Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 8 Prill 2026

Elbasani mirëpret Kampionatin Kombëtar të Debatit për Shkollat e Mesme, Re-Debate IX

Salla e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Elbasan u kthye në një hapësirë dinamike diskutimi dhe mendimi kritik, duke mirëpritur aktivitetin “Re-Debate IX”, pjesë e Kampionatit Kombëtar të Debatit për Shkollat e Mesme në Shqipëri.

Ky aktivitet solli në vëmendje energjinë dhe potencialin e të rinjve elbasanas, me pjesëmarrjen e nxënësve nga shkollat “Kostandin Kristoforidhi” dhe “Dhaskal Todri”, të cilët u përfshinë në përballje debati të karakterizuara nga argumente të forta, logjikë dhe frymë sfiduese.

Dy përballjet e zhvilluara gjatë aktivitetit dëshmuan jo vetëm aftësitë oratorike të nxënësve, por edhe rëndësinë e debatit si një mjet për të nxitur mendimin kritik dhe qytetarinë aktive tek të rinjtë.

Aktiviteti u organizua nga LIBURNETIK, me mbështetjen e Agjencia Kombëtare e Rinisë dhe AMSHC, në kuadër të edicionit të nëntë të këtij kampionati kombëtar.

Bashkia Elbasan mbetet e përkushtuar në mbështetjen e nismave që fuqizojnë të rinjtë, promovojnë edukimin cilësor dhe krijojnë hapësira për zhvillimin e ideve dhe dialogut konstruktiv.

“Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” ngjitet në skenën e Skampës, me mesazhe të forta sociale

Premiera e komedisë “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas”, e vënë në skenë në Teatrin “Skampa” nën regjinë e Donard Hasanit, dhe aktorëve Laerti Vasili, Hervin Culi, Atalanta Kërçyku dhe Helidon Fino   ka sjellë një atmosferë të veçantë artistike për publikun elbasanas.

Vepra rrëfen historinë e tre personazheve me aftësi të ndryshme, duke ndërthurur humorin me mesazhe të forta sociale mbi pranimin, barazinë dhe sfidimin e paragjykimeve që hasen në shoqëri. Përmes situatave komike, shfaqja arrin të përcjellë emocione dhe reflektim te çdo spektator.

Është një komedi familjare me një mesazh të fortë për shoqërinë. Personat me aftësi të ndryshme duhet të trajtohen njësoj si të gjithë të tjerët.

Ndërsa reagimi i publikut kap qenë mjaft pozitiv, duke e mirëpritur ngrohtësisht këtë produksion.

Mesazhi kryesor është shpresa dhe vullneti për të ecur përpara pavarësisht sfidave.

Vetëm gjatë javës së parë, artdashësit kanë pasur mundësinë ta ndjekin shfaqjen edhe në repriza të tjera, duke dëshmuar interesin dhe vlerësimin për këtë vepër.

Teatri “Skampa” vijon të mbetet një nga qendrat më aktive të jetës kulturore në Elbasan, duke sjellë produksione që jo vetëm argëtojnë, por edhe edukojnë e ndërgjegjësojnë publikun.

Mani i Zi i Joronishtit, element identitar i komunitetit

Një ndalesë ku historia, natyra dhe kujtesa bashkëjetojnë.

I vendosur në qendër të fshatit Joronisht, në Njësinë Administrative Zavalinë, Mani i Zi i Joronishtit përbën një nga vlerat më të spikatura natyrore dhe historike të zonës.

Me një moshë rreth 320-vjeçare, kjo pemë e veçantë është një dëshmi e gjallë e jetës së komunitetit ndër breza. Prej kohësh, nën hijen e tij  janë zhvilluar takime, kuvende dhe ngjarje të rëndësishme për banorët e fshatit, duke e kthyer atë në një pikë të rëndësishme referimi shoqëror.

Mani ngrihet rreth 8 metra i lartë, me një trung të fuqishëm me perimetër 226 cm dhe një kurorë të gjerë në formë ombrelle, e krijuar nga katër degët kryesore që shtrihen në një perimetër prej 26 metrash. Kjo hapësirë natyrore ofron hije dhe qetësi, duke qenë një vend i dashur për banorët dhe vizitorët.

Përveç vlerave të tij natyrore, Mani i Zi i Joronishtit përfaqëson një element identitar të komunitetit lokal, duke lidhur të kaluarën me të tashmen dhe duke ruajtur kujtesën kolektive të zonës. Frutat e tij të ëmbla dhe jetëgjatësia e rrallë e bëjnë këtë pemë një pasuri të çmuar për trashëgiminë lokale.

Edhe pse ndodhet në pronësi private, ai ruhet në gjendje të mirë dhe vazhdon të jetë një pikë tërheqëse për vizitorët.

 Aksesueshëm në itinerarin: Elbasan – Zavalinë – Joronisht