Fundjava që lamë pas, e ktheu qendrën e Gjinarit, fshatit malor turistik, të njohur në të gjithë vendin, me një super atmosferë në festën e përvitshme lokale ” Miqtë e Malit”
Qindra vizitorë, nga vendi por edhe të huaj, mes tyre edhe kryetari i Bashkisë Gledian Llatja,organizator i festës, Ministria e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, përfaqëseues të besimeve fetare, etj, ndezën flakën olimpike një traditë e trashëguar kjo tashmë në startimin e garave të ndryshme olimpike.
Aktivitetet të cilat kanë nisur që paradite, kanë përfunduar në orët e mbrëmjes, ku nuk kanë munguar lojërat e shumta olimpike, vallet tradicionale të zonës, panairi i përvitshëm me punimet artizanale të zonjave të Gjinarit, si edhe aktivitete të shumta artistike kulturore.
” Nga viti në vit, Bashkia Elbasan ka shtuar gamën e aktiviteteve në festën e kthyer tashmë në traditë në Gjinarin Malor. Festa e cila ka marrë emrin”Miqtë e Malit”realizohet me të vetmin qëllim, që miqtë ngado që vijnë të shijojnë bukuritë natyrore të Gjinarit, e cila në çdo stinë të vitit, të jep mundësinë e çlodhjes dhe argëtimit, peisazhin e gjelbër dhe ajrin e pastër të ofruar nga pishat që rrethojnë Gjinarin”, tha në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja.
Ndërsa ftoi miqtë e ardhur vendas dhe të huaj që të shijojnë ushqimet bio të zonës së Shpatit, prodhimet artizanale të zonjave duararta, si dhe atmosferën e paparë të koncertit me artistët më në zë elbasanas.
Gjinari malor, i freskët në verë dhe i ftohtë në dimër, është është një nga zonat turistike më të bukura malore të Qarkut të Elbasanit dhe ndodhet më pak 22 km larg qytetit.
Prej kohësh kjo zonë është shndërruar në një destinacion turistik për elbasanasit , nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga mjaft turistë të huaj.
Gjinari shquhet sidomos për masivet pyjore me pisha të larta dhe kurative për asmatikët si edhe për pozitën e favorshme gjeografike e resurset e mëdha natyrore që ofron .
” Cilësohet si një nga pikat më të preferuara të turizmit malor të Qarkut të Elbasanit dhe ndodhet në një lartësi rreth 800-1000 metra mbi nivelin e detit. Në çdo stinë të vitit turistët vazhdojnë të shkojnë në Gjinar, ka nga ata që ngrejnë çadrat në lëndinat e Bukanikut, kryesisht të huajt, por ka edhe vendas që shkojnë atje për të kaluar një natë, apo për të ngrënë një drekë tradicionale nga amvisat e kësaj zone”, thotë kreu i Bashkisë Gledian Llatja
Për të mbërritur në këtë pikë turistike malore mundësitë e udhëtimit tashmë mund të thuash se janë komode, për shkak të rikonstruksionit të rrugës nga qendra e qytetit të Elbasanit deri në Gjinar .
Pushuesit më të shumtë të kësaj pike janë familjarë, të rinj por edhe shumë eksporues të huaj, të cilët parapëlqejnë klimën dhe ajrin e pastër që mbizotëron në këtë zonë si dhe mundësitë për të ushtruar sporte të ndryshme si alpinizmi, lojërat sportive në natyrë por edhe për të shijuar gatimet tradicionale dhe jo vetëm.
E veçanta e Gjinarit është se kjo pikë turistike malore dallon nga të tjerat për nga klima dhe resurset e veta natyrore, duke të ofruar një turizëm permanent, si gjatë verës, ashtu edhe në dimër. Kryebashkiaku Llatja rendit mjaft arësye përse duhet të vizitohet nga turistët Gjinari, duke filluar nga Kisha Shënepremte e Valshit me piktura të Onufrit, Kisha e Shënkollit në Shelcan, Kisha e Shumë Shejtorëve, Dushku i Lleshanit, Varri i Kostandin Shpatarakut piktor ikonograf kishtar ,Lisat e Pashtreshit, Dërstilat e Gjinarit ,Kanioni i Shpellës së Pëllumbasit etj”. Këtë vit, parashikohet që Bashkia e Elbasanit me fondet e saj të nisë edhe rikonstruksionin e qendrës së fshatit Gjinar.
Bukuritë e shumta natyrore dhe gjithçka tjetër që ka trashëguar ndër shekuj kjo zonë e bën atë gjithmonë të lakmueshme nga turistët e të gjitha grup moshave.