Llatja/ Projekti ADAPT 2, një hap i madh për rehabilitimin mjedisor të Shushicës
Në kuadër të projektit ADAPT 2, të mbështetur nga Agjencia Suedeze Sida dhe IUCN, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Z. Gledian Llatja, inspektoi punimet në zonën e Shushicës.
Ky projekt synon rehabilitimin e zonave të degraduara natyrore, përmes mbjelljes së fidanëve, ndërtimit të pritave malore dhe zbatimit të zgjidhjeve inovative për mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e qëndrueshmërisë lokale.
Z. Llatja, gjatë inspektimit, theksoi rëndësinë e këtij projekti dhe adresoi problematikat e deritanishme.
“Në zonën e Shushicës jemi duke zbatuar një projekt të rëndësishëm për rehabilitimin e zonave të degraduara. Përmes ndërtimit të tetë pritave malore dhe mbjelljes së 8,500 fidanëve, kemi filluar një proces që ndihmon jo vetëm në mbrojtjen e mjedisit, por edhe në krijimin e mundësive për ekonominë lokale, falë bimësisë së re që po eksperimentojmë. Falënderoj IUCN për mbështetjen e dhënë dhe për frymën bashkëpunuese në këtë iniciativë.”
Sikundër shtoi se “jemi në fillimin e një sërë investimesh, ne po hapim sezonin e mbjelljeve të reja në bashkinë e Elbasanit dhe rehabilitimit të zonave të degraduara”.
Përfaqësuesi i IUCN, i pranishëm në inspektim, vlerësoi angazhimin për mbështetjen që Bashkia Elbasan ka treguar në zbatimin e projektit.
“Ky është një model suksesi, dhe me fillimin e fazës së re rajonale, do të kemi mundësi të monitorojmë, vlerësojmë dhe përmirësojmë ndikimin e këtyre masave në komunitet. Në fillim ne kontaktuam autoritetet kombëtare për të zbatuar atë që ju e përmblodhët shumë mirë, zgjidhjet me bazë në natyrë, zgjidhjet alternative duke u përpjekur të përmirësojmë jetët e njerëzve këtu, përtej mjedisit në vetvete.
Ka qenë një process i gjatë, por përgjatë gjithë procesit, shërbimet tuaja, e gjithë bashkia juaj na ka mbështetur gjithmonë dhe sot jam krenar të them se ky nuk është projekti ynë, por është projekti juaj.
Gjithashtu, kam kënaqësinë t’ju bëj me dije se ne jemi në fazën e re të zbatimit të projektit, në nivel rajonal dhe ne po planifikojmë të punojmë së bashku për monitorimin e zbatimit të këtij projekti, vlerësimin dhe si rrjedhojë të ndërmarrim masat si edhe të përmirësojmë ndikimin tonë në këtë rajon”
Deputetja Desantila Tahiraj përgëzoi këtë nismë, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt përballimit të ndryshimeve klimatike dhe përmirësimit të jetës së komunitetit:
“Mbjellja e 8,500 pemëve dhe rehabilitimi i këtyre zonave do të ketë një ndikim të madh jo vetëm në mjedis, por edhe në cilësinë e jetës së banorëve të kësaj zone.”
Në planin e zbatimit të këti projekti, përfshihet mbjellja e 8,600 fidanëve në një sipërfaqe prej 8.2 hektarësh, duke përfshirë pisha dhe bimësi të tjera qëndruese.
Ndërtimi i tetë pritave malore për të frenuar erozionin dhe përmirësuar cilësinë e tokës.
Eksperimentimi me bimësi të reja, si lajthia dhe pemët frutore, për të ndihmuar ekonominë lokale.
Ky projekt, pjesë e ADAPT 2, shënon fillimin e sezonit të ri të mbjelljeve dhe një angazhim të përbashkët për një Elbasan më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.