“Naim Frashëri”, shkolla elitë e Elbasanit po merr një pamje të re

Në shkollën “Naim Frashëri” në Elbasan, një prej institucioneve me më shumë se një shekull histori në arsimin shqiptar, po vijojnë me ritme të larta punimet për rikonstruksionin e plotë të godinës dhe ndërtimin e ambienteve të reja, me synimin për të krijuar kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, së bashku me kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe drejtoreshën e ZVA Elbasan, Vesa Llanaj Lico, vizituan shkollën për të parë nga afër ecurinë e punimeve.
Projekti përfshin rikonstruksionin e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një shtese të re, e cila do t’i shtojë shkollës 10 klasa të reja. Këto hapësira do të mundësojnë zhvillimin e procesit mësimor pa turne për më shumë se 700 nxënës, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e mësimit dhe organizimin e jetës shkollore.
Shkolla do të pajiset me laboratorë modernë, palestër dhe terrene sportive, hapësira rekreative, si dhe ambiente të dedikuara për arsimin parashkollor. Projekti parashikon gjithashtu krijimin e një muzeu, instalimin e sistemeve fotovoltaike për rritjen e eficiencës energjetike dhe rreth 5 mijë metra katrorë sipërfaqe të gjelbëruar, duke promovuar një mjedis më të shëndetshëm dhe edukimin e qëndrueshëm mjedisor e qytetar.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe sistemeve teknike, përfshirë ngrohjen dhe kaldajën, me qëllim garantimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e procesit mësimor gjatë gjithë vitit shkollor.
Shkolla “Naim Frashëri”, e cila u shërben rreth 700 nxënësve dhe 72 mësuesve, pritet që pas përfundimit të punimeve të ofrojë një infrastrukturë tërësisht të përmirësuar, me ambiente moderne për mësimin, aktivitetet sportive dhe zhvillimin e jetës komunitare.