Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Hapet bazilika paleokristiane e Elbasanit një destinacion i ri për vizitorët

Mozaiku i bazilikës paleokristiane të Elbasanit është i hapur për vizitorët prej gati një muaji, duke shtuar një monument të rëndësishëm kulture të kategorisë së parë në ofertën turistike të Elbasanit.

Me qindar vizitorë, si edhe vetë qytetarët elbasanas kanë vizituar këtë bazilikë, e cila është zbuluar në vitin 2007 dhe shpallur Monument Kutlure në vitin 2010, ku sipas historianëve dëshmon lashtësinë e qytetit të Elbasanit.

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, në qendër të qytetit, fare rastësisht, u zbuluan themelet e një mozaiku të lashtë.

  Specialistët e arkeologjisë e vlerësuan këtë si një ndër zbulimet më të rëndësishme. Gjatë gërmimeve të para, një grup arkeologësh zbuloi dy varre në një thellësi prej mbi tre metrash, të cilat i përkasin shekullit të V.

Studimet paraprake tregojnë se bazilika ka përmasa të mëdha, dhe aktualisht është zbuluar një pjesë e Naosit dhe e Nefit jugor. Muri që kufizon Nefin jugor është i zbukuruar me afresk, i cili ruhet mirë.

  Mbi dyshemenë e bazilikës janë gjetur fragmente të një amfore nga Gaza e Palestinës, duke treguar se bazilika paleokristiane është shkatërruar përfundimisht në fundin e shekullit të gjashtë ose në fillimin e shekullit të shtatë të erës sonë.

Arkeologët që kanë studiuar murin janë shprehur se “ai nuk i përket xhamisë së Namazgjasë, por mendohet të jetë muri i një kalaje të vjetër që i përket periudhës paraosmane.

Kreu i Agjencisë së Kulturës dhe Turizmit në Elbasan, Artur Guni, deklaroi se “në plan është vijimi i gërmimeve, pasi bazilika është në një sipërfaqe më të madhe dhe ende e pazbuluar tërësisht.

Bazilika paleokristiane e zbuluar në vendin e quajtur “Rrapi i Bezistanit” në Elbasan është një nga monumentet më të vjetra të kultit ortodoks të zbuluara në Shqipëri, ku ruhet mirë një mozaik i tillë.