Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Rikthehet qarkullimi normal në aksin Elbasan-Cërrik pas ndërhyrjes së ekipeve të ASHPR.

​Pas disa orësh punë intensive dhe angazhimi maksimal në terren, është bërë i mundur rikthimi i plotë i normalitetit në aksin rrugor Elbasan-Cërrik.

​Rreth orës 11:00 të ditës së shtunë, një çarje e papritur në kanalin e “Naum Panxhit” shkaktoi vërshimin e ujërave dhe inerteve, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve. Agjencia e Shërbimeve Publike Rurale (ASHPR) zbriti menjëherë në terren për t’iu përgjigjur kësaj situate emergjente.

​Në bashkëpunim me Policinë Rrugore, u bë i mundur devijimi i sigurt i trafikut në akse alternative për të shmangur bllokimet e mëtejshme dhe për të garantuar sigurinë e udhëtarëve.

Të gjitha mjetet e rënda dhe punonjësit e ASHPR-së u angazhuan me kapacitet të plotë për largimin e inerteve dhe pastrimin e rrugës.

Për të shmangur dëmtimet në sipërfaqet përreth u hapën menjëherë të gjitha kanalet dytësore vaditëse, duke lehtësuar rrjedhën e ujit.

​Që në momentet e para të emergjencës, është mbajtur kontakt i vazhdueshëm me kompaninë mirëmbajtëse të rrugës dhe me Bordin e Kullimit.

Kanali kryesor “Naum Panxhi”, i cili është në inventarin e këtij Bordi, ka një rëndësi jetike për bujqësinë e rajonit, pasi furnizon me ujë vaditës 300 hektarë tokë në Bashkinë Elbasan dhe 1000 hektarë në Bashkinë Cërrik.

​Aktualisht, rruga është e hapur dhe e kalueshme pa probleme, teksa së bashku me Bordin e Kullimit mbetemi në mbikëqyrje të vazhdueshme deri në stabilizimin e plotë të rrjetit.