Turizmi i qëndrueshëm dhe Adventure Park, trajnimi në Krushevë, nga njohuritë te planet konkrete të veprimit

Dita e dytë e trajnimit praktik “Turizmi i qëndrueshëm dhe eficient në energji”, organizuar në kuadër të projektit të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut–Shqipëri, po vijon në Krushevë, me fokus kthimin e njohurive në zgjidhje konkrete për bizneset turistike.
Pjesëmarrësit nga Krusheva dhe Elbasani po punojnë për hartimin e planeve të veprimit që synojnë uljen e kostove të energjisë, reduktimin e mbetjeve dhe zhvillimin e produkteve turistike të qëndrueshme, me ndikim të ulët në mjedis, veçanërisht në turizmin e natyrës dhe të aventurës.
Gjatë trajnimit, bizneset po përfitojnë gjithashtu këshillim të drejtpërdrejtë nga ekspertë të qëndrueshmërisë, për të përmirësuar strategjitë e tyre dhe për të identifikuar mundësi të reja zhvillimi. Një tjetër element i rëndësishëm është forcimi i partneriteteve ndërkufitare dhe krijimi i rrjeteve të bashkëpunimit turistik mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Idetë dhe planet e hartuara gjatë këtij trajnimi synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e një destinacioni turistik më të qëndrueshëm, konkurrues dhe miqësor ndaj mjedisit. Projekti zbatohet nga Bashkia Krushevë, Bashkia e Elbasanit, Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm ALKA dhe Tjetër Vizion, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut–Shqipëri.