“Drita e Kujtesës përmes Legjendave në Xham”, ekspozitë në Muzeun Etnografik të Elbasanit
Në ambientet e Muzeut Etnografik të Elbasanit, u çel ekspozita artistike “Drita e Kujtesës përmes Legjendave në Xham” e artistit Kreshnik Belba, një projekt që ndërthur artin bashkëkohor me kujtesën kolektive dhe trashëgiminë shpirtërore të zonës.
Ekspozita u realizua në kuadër të projektit “Heritage is Our Brand”, një nismë e përbashkët e DMO Albania dhe EU Policy Hub, e financuar nga Bashkimi Europian, që synon promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore jo-materiale në Shqipëri përmes artit, tregimit dhe krijimtarisë bashkëkohore.
Projekti fokusohet në mbledhjen dhe riinterpretimin e legjendave, riteve dhe rrëfenjave popullore, duke i sjellë ato në një formë të re artistike që komunikon me publikun e sotëm, veçanërisht me të rinjtë.
Në këtë ekspozitë, artisti Kreshnik Belba eksploron legjendat dhe kujtesën popullore përmes materialit të xhamit dhe instalacioneve vizuale, duke krijuar një dialog mes traditës dhe modernitetit. Veprat e tij synojnë të risjellin në vëmendje rrëfenjat e vjetra të Elbasanit dhe më gjerë, duke i transformuar në forma bashkëkohore shprehjeje artistike.
Ekspozita u konceptua si një përvojë vizuale dhe emocionale, ku vizitorët ftohen të reflektojnë mbi mënyrën se si legjendat dhe kujtesa kulturore vazhdojnë të ndikojnë identitetin e komuniteteve lokale.