Tregan: Oazi termal dhe natyror i Elbasanit
Vetëm 20 minuta larg qytetit të Elbasanit, Tregani është një destinacion i qetë dhe plot bukuri natyrore, i njohur për llixhat termale, peizazhet e gjelbëruara dhe mikpritjen tradicionale të banorëve. Është vendi ideal për t’u shkëputur nga rutina dhe për të shijuar një ditë relaksi në natyrë.
I rrethuar nga kodra të buta e pamje panoramike mbi luginën e Shkumbinit, Tregani ofron shtigje të bukura për ecje, piknikë dhe eksplorim. Ajri i pastër dhe qetësia e zonës e bëjnë atë një vend të preferuar për vizitorët që kërkojnë paqe dhe natyrë të paprekur.
Një nga pasuritë më të çmuara të Treganit janë banjat termale, të njohura për vetitë e tyre kurative dhe relaksuese. Ujërat e ngrohtë e të pasur me minerale ndihmojnë në trajtimin e sëmundjeve reumatizmale, të lëkurës dhe të frymëmarrjes. Në zonë veprojnë hotele dhe shtwpiza që ofrojnë banja termale, masazhe dhe ushqim tradicional. Baltoterapia, një trajtim i njohur natyral, është veçanërisht e kërkuar për efektet e saj në lëkurë.
Tregani njihet për produktet e tij bio dhe gatimet tradicionale. Kultura e mikpritjes është pjesë e identitetit të këtij fshati, që ruan me krenari zakonet dhe vlerat e trashëguara brez pas brezi.
Tregani është pjesë e “Paketës së Maleve”, një strategji që synon të zhvillojë turizmin malor dhe kurativ në Bashkinë Elbasan. Investimet në infrastrukturë, në bizneset familjare dhe në promovimin e potencialit natyror do të mbeten prioritare, pasi “çdo investim në këtë zonë përkthehet në më shumë vizitorë dhe më shumë mundësi për komunitetin.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Elbasan po bashkëpunojnë për përmirësimin e rrugëve, ngritjen e qendrave moderne turistike dhe profilizimin e destinacioneve të turizmit natyror, aventurës dhe shëndetit.
Tregani konfirmon se turizmi shëndetësor nuk është vetëm një pasuri natyrore, por një motor i fuqishëm ekonomik që po tërheq investime dhe vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.