Pas fermerëve, vijojnë takimet me blegtorët për krijimin e Shoqatës së Bashkëpunimit Bujqësor “Bulmeti i Elbasanit”
Pas takimit të parë me fermerët për krijimin e Shoqatës së Bashkëpunimit Bujqësor, procesi ka vijuar me blegtorët e njësive administrative të Bashkisë Elbasan.
Takimi me blegtorët, kishte në fokus krijimin e një strukture të përbashkët bashkëpunimi për grumbullimin, përpunimin dhe zhvillimin e produkteve të bulmetit, e cila do të mbajë emrin “Bulmeti i Elbasanit”.
Nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, prezantoi rëndësinë e krijimit të kësaj shoqërie dhe i njohu blegtorët me statutin, aktin e themelimit dhe organet drejtuese, duke theksuar se bashkimi i tyre në një strukturë të përbashkët do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e sektorit, rritjen e vlerës së produkteve vendase dhe fuqizimin e tyre në treg.
Shoqata e Bashkëpunimit Bujqësor “Bulmeti i Elbasanit” synon të krijojë një model të ri bashkëpunimi mes blegtorëve, duke mundësuar grumbullimin e organizuar të qumështit, prodhimin e produkteve të certifikuara të bulmetit dhe promovimin e një marke lokale me standarde të larta cilësie.
Kjo nismë mbështetet nga Bashkia Elbasan, e cila po punon për fuqizimin e fermerëve dhe blegtorëve, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e ekonomisë rurale dhe përgatitjen e prodhimit vendas për t’u orientuar drejt standardeve dhe mundësive të reja që ofron integrimi europian.