Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ura e re në Rrangallie, fund vështirësive për 50 familje

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Sara Mila, panë nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e një ure të re në lagjen Rrangallie të fshatit Labinot Katund.

Ky investim po realizohet nga Bashkia Elbasan në bashkëpunim me Forcat Xheniere dhe do t’i japë zgjidhje një problemi të kahershëm të banorëve të zonës. Mbi 50 familje do të përfitojnë drejtpërdrejt nga kjo vepër infrastrukturore, e cila zëvendëson urën provizore që banorët kanë përdorur për më shumë se tre dekada.

Me përfundimin e punimeve, banorët do të kenë mundësi të qarkullojnë në një urë tërësisht të rikonstruktuar, me standarde sigurie, duke i dhënë fund vështirësive që kanë hasur ndër vite.

Një përfitim të rëndësishëm do të kenë edhe 45 fëmijët e lagjes, të cilët çdo ditë kalojnë në këtë segment për të shkuar në shkollë. Deri më tani, lëvizja e tyre ishte e vështirë dhe e rrezikshme për shkak të urës së amortizuar dhe kalimit të përroit.

Gjatë takimit me banorët, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se investimet do të vijojnë në të gjitha njësitë administrative të bashkisë. Ai bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë edhe sistemimi i dy rrugëve malore të fshatit, të cilat aktualisht paraqesin vështirësi për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.

Deputetja Sara Mila u shpreh se ndërtimi i kësaj ure është një investim që përmirëson ndjeshëm jetën e banorëve, duke lehtësuar qarkullimin drejt shkollës, qendrave shëndetësore dhe shërbimeve të tjera, si edhe duke forcuar lidhjen e banorëve me fshatrat përreth dhe me qytetin e Elbasanit.

Banorët e lagjes Rrangallie e kanë mirëpritur këtë investim, pasi ura e re i jep fund një problemi që i ka shoqëruar për më shumë se 30 vite dhe garanton një qarkullim më të sigurt për të gjithë.