Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 9 Prill 2026

Talentet e shkollave të qytetit shkëlqejnë në festimet e Ditës së Verës

Talentet e shkollave të qytetit tonë u shndërruan në krenarinë e aktiviteteve festive të “Ditës së Verës” dhe gjatë gjithë muajit mars.

Në këtë kuadër, Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën e ZVA – së Vesa Llanaj Liço, ndanë certifikata vlerësimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin dhe kontributin e tyre.

Fëmijët sollën performanca mbresëlënëse artistike dhe kulturore, duke dëshmuar talentin dhe energjinë që i japin jetë aktiviteteve të qytetit.

Çmimi i parë u fitua nga shkolla “Jorgji Dilo”, e cila u dallua për nivelin e lartë të paraqitjes dhe kreativitetin e treguar.

Bashkia e Elbasanit vijon të mbështesë dhe promovojë iniciativa që nxisin zhvillimin e talenteve të reja dhe forcojnë lidhjen mes shkollës, familjes dhe komunitetit.

Mbështetja për studentët nga Lugina e Preshevës, prioritet i Bashkisë

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka pritur në një takim zyrtar në zyrën e tij përfaqësues të Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, të kryesuar nga Enkel Rexhepi, si edhe Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Beograd, Bardhyl Canaj.

Në fokus të takimit ishte mbështetja për studentët nga Lugina e Preshevës, të cilët në numër të lartë ndjekin studimet e larta në Universiteti “Aleksandër Xhuvani”.

Gjatë bisedës, Llatja theksoi se Bashkia e Elbasanit do të vijojë të ofrojë akomodim dhe lehtësira të tjera për këta studentë, duke u qëndruar pranë në çdo hap të rrugëtimit të tyre akademik. Ai nënvizoi se kjo mbështetje mbetet një prioritet, në funksion të arsimit, të rinjve dhe forcimit të lidhjeve kombëtare.

Takimi u vlerësua gjithashtu si një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve ndërmjet shqiptarëve në rajon, duke vendosur theksin te rëndësia e arsimit si një urë lidhëse mes tyre.

Miratohet rregullorja e re për shfrytëzimin e hapësirave publike

Me vendim të Këshillit të Ministrave, u vendosen rregulla të qarta për përdorimin e hapësirave publike nga të gjithë, duke garantuar transparencë, barazi dhe respekt për interesin publik.

Rregullorja synon një përdorim më funksional dhe të qëndrueshëm të hapësirave, mbrojtjen e mjedisit dhe identitetit urban, si dhe rritjen e përgjegjshmërisë për mirëmbajtjen e tyre.

Fusha e Zbatimit

Zbatohet në të gjitha hapësirat publike shtetërore

Përfshin edhe hapësirat private që janë të hapura për publikun

Nuk zbatohet në rastet kur ka ligje të veçanta që e përjashtojnë

Objekti dhe qëllimi

Përcakton rregullat, kushtet dhe procedurat për përdorimin e hapësirave publike.

Zbatohet për subjekte publike dhe private.

Synon përdorim funksional dhe të qëndrueshëm.

Mbron interesin publik, sigurinë dhe mjedisin.

Garanton transparencë dhe barazi në dhënien e lejeve

Parimet kryesore

Interesi publik mbi atë privat

Akses i lirë dhe i barabartë

Mbrojtja e mjedisit dhe identitetit urban

Mirëmbajtja dhe rikthimi i hapësirës

Transparencë dhe trajtim i barabartë

Përputhshmëri me ligjin

Parimi “ Ndotësi paguan”

Kalaja e Bodinit: Vëzhguese e shekujve

E vendosur në zonën e Bodinit, në qarkun e Elbasanit, Kalaja e Bodinit përfaqëson një nga pikat më të veçanta të trashëgimisë kulturore dhe historike të territorit.

E ndërtuar në vitin 1081, në një periudhë të trazuar të historisë së Ballkanit, kjo kala u ngrit si një pikë strategjike gjatë përballjeve mes Perandorisë Bizantine dhe normanëve. Pozicioni i saj dominues i mundësonte kontrollin e rrugëve të rëndësishme që lidhnin Tiranen, Durrësin, Beratin dhe Elbasanin, duke e kthyer atë në një nyje kyçe ushtarake dhe tregtare.

E ndërtuar me mure të forta guri dhe me një arkitekturë të avancuar për kohën, kalaja shërbente si bastion mbrojtës dhe pikë vëzhgimi, duke garantuar kontroll të gjerë mbi territorin përreth. Ajo lidhet gjithashtu me figura historike si Kosta Bodini, duke pasuruar vlerën e saj kulturore dhe historike.

Sot, edhe pse e prekur nga kalimi i kohës, Kalaja e Bodinit mbetet një dëshmi e rëndësishme e historisë mesjetare dhe një pjesë e vyer e trashëgimisë kulturore të zonës.

Ajo që e bën veçanërisht tërheqëse është panorama që ofron, nga maja e saj, në ditë me mot të kthjellët, shtrihet një horizont i gjerë që përfshin zona të shumta të territorit shqiptar, duke krijuar një lidhje natyrore dhe vizuale me hapësira të tjera historike dhe kulturore.

Kalaja e Bodinit përfaqëson, një pikë vëzhgimi mbi historinë, një hapësirë ku ndërthuren natyra dhe trashëgimia, një destinacion për të zbuluar rrënjët e së kaluarës.

Një vend që fton vizitorin të ndalet, të shohë dhe të reflektojë mbi historinë që mbart kjo trevë.