Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasani nis programin “CliMobility City Lab”, drejt hapësirave publike më të gjelbra dhe një qyteti më të qëndrueshëm

Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me GIZ Albania dhe ALBICT, ka nisur zbatimin e programit “CliMobility City Lab”, një nismë që synon përmirësimin e hapësirave publike, zhvillimin e mobilitetit të qëndrueshëm dhe përshtatjen e qytetit ndaj sfidave të ndryshimeve klimatike.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e kësaj nisme në drejtim të përmirësimit të cilësisë së jetesës në qytet, duke vendosur në fokus krijimin e hapësirave publike më të gjelbra, reduktimin e temperaturave në zonat urbane dhe lehtësimin e lëvizjes së këmbësorëve.

Programi do të përqendrohet në pesë zona pilot të qytetit, ku synohen ndërhyrje konkrete për shtimin e gjelbërimit, reduktimin e efektit të nxehtësisë urbane dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.

Një nga elementët kryesorë të kësaj nisme është Hackathon-i treditor, ku të rinj dhe profesionistë nga fusha të ndryshme do të punojnë së bashku për të hartuar ide dhe zgjidhje inovative për sfidat urbane të Elbasanit. Idetë më të mira do të zhvillohen më tej, me synimin që të kthehen në ndërhyrje konkrete në hapësirat publike të qytetit.

“CliMobility City Lab” merr një rëndësi të veçantë edhe në kuadër të angazhimit të Elbasanit si pjesë e Misionit të Bashkimit Europian për 100 qytete neutrale ndaj klimës dhe inteligjente deri në vitin 2030. Ky angazhim synon të nxisë transformimin e qyteteve përmes zgjidhjeve të qëndrueshme, reduktimit të ndikimit mjedisor dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve.

Përmes bashkëpunimit me partnerët dhe institucione të ndryshme, Bashkia Elbasan vijon të punojë për një qytet më të gjelbër, më funksional, më të aksesueshëm dhe më rezistent ndaj ndryshimeve klimatike.