Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasani, “zemra historike industriale” drejt shfrytëzimit të potencialit për energjinë e pastër

Elbasani është përzgjedhur si një nga dy bashkitë e para në Komunitetin e Energjisë që do të përfitojë mbështetje për zhvillimin e Zonave të Përshpejtimit të Energjisë së Rinovueshme, një nismë që synon të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe zhvillimit të qëndrueshëm në qytetet me traditë industriale.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Bashkinë e Elbasanit dhe Bashkinë e Bitolës në Maqedoninë e Veriut, duke i përzgjedhur ato si dy projektet e para pilot në rajon. Përmes kësaj marrëveshjeje, të dyja bashkitë do të mbështeten me asistencë teknike për zhvillimin e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe përshpejtimin e procedurave të planifikimit dhe pajisjes me leje.

Sipas vlerësimit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Elbasani cilësohet si “zemra historike industriale e Shqipërisë dhe qendra e prodhimit të çelikut me bazë karboni në vend”. Pikërisht për këtë arsye, qyteti është përzgjedhur si një nga dy projektet pilot që do të mbështeten në procesin e dekarbonizimit dhe zhvillimit të energjisë së rinovueshme, me synimin për t’u transformuar në një qendër moderne të energjisë dhe industrisë së pastër.

Bitola, nga ana tjetër, përfaqëson qendrën kryesore të rajonit të minierave të qymyrit në Maqedoninë e Veriut dhe po përballet me një proces të ngjashëm tranzicioni drejt një ekonomie të bazuar në energjinë e pastër. Përvoja e dy bashkive synon të shërbejë si model edhe për qytete të tjera të Ballkanit Perëndimor me histori industriale dhe varësi nga lëndët djegëse fosile.

Një nga elementët kryesorë të projektit është krijimi i Zonave të Përshpejtimit të Energjisë së Rinovueshme, të parashikuara nga Direktiva Europiane RED III. Këto zona do të mundësojnë zhvillimin më të shpejtë të projekteve të energjisë së rinovueshme, duke thjeshtuar procedurat për investitorët dhe duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.

Për Elbasanin, kjo nismë krijon mundësi të reja për të tërhequr investime në sektorin e energjisë së pastër, në infrastrukturën e qëndrueshme, sistemet moderne të menaxhimit të energjisë dhe zhvillimin e industrive të gjelbra. Projekti pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik lokal, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së qytetit.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë thekson se modeli që do të zbatohet në Elbasan dhe Bitola është konceptuar si një nismë e replikueshme, e cila mund të përshtatet edhe nga bashki e rajone të tjera të Ballkanit Perëndimor që synojnë dekarbonizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Përzgjedhja e Elbasanit si një nga dy bashkitë e para pilot përbën një vlerësim të rëndësishëm për potencialin e qytetit dhe një hap konkret drejt shndërrimit të tij në një qendër të energjisë dhe industrisë së pastër, në përputhje me objektivat energjetike dhe klimatike të Bashkimit Europian.