Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Llatja: Elbasani nis një kapitull të ri me rivitalizimin e Kalasë dhe zhvillimin e turizmit

Në prani të Kryeministrit Edi Rama, Bashkia Elbasan, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor (MSHPV), nënshkruan sot marrëveshjen për rikualifikimin e lagjes Kala të qytetit të Elbasanit, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të qytetit.

Në fjalën e tij kreu i bashkisë së Elbasanit z. Gledian Llatja pohoi se kjo marrëveshje e firmosur sot konkludohet me një vizion të ri për qytetin, duke rritur zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit.

“Sot është një ditë e shënuar për Elbasanin, një ditë e shumëpritur për ne të gjithë, ku një punë e madhe e bërë paraprakisht sot konkludohet me një vizion të ri. Kalaja ka pasur shumë histori, por Kalaja e historisë moderne ka pasur për ne në Elbasan një zhvillim jo fort të kënaqur, ku shumë ndërtime pas viteve ’90, shumë ndërhyrje të bëra në thelb, kanë dëmtuar shumë nga historiku jonë.

Sot ne jemi në një ditë historike për ta rikthyer kalanë e Elbasanit në vlerat e saj maksimale, për ta rikthyer identitetin, për të ruajtur historikun e saj dhe për të bërë të mundur që fëmijët tanë dhe të gjithë shqiptarët dhe turistët ta njohin kulturën, traditën që kemi ne në Elbasan, jo vetëm kulinarinë tonë, të cilën ne kemi dhe shquhemi.

Dua të falenderoj ADF për mbështetjen dhe punën e madhe që kemi bërë për konkretizimin e këtij projekti, dhe jam optimist që do të vazhdojmë në të ardhmen në një projekt fantastik për Elbasanin, rivitalizimin e Kalasë dhe turizmin e Elbasanit.

Është një fat i madh, por një punë e madhe e bërë nga Kryeministri dhe qeveria shqiptare që ne sot në Shqipëri kemi një turizëm që shënon, dhe kjo për mua si Kryetar Bashkie është një sfidë, që këta turistë të vijnë në Elbasan dhe të sjellin ekonominë në Elbasan. Bashkë me ADF, ne do të jemi motorë të zhvillimit për ruajtjen e identitetit të kalasë dhe historinë e përbashkët të qytetit të Elbasanit.

Sot është një ditë e madhe për ne pasi pas 30 vitesh vetëm është folur se do të bëhet, por sot është dita të fillojmë punën konkrete për rivitalizimin e saj, për muzetë që i kemi nisur, dhe ato që do të shtojmë, duke përfshirë shtëpinë e Lef Nosit, muzeun e Aleksandër Xhuvanit, ish-muzeun e arsimit, të cilin po e rivitalizojmë, dhe një sërë institucionesh të tjera që ne i kemi brenda Kalasë, por edhe në qytet.

Ne kemi bërë një hartë me të gjitha pikat tona potenciale që kemi, si Gjinari, Tregani dhe Funari, por kalaja e Elbasanit është magnet i fortë dhe ai xhevahir në gjerdanin tonë të Elbasanit.