Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Rajoni nr. 3 në fokus të investimeve, nga shkollat te rrugët dhe kanalizimet

Buxhetimi me pjesëmarrje vijoi në Rajonin nr. 3 të Elbasanit, ku takimi me banorët u zhvillua në ambientet e shkollës “Jorgji Dilo”, një prej investimeve të rëndësishme të realizuara në këtë zonë, tashmë me kushte bashkëkohore dhe palestër.

Duke e marrë këtë shkollë si shembull të investimeve të realizuara, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha se investimet në Rajonin nr. 3 do të vijojnë edhe gjatë vitit 2027, me fokus arsimin, rrugët, sheshet e pallateve, kanalizimet dhe urbanizimin e zonave informale.

“Jemi sot në shkollën ‘Jorgji Dilo’, bashkë me palestrën e saj, një shkollë me kushte bashkëkohore. Por investimet në arsim do të vazhdojnë. Do të fillojmë këtë vit me shkollën ‘Vasil Kamami’, ndërsa do të rikonstruktojmë edhe shkollën ‘Sul Misiri’, e cila ka dalë pikërisht nga kërkesa juaj në buxhetimin me pjesëmarrje. Duke qenë se ‘Jorgji Dilo’ është një nga shkollat më të mëdha dhe numri i nxënësve këtu është rritur ndjeshëm, rikonstruksioni i ‘Sul Misirit’ është një ndërhyrje e nevojshme dhe do ta fillojmë brenda këtij viti”, tha Llatja.

Krahas investimeve në arsim, Kryebashkiaku bëri të ditur se do të vijojnë edhe ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore, duke veçuar disa prej akseve të rëndësishme për banorët e Rajonit nr. 3.

“Shumë shpejt do të fillojmë rikonstruksionin e rrugës ‘Bajram Curri’, e cila do të bëhet me standarde. Do të vazhdojmë edhe me rrugën e Kombinatit të Drurit, për ta lidhur me Fushë Mbretin, si edhe nga rruga e Inceneratorit për t’u lidhur me Fushë Mbretin. Edhe kjo është një kërkesë e kahershme e banorëve të Rajonit nr. 3”, u shpreh ai.

Një tjetër fokus i investimeve do të jetë përmirësimi i shesheve të pallateve dhe zgjidhja e problematikave të kanalizimeve dhe ujërave të zeza.

“Ne kemi një sërë projektesh të tjera që na presin përpara. Do të vazhdojmë me sheshet e pallateve, si edhe me një sërë investimesh që çojnë përpara projektin tonë për urbanizimin e zonave informale. Kemi thënë që në vitin 2027 do të mbyllim komplet problematikat e kanalizimeve dhe ujërave të zeza. Pjesën më të madhe e kemi përfunduar në shumë zona dhe brenda buxhetit të vitit të ardhshëm do të mbyllim edhe pjesën e mbetur”, tha Llatja.

Takimi në Rajonin nr. 3 shërbeu për të diskutuar me banorët prioritetet e zonës dhe investimet që do të përfshihen në buxhet. Kërkesat e ngritura gjatë procesit të buxhetimit me pjesëmarrje po kthehen në projekte konkrete, duke sjellë ndërhyrje në shkolla, rrugë, sheshe dhe infrastrukturën e kanalizimeve.