë.

“Nuk jemi fokusuar vetëm në këtë zonë, por edhe në rajonet, si Rajoni Nr. 1 ku bëmë një sërë investimesh në infrastrukturë, në Rajonin 3 gjithashtu që është një zonë informale, ndërsa këtu ndodhemi në Rajonin Nr. 5 ku janë pallate të vjetra, një tjetër tipologji”, tha Llatja.

Deputetja Evis Kushi e cilësoi këtë rrugë shumë përfituese për banorët e kësaj zone, pasi ndodhet edhe qendra e re shëndetësore, duke e cilësuar tashmë një zonë të kompletuar me infrastrukturë.

Drejtuesi politik i qarkut, z. Damian Gjiknuri, e vuri theksin tek programi i urbanizimit të të gjithë qytetit.

“Tashmë erdhi momenti që edhe këto lagje të cilat nuk kanë pasur një infrastrukturë normale për shumë vite, me programin që ka bërë bashkia po ecin me shpejtësi pasi po preken të gjitha lagjet. Është ajo që kemi thënë që Elbasani këtë mandat do të ketë urbanizimin e plotë, investime po bëhen në kanalizime, në ujësjellës, si edhe në infrastrukturë rrugore përfshirë edhe sheshet e pallateve. Të gjithë qytetarët të cilët nuk na shohin të mësojnë se në Elbasan po vazhdohet dhe po punohet në mënyrë sistematike, në çdo kohë, ndaj suksese edhe bashkisë që e ka nisur këtë punë”.

Sakaq janë 15 kantierë të hapura vetëm në infrastrukturën rrugore në Elbasan, për t’u përfunduar brenda muajit gusht.

Vetë banorët shprehen të kënaqur pasi sipas tyre në këtë zonë nuk ishte kryer asnjë investim që nga koha e komunizmit.

Ekipi i ICTSlab për UPSHIFT for Mental Health workshop me të rinjtë e Elbasanit

Takimi i radhës i ekipit të ICTSlab në kuadër të UPSHIFT for Mental Health u zhvillua në ambjentet e Qendrës Rionore “Riemar” ku u mbajt një sesion informimi mbi hapjen e aplikimeve në qytetin e Elbasanit.

Në këtë takim, të rinjtë u njohën me temën e përzgjedhur për këtë edicion dhe metodologjinë e Upshift, si dhe u informuan për aktivitetet e planifikuara. Ata u ftuan të marrin pjesë në ëorkshopin e caktuar për datat 18-19 Korrik në Elbasan dhe u inkurajuan të zhvillojnë idetë e tyre për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme në fushën e shëndetit mendor për komunitetin e tyre.

Aplikimet tashmë janë të hapura, në pritje të ideve inovative dhe krijuese të të rinjve të Bashkisë së Elbasanit.

Kriteret për Aplikim:

✅Të rinj të moshës 15-24 vjeç

✅Banues ne Bashkinë Elbasan

Për të bërë aplikimin tuaj në Upshift, ndiqni linkun: https://upshift.al/apliko-tani/

Ky aktivitet implementohet nga ICTSlab me mbështetjen financiare të UNICEF në Shqipëri, Instituti i Shendetit Publik dhe Qeverisë Britanike në kuadër të projektit Stop Human Trafficking.

UNICEF Albania Bashkia Elbasan Gledian Llatja

#upshift #upshiftalbania #unicef #unicefalbania #socialentreprenuership #designthinking #mentalhealth #shëndetimendor #socialimpactëorkshop

Të shijojmë një mbrëmje të shtune nën tingujt e muzikës rrok

Ju ftojmë të merrni pjesë në një koncert festiv që do të zhvillohet nesër në muret madhështore të kalasë së Elbasanit. Në orën 21:00, do të fillojë një natë e paharrueshme nën dritat e ndriçuara të kalasë dhe tingujt e muzikës rrok.

Programi i mbrëmjes përfshin performanca të mrekullueshme nga artistë të njohur dhe të dashur për publikun:

– Lorenc Hasrama, këngëtar i njohur për energjinë dhe interpretimet e tij të jashtëzakonshme.

– Urban Band, grupi që do t’ju mbushë me ritme të fuqishme rroku.

– DJ Enrico, që do të përkujdeset për atmosferën me miksimet e tij fantastike.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të kaluar një mbrëmje të bukur verore në shoqërinë e miqve dhe familjes, duke shijuar muzikë të shkëlqyer dhe atmosferë të ngrohtë.

Mos e humbisni këtë ngjarje unike dhe të veçantë! Sigurohuni të vini për të përjetuar një natë të mbushur me argëtim dhe emocione.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, sjell atmosferë festive në qytet

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore ka nisur turin veror në qytetet me potencial turistik, duke promovuar vlerat e jashtëzakonshme të folklorit shqiptar dhe trashëgimisë tonë kulturore.

Ky tur është një iniciativë e veçantë që synon të rikthejë vëmendjen te thesaret tona kulturore dhe artistike, duke sjellë spektakle të larmishme dhe energjike në qytetet më të bukura të Shqipërisë.

Atmosfera në Muzeun Etnografik të Elbasanit ishte e magjishme. Qytetarët u mrekulluan nga kombinimi i muzikës, kostumeve tradicionale dhe valltarëve energjikë. Ky event jo vetëm që ndihmon në ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë të pasur, por gjithashtu kontribuon në zhvillimin e turizmit kulturor në vend.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të vazhdojë të shfaqë performanca të tjera në qytete të ndryshme gjatë gjithë verës, duke sjellë gëzim dhe entuziazëm për banorët dhe turistët.